Zyra e Kryeministrit

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Akademinë Solemne në kuadër të “Epopesë së UCK-së, 5, 6 dhe 7 mars”

6 Mars, 2009

Zonja dhe zotërinj

Ka nga ata që besojnë se një njeri i vetëm mund të bëj pak në përballje me sfida të përmasave botërore.

Ka nga ata që nuk besojnë fare në një mundësi të tillë.

Por ne si popull dhe si vend këtë e dimë shumë mirë.

Prandaj, edhe ne jemi mbledhur sot për ta kujtuar dhe nderuar veprën dhe jetën e një njeriu që nuk u përballë vetëm me këto sfida, por ishte më meritori për lirinë e popullit të tij të shtypur.

Ky është, Babai i Pavarësisë sonë dhe komandanti legjendar Adem Jashari.

Çdo vit në këtë kohë, ne përpiqemi që ta kuptojmë humbjen e komandantit tonë dhe kuptimin e sakrificës së tij.

Kjo gjithmonë është më shumë se sa mund të komunikohet me fjalë.

E gjitha që ne mund të bëjmë është që ta kujtojmë dhe ta vlerësojmë gjithmonë çmimin e paguar për jetën tonë dhe për lirinë tonë.

Sot, anembanë vendit tonë, shumë qytetarë do të mblidhen për t’i respektuar heronjtë tanë.

Ata do të takohen para monumenteve apo në sheshe dhe do të heshtin për një çast kujtimi dhe respekti.

Qytetarët do të mblidhen dhe do t’i përkujtojnë ata që luftuan për liri dhe që vepruan në emër të idealeve dhe vlerave të saj.

Për ne, ata ikën shumë shpejt.

Duke vazhduar trashëgiminë e tyre, ne qëndrojmë sot në një rast të shquar në histori.

Jo vetëm që kemi realizuar vizionin e tyre të Kosovës së lirë dhe të pavarur, por ne kemi ngritur ëndrrat e tyre më lart.

Ne jemi duke i përcaktuar standardet e arritjes që vlejnë për ata të cilit jemi duke përkujtuar sot.

Ne jemi duke e ndërtuar e zhvilluar Kosovën.

 

Zonja dhe Zotërinj

 

Në Përvjetorin e njëmbëdhjetë të Epopesë së UÇK-së Kosova ka shënuar me dinjitet 1 vjetorin e pavarësisë.

Një vit i suksesit të plotë.

Me fitore-të mëdha.

Në planin ndërkombëtar,- Kosova është njohur nga 55 shtete, që përfaqësojnë 70 për qind të GDP-isë  botërore,

Kosova është njohur nga SHBA-të nga shumica e vendeve të BE-së  nga shumë shtete të rëndësishme anembanë botës dhe nga vendet fqinje.

Jemi duke punuar dhe presim njohje të reja.

Në planin brendshëm,  –  në Kosovë është arritur nivel i lartë i unitet qytetar, politik dhe shtetëror si bazë e fuqishme mbi të cilën po ndërtohet ardhmëria e ndritur dhe krenare e vendit dhe qytetareve tonë.

Këto të arritura dhe rezultate të tjera duhet të mbitheksohen, sot, në 11 vjetorin e rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari.

Në ditët e kujtimit dhe shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vetë populli i Kosovës.

Ato ditë u shndërruan në epope të qëndresës, heroizmit, sakrificës dhe unitetit të pashembullt në historinë politike të Kosovës.

Në epope të lavdishme të bashkimit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në luftë për liri dhe çlirim.

Në epope që sublimoi heroizmin dhe sakrificat e brezave – për një shekull të tërë për liri, dhe u bë model unikat në historinë e njerëzimit.

Përmasat e asaj sakrifice zgjuan ndërgjegjen kombëtare e botërore, forcuan  Kosovën dhe aktivizuan fuqishëm diplomacinë ndërkombëtare-në raport me Kosovën.

Falë rezistencës gjithë qytetare Kosova fitoi përkrahjen nga shtetet më të fuqishme të globit.

