Prishtinë, 13 mars 2012
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e shënimit të 31 vjetorit të Demonstratave të vitit 1981
Zonja dhe zotërinj,
Viti 2012 është i rëndësishëm për qytetërimin shqiptar, vit i njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Është vit i përmbylljes së mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës.
Në dritën e këtij përvjetori çdo ngjarje e rëndësishme, e vjetër ose e re, merr shkëlqim të ri, jep shkas për reflektim filozofiko – politik, rizgjon mesazhet dhe përkufizohet më mirë thelbi i tyre historik.
Në frymën e këtij 100 vjetori, sot shënojmë përvjetorin e 31 të Demonstratave të vitit 1981, si kapitull i ndritur në fondin e artë të historisë moderne të shqiptarëve.
Pas Luftës së Dytë Botërore Kosovën e prisnin iluzione të thyera.
Në vend të paqes, barazisë dhe zhvillimit Kosova përjetoi gjendjen e adminstrimit ushtarak.
Rreth dyzetmijë forca ushtarake anembanë Kosovës likuiduan dyzetmijë shqiptarë, duke goditur në pjesën më vitale të substancës kombëtare.
Degradimi kushtetues i Kosovës, prapambeturia ekonomike, varfërimi i qëllimshëm, ndjekja dhe shpërngulja e shqiptarëve u bën program strategjik i Beogradit zyrtar.
Por edhe në kulmin e kësaj periudhe të errët, zëri kundërshtues ndaj robërisë, shtypjes dhe diskriminimit nuk u shua asnjëherë.
Në burgjet serbe dhe jugosllave, një shkrimtar i ri ishte shndërruar në sinonim të kundërshtimit të sundimit të Kosovës.
Ishte Adem Demaçi, të cilin me të drejtë historiani britanik Noel Malcolm, e quan: kryeveprimtari për ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia.
Brenda këtij cilësimi (kryeveprimtari ) dhe kësaj kërkese (ndarja e Kosovës nga Jugosllavia) është projekti i çlirimit të Kosovës, që kërkon dy komponente:
1. Subjektin, veprimtarin, ideatorin, bartësin e çlirimit, dhe
2. Ndarjen, kërkesën, konceptin dhe projektin e qartë politik të çlirimit
Zonja dhe zotërinj,
Pas rezistencës së viti 1945, kërkesa politike për avancim të statusit politik të Kosovës në mënyrë të hapur, publike dhe me vendosmëri u artikulua në Demonstratat e 1968-ës.
Linja e organizimit të fshehtë, përkundër burgosjeve dhe dëmtimeve, nuk rreshti asnjëherë.
Ajo tubonte njerëz që vazhdonin traditën e rezistencës kundër pushtimit, madje duke shprehur pretendime madhore në programet e tyre, si çlirimi viseve shqiptare nën Jugosllavi dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë.
Organizimet e tilla, ishin shqetësim për strukturat zyrtare të pushtetit, nga vetë fakti se kishim marrë guximin që në një shtet monist të vepronin të organizuar, të botonin shtyp ilegal, revista, trakte dhe materiale tjera që demaskonin politikën e Beogradit.
Universiteti i Prishtinës, për nivelin dhe kohën, kishte luajtur një rol iluminist tek gjeneratat e studentëve dhe të pedagogëve të etur për dije dhe emancipim.
Shënimi i 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, njësimi i gjuhës letrare, qarkullimi i literaturës historike dhe artistike kishte rritur vetëdijen kombëtare.
Shënimi i 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kishte shpalosur vlerat historike të kësaj ngjarjeje madhore, duke rikujtuar padrejtësitë dhe moszgjidhjen e çështjes shqiptare.
Kosova kishte akumuluar energji të reja.
Shpërthimi i demonstratave të marsit 1981 ishte një moment i ri historik i Kosovës.
Ky shpërthim ishte rezultat i sublimimit të frymës, të klimës së krijuar nga periudha 40 vjeçare nëpër të cilën kishte kaluar Kosova.
Ishte tregues se lëvizja politike atdhetare ishte në nivel më të lartë të pjekurisë, më përmbajtjesore, më e rritur dhe më cilësore.
Demonstratat ishin shprehje e mospajtimit me statusin të pabarabartë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë.
Ato dëshmuan se statusi i autonomisë për Kosovën është i pamjaftueshëm.
Demonstrata e vitit 1981 artikuluan fuqishëm kërkesën qendrore për Republikën e Kosovës.
Këtë më së miri e shpjegoi, intelektuali dhe profesori Ukshin Hoti, që e mbronte publikisht kërkesën për Republikën e Kosovës me kategorinë filozofike të zhvillimit.
Kjo kërkesë dhe kërkesat tjera ishin shprehje e vullnetit të gjerë popullor, jashtë strukturave zyrtare të vetë Kosovës, Serbisë dhe Jugosllavisë.
Demonstratat ishin tregues se Kosova kishte kristalizuar dhe shndërruar në ndërgjegje të lartë politike dhe patriotike idenë e mosnënshtrimit ndaj robërisë serbe dhe jugosllave.
Ato treguan më së miri se idetë dhe projektet për jugosllavizimin e popullatës shqiptare kishin vdekur njëherë e përgjithmonë.
