Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për medie me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog

12 Tetor, 2022

Më poshtë gjeni fjalën e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për medie me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog pas pranimit të Raportit të Vendit për vitin 2022

I nderuari Ambasador i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog,

Të nderuara media dhe të dashur qytetarë,

Sot kemi pranuar raportin për vendin 2022. Ky është raporti i parë i cili përfshin periudhën e plotë njëvjeçare të qeverisjes sonë.

Sa i përket vitit që shkoi vendi ynë ka shënuar progres në shumë fusha. Përkundër krizave globale me të cilat është përballur jo vetëm Kosova por i gjithë kontinenti Evropian, që nga pasojat e pandemisë deri tek krizat si ajo e energjisë dhe inflacionit.

Raporti që në fillim e përgëzon Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike. Stabiliteti është parakusht për reforma afatgjate. Prandaj edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë rekomandime të BE-së për një kohë të gjatë e të cilat u injoruan nga qeveritë e kaluara, si për shembull:

Terminalet doganore private nuk janë në harmoni me MSA-në dhe kalimi gradual nga ato private në ato publike është rekomanduar që nga viti 2018.  Vitin e kaluar e hapëm terminalin doganor në Mitrovicë, ndërsa këtë vit, terminalin doganor në Podujevë e kthyem në shtetëror. Njësoj do të vazhdojmë me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Vërmicë.

Rregullorja e  Kuvendit të Kosovës u miratua pas 12 viteve.

Pastaj,  Ligji për financimin e partive politike kishte nisur në vitin 2014, e kishte shumë hezitime në të kaluarën. Ne e kemi miratuar sivjet.

Ligji për ushqimin që rregullon sigurinë, cilësinë dhe kontrollin e ushqimit ishte rekomanduar në vitin 2012.

Në vitin 2021 pati dy valë të racionalizimit të agjencive, e para përfshiu katër Agjenci dhe e dyta dy agjenci. Racionalizimi i agjencive është rekomanduar nga viti 2016.

U miratua Ligji për rezervat e obligueshme te naftës kërkesë e Komisionit që nga viti 2014.

Ne jemi duke zbatuar Agjendën e Reformave Evropiane II, si dhe kemi miratuar dhe jemi duke zbatuar Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së 2022 – 2026.

Sundimi i Ligjit është ndër prioritetet e përbashkëta që i kemi me BE-në. Ne kemi dorëzuar tashmë në Kuvend dosjen e Vettingut,  e cila përputhet me rekomandimet e Komisionit të Venedikut. Ky proces synon të bëjë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e krimit dhe në vënien e drejtësisë.

Gjithashtu kemi miratuar legjislacion kyç në fushën kundër-korrupsionit që kanë qenë veprime që kemi marrë në kuadër të obligimeve nga MSA dhe ERA. 

Kemi rritur luftën kundër korrupsionit, e cila deri tani ka rezultuar në më shumë se 780 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe të korrupsionit, me më shumë se 2,200 persona të arrestuar, prej të cilëve afër 300 zyrtarë shtetëror, e 68 grupe kriminale janë shkatërruar, dhe janë konfiskuara 1.7 ton drogë. Janë shkatërruar 5 laboratore të drogës. Dhe janë mbyllur 11 rrugë ilegale në veri të vendit.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe qeverisja e mirë pa skandale e ka ngritur Kosovën në raportet ndërkombëtare. U renditëm të parët në Ballkanin Perëndimor në indeksin e World Justice Project për vitin 2021 dhe për 17 vende më lart në Indekset e Transparency International dhe të World Press Freedom.

Sa i përket Kritereve Ekonomike, ekonomia konkurruese dhe zhvillimi ekonomik janë parakushte për mirëqenie më të mirë për qytetarë, por edhe kriter i rëndësishëm në avancimin drejt Bashkimit Evropian. Me një qeverisje të mirë, të drejtë e zhvillimore, po ofrojmë një klimë të përshtatshme të të bërit biznes.

Vitin që lamë pas shënuam një rritje ekonomike prej 10.7% të bruto produktit vendor. E kjo është më shumë sesa çdo vit tjetër në historinë e shtetit tonë.

