Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi në Kuvendin e Shqipërisë

19 Qershor, 2008

19 qershor 2008

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë;
I nderuari President i Republikës së Shqipërisë;
I nderuar Kryeministër;
Të nderuar deputetë të Republikës së Shqipërisë;
Ambasadorë dhe mysafirë të nderuar;
 
Jam i nderuar që sot, si kryeministër i shtetit më ri në botë, i Republikës së Kosovës, kam mundësinë t’i drejtohem institucionit më të lartë përfaqësues të Republikës së Shqipërisë.

Dëshiroj, që nga kjo foltore e demokracisë shqiptare, t’ju sjell përshëndetjet dhe falënderimet më të përzemërta të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës; falënderimet më të përzemërta të qytetarëve të Kosovës, për ndihmën e pakursyer që Shqipëria dhe populli i saj dhanë gjatë procesit historik nëpër të cilin kaloi Kosova.
 
Kosova kaloi një shekull të historisë së errët, me shumë dhimbje dhe sakrifica. Tërë historia e Kosovës lidhet me përpjekjet për liri dhe qytetërim perëndimor. E gjithë politika jonë merr formësim nga ky qytetërim. Dhe në fund u finalizua me vlerën më të shenjtë: Lirinë.
 
Përpjekjet sa e sa gjeneratave të qytetarëve të Kosovës bashkohen në një pikë të vetme: rikthimin e burimit të autoritetit politik te vullneti i popullit të Kosovës. Gjatë tërë shekullit të kaluar ky vullnet ishte shkelur, përbuzur dhe shtypur.
Të tria Jugosllavit, që erdhën njëra pas tjetrës dhunshëm në Kosovë, i bashkonte i njëjti fakt: e donin nën kontroll Kosovën, por e urrenin dhe e luftonin popullin autokton të saj.
 
Edhe kur u shemb komunizmi, Kosova përjetoi tragjedinë tjetër të  radhës. Në vend të fillimit të tranzicionit demokratik, ajo iu nënshtrua një pushtimi klasik serb. Shqiptarët sërish u persekutuan dhe u përndoqën masivisht nga të gjitha institucionet shtetërore dhe publike. Një popull i tërë u përjashtua. Ky përjashtim, paralajmëronte dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga atdheu i vet.
 
Kosova nuk u dorëzua, të gjithë, një popull i tërë, dolëm përballë, për të ndaluar të keqën. Këmbëngulësia jonë forcohej edhe më shumë nga besimi se bota demokratike do të na mirëkuptonte në përpjekjet tona të drejta.
 
Bota e civilizuar në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian na mbështeti. Politika e çlirimit dhe lirisë së Kosovës  ishte në përputhje të plotë me rrjedhat historike të demokratizimit të botës.
 
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq,
 
Për një shekull përpjekjesh, Kosova kishte mbështetjen e institucioneve shqiptare dhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Mijëra e mijëra qytetarë të Kosovës, kur dëboheshin nga shtëpitë e tyre, gjetën strehim dhe ngrohtësi vëllazërore gjithandej qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për një popull në çastet e mbijetesës kolektive se sa dora dhe shpirti i solidaritetit.
 
Nga Shqipëria erdhi solidariteti vëllazëror. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës do të jenë përgjithmonë mirënjohës për këtë solidaritet. Tradita e mikpritjes shqiptare edhe njëherë u dëshmua me tërë fuqinë e saj civilizuese. Pa  mbështetjen e Shqipërisë nuk do të ndodhte as liria e Kosovës.
 
Kur Kosova ishte në luftë edhe Shqipëria ishte në gjendje lufte, vendi juaj dha dëshmorë për lirinë e Kosovës, por edhe Kosova dha heronj për pavarësinë e Shqipërisë. Populli i Kosovës përulet me respekt para gjithë dëshmorëve. Çdo qytetar i Shqipërisë ka hise në kontributin për lirinë e Kosovës.
 
Secili qytetar duhet të ndihet krenar për këtë kontribut. Prandaj, urime dhe falënderime gjithë popullit të Shqipërisë!
 
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq,
 
Unë jam rritur duke e dashur Shqipërinë, ashtu si të gjithë kosovarët. Është një dashuri që është bartur brez pas brezi, nga gjyshërit dhe prindërit e mi tek unë, dhe sot, nga unë tek djali im