Demonstratat, si formë reagimi, ishin veprime që tronditën rëndë karakterin e një shteti monist, duke prekur dhe kundërshtuar natyrën e tij hegjemone.
Ato ishin reagim i guximshëm kundër politikës së një shteti federal, të organizuar mirë me aparat partiak, policor dhe ushtarak.
Demonstratat ishin reagim kundër një shteti që në planin ndërkombëtar kishte krijuar imazhin e politikës së mosinkuadrimit dhe të rehatisë midis kombeve dhe kombësive.
Demonstrata e 1981 ishin shkas që nxorën në pah natyrën e vërtetë të politikës shekullore antishqiptare të Beogradit.
Zonja dhe zotërinj,
Ideatorët, organizatorët dhe frymëzuesit e demonstratave si pjesë e organizimeve të fshehta patriotike, bartnin traditën më të mirë atdhetare.
Ata frymëzoheshin nga e kaluara e ndritur historike e rezistencës për liri dhe nga personalitetet nominente të saj.
Çfarëdo ngjyrese ideologjike nuk e zbeh karakterin kombëtar të kësaj lëvizjeje dhe të kësaj gjenerate.
Edhe tek ideologjia e caktuar, para se zbatimin doktrinar, ata kërkonin bazën teorike për lirinë kombëtare, parimin e vetëvendosjes dhe vlerat universale për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Shqipëria, për ta, para se Republikë Socialiste, ishte frymëzim që simbolizonte pjesën e lirë atdheut, ku kultivohej arti, kultura dhe historia pa censurën jugosllave.
Ata frymëzoheshin nga qëndresa e Adem Demaçit, që ishte shndërruar në mit të kundërshtimit të robërisë jugosllave, në simbol të çështjes së pazgjidhur të Kosovës.
Ata, mbi çdo ideologji dhe simbol ideologjik, ishin frymëzuar nga qindra të burgosur politikë, që mbaheshin në burgjet famëkëqija jugosllave: në Goli Otok e Pozharevc, në Nish e Stara Gradishkë.
Mbi organizatorët, frymëzuesit, pjesëmarrësit e demonstratave rënduan veprime represive: arrestime, vite burgu, vuajtje, izolime, diferencime, arratisje jashtë atdheut, atentate dhe forma tjera persekutimi deri ne vresje.
Bashkë me ta, kapitull më vete i vuajtjes janë dhe familjet e tyre, që u përkujdesën me dashuri dhe sakrificë për ta, anembanë burgjeve të Jugosllavisë.
Zonja dhe zotërinj,
Demonstrata e vitit 1981 ishin letër lakmusi që bëri të dallojë konceptin jugosllav dhe atë serb për Kosovën, duke çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Ato bën që të dallojë koncepti edhe brenda Kosovës, por që me kalimin e viteve dhe me fuqizimin e nacionalizmit serb, e gjithë Kosova u trajtua si separatiste, irredentiste, terroriste etj.
Por, përkundër këtij terrori propagandistik, presionit dhe përpjekjes për ndarje midis popullit dhe demonstruesve, lëvizja politike atdhetare dhe rezistenca qytetare e ruajti identitetin e saj.
Politika e Beogradit mbeti përherë e pakënaqur, sepse kurrë nuk u arrit, aq sa ajo dëshironte, që intelektualët, profesorët dhe shtresat tjera të popullsisë të distancoheshin nga fryma e kërkesave të vitit 1981, për Republikën e Kosovës.
Pas vitit 1981, historia e Kosovës kalon në dy linja kryesore.
Periudha prej demonstratave të viti 1981 deri tek çlirimi i Kosovës nuk shënoi asnjë moment paqëtimi dhe normaliteti. Represioni serb u rrit në mënyrë të vazhdueshme.
Ndryshimi i dhunshëm i kushtetutës më 1989 u shënua me demonstrata gjithpopullore.
Qytetarët e Kosovës provuan dhe gjetën të gjitha format e rezistencës.
Linja autoktone lëvizjes politike të Kosovës, prej vitit 1981 deri më 1999, përkundër ngritjes në kulm të nacionalizmit hegjemonist serb, nuk u nënshtrua.
Përkundrazi, gjeti forma të rezistencës, që kulmuan në krijimin e projektit më të madh politiko – ushtarak që ka prodhuar lëvizja atdhetare e Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kontributi i gjeneratës së Demonstratave të viti 1981 është pjesë përbërëse, si frymëzim, ide, lëvizje dhe kuadro të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Demonstratat e vitit 1981, hyjnë në radhën e ngjarjeve nyje, ngjarjeve më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Kosovës, sepse krijuan vetëdije të lartë politike dhe ndërgjegje kombëtare.
Gjenerata e 1981-ës është meritore në përqafimin e të gjitha formave të rezistencës dhe pjesë përbërëse e mbështetëse e të gjitha proceseve që çuan në krijimin e kushteve për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Sot të gjithë ne kudo që jetojmë në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Preshevë, Ulqin apo diasporë po punojmë me krenari dhe përgjegjësi në projektin e përbashkët të së drejtës historike për bashkimin e shqiptarëve në një hapësirë të përbashkët pakufi.
Ju faleminderit!
Last modified: 13 Mars, 2012