Në vitin 2021 eksportet kanë qenë për 83.6% më të larta se në vitin paraprak e sivjet janë edhe 29.5 për qind më të larta sesa në vitin 2021. Në vitin 2019, raporti i eksportit dhe importit të mallrave ishte 1:9, pra 9 fish më shumë import sesa eksport. Sivjet, si rezultat i rritjes së eksportit në dy vitet e fundit raporti është përmirësuar dukshëm në 1:6. Pra nga 1:9 në 1:6.

Të hyrat buxhetore janë për 1/3 më të larta sesa vitin e kaluar, ndërkaq investimet e huaja direkte janë rritur për 22%. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi edhe 15 mijë vende pune më shumë.

Menaxhimi i mirë i pandemisë, fushata e suksesshme e vaksinimit masiv, pakoja e Ringjalljes Ekonomike që tashmë kap vlerën gjithsej prej 750 milionë eurove, ndikimi i diasporës dhe qeverisja e mirë, janë edhe shkaqet, po edhe arsyet e performances së mirë ekonomike.

Kemi përkrahur bujqit dhe fermerët përmes granteve dhe subvencioneve me vlerë të përgjithshme prej rreth 100 milionë euro. Gjithashtu kemi subvencionuar grurin për 216% më shumë, duke shënuar kështu subvencionimin më të lartë në rajon.

Kjo është shoqëruar me legjislacion të rëndësishëm në fushën e bujqësisë, pas shumë viteve të stagnimit.

Kemi hartuar Strategjinë për Energji 2022-2031; kemi nënshkruar marrëveshjen me MCC në vlerë prej 236.7 milionë dollarë që përbën investimin më të madh ndonjëherë në sektorin e energjisë; kemi përuruar  parkun e erës në Selac, në vlerë prej 169 milionë euro, 27 turbinat e të cilit do të mbulojnë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë dhe do të ulin emetimet e dioksidit të karbonit të CO2-shit për 247 mijë tonë. Në projektin “Solar4Kosovo” në vlerë prej 65 milionë do të paraqesë një prej termocentraleve më të mëdha diellore në Evropë.

Në fushën e arsimit, Kosova ka marrë statusin e asociuar në programin për kërkim dhe inovacion “Horizon” të Bashkimit Evropian me të drejta të plota duke e bërë kështu Republikën e Kosovës anëtar të hapësirës evropiane të kërkimit që ofron mundësi më të mëdha financimi dhe pjesëmarrje në programet e Bashkimit Evropian.

Së fundmi kemi pranuar pra statusin e kandidatit në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Arsimin e lartë publik e kemi bërë falas, ashtu siç u patëm zotuar, e buxhetin për arsim e kemi rritur për 12 për qind sivjet.

I nderuari ambasador,

Të nderuar qytetarë,

Lufta në Ukrainë pas invazionit dhe agresionit rus ka forcuar nevojën për unitet në Evropë dhe ka ringjallur agjendën e zgjerimit. Kjo vëmendje politike për Ballkanin i jep shpresë Kosovës që të avancojë në rrugëtimin Evropian. Kosova është rreshtuar menjëherë me perëndimin në sanksionet kundër Federatës Ruse, që para se të jetë linjëzim me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian është orientim i yni vleror dhe demokratik.

Sivjet e kemi intensifikuar angazhimin sa i përket liberalizimit të vizave. Qeveria me 12 gusht, pra para saktësisht dy muajve, i ka dorëzuar Komisionit Evropian një raport të detajuar për progresin tonë në sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe menaxhimin e migrimit, pra fushat në të cilat shtetet anëtare kanë pas hezitime.

Arritjet tona janë konfirmuar nga Komisioni dhe mirëpritur nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit dhe kemi arritur të futemi në agjendë të Grupit Punues për Viza (Format i Këshillit të Bashkimit Evropian) pas më shumë se katër vitesh.  Jemi të bashkërenduar me Presidencën çeke të Këshillit meqë kjo temë është edhe prioritet i tyre. Ne do të punojmë ngushtë me të gjitha shtetet përkrahëse dhe jemi në koordinim për hapat e radhës.

Ndërkohë kemi filluar përgatitjet për ta dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian si hap i parë e me synim marrjen e statusit kandidat.

Kosova është vend evropian. Me vlera dhe orientim evropian. Me politikë të Jashtme të linjëzuar me Bashkimin Evropian. Mbi gjashtë vite zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Kjo na bën të besojmë që përmbushim çdo kriter teknik për të fituar statusin e vendit kandidat.

Ju faleminderit!

 

Last modified: 12 Tetor, 2022

Comments are closed.

×