Ato shtete përkrahën dhe ndihmuan Kosovën në vitet e vështira të luftës dhe  në kuadër të NATO-s përkrahën çlirimin e Kosovës me fushatën e bombardimit dhe larguan përfundimisht forcat serbe nga Kosova.

Janë ato demokraci dhe shtete mike që ndihmuan Kosovën në fazën e tranzicionit, – përkrahën shpalljen e pavarësisë dhe të parat njohën shtetin më të ri në Botë.

Ne, sot, pikërisht në Ditët e Epopesë së UÇK-së flasim për perspektivën e integrimit në Bashkim Evropian dhe në NATO.

Orientimi ynë politik euroatlantik i ka rrënjët në historinë e lavdishme dhe përpjekjet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Sepse mbi parimet e kësaj filozofie politike mund të përmbushim qëllimet e larta për të cilat u flijuan Jasharët legjendarë dhe dëshmorët e lirisë anembanë Kosovës.

Është obligim ynë moral, kombëtar dhe shtetëror para historisë që shteti ynë të qëndrojë mbi themele e shëndosha.

Është përgjegjësi legjitime që të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet të mirëfilltë demokratik dhe të zhvilluar.

Është përgjegjësi e lartë shtetërore që të kultivojmë unitetin politik për të ardhmen e Kosovës.

Vetëm me këtë nivel të përgjegjësisë mund themi se përmbushim testamentin e madh përballë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Jo vetëm tri ditët e EPOPESË së UÇK-së, por 365 ditët e vitit Prekazin legjendar e vizitojnë mijëra e mijëra qytetarë të Kosovës dhe viseve të tjera, bashkatdhetarë.

Në Prekaz i përkulemi lirisë.

Aty janë themelet e shtetësisë së Kosovës.

Në Prekaz marrim zotime për të ardhmen.

Ditët e Epopesë së Kosovës, përherë na mbushin me energji dhe frymëzime të reja.

Çdo përvjetor duhet të na kujtojë faktin ku ka qenë Kosova para njëmbëdhjetë viteve.

Duhet të na kujtojë faktin se sa e shtrenjtë është liria dhe sa mund është dashur për të ardhur këtu ku jemi.

Për ta bërë më të mirë vendin tonë.

Për ta bërë Kosovën vend të shpresës dhe besimit në të ardhmen e sigurt.

Zonja dhe zotërinj,

Kosova ka hyrë në dhjetëvjetorin çlirimit dhe në dyvjetorin e pavarësisë.

Kosova e ëndrrave të atyre që u sakrifikuan për lirinë e saj, është duke ecur e sigurt drejt të ardhmes më të mirë.

Ne mund të ballafaqohemi me vështirësitë e trashëguara nga e kaluara, por  ardhmërinë duhet ta shikojmë me besim dhe më shumë siguri.

Ne kemi obligim ta përmbushim dhe po e jetësojmë ëndrrën për Kosovën e zhvilluar, sovrane, të lirë dhe demokratike.

Shtet me të cilin të krenohen të gjitha ata që jetojnë në të, pa dallim etnie, kulture dhe besimi.

Shtet që  do të reflektojë paqe, siguri dhe stabilitet në rajon.

Shtet i integruar në NATO dhe Bashkim evropian.

Shtet i cili do t’i kultivojë raportet e përhershme të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtet me të cilin do të krenohen edhe miqtë tanë.

Shtet i përgjegjshëm me të cilin do të krenohen fëmijët dhe nipërit tanë.

Shtet me të cilin do të ndihet mirë për të jetuar çdo qytetar.

Le ta bëjmë këtë jo vetëm për ata të cilët ne po i nderojmë sot, por për fëmijët e tyre dhe për fëmijët tuaj.

Shtet i cili do ta kujtojë me respektin më lartë shtetëror gjithmonë, babain e Pavarësisë së Kosovës- Komandantin Legjendar Adem Jasharin.

Lavdi dëshmorëve!

Last modified: 6 Mars, 2009

Comments are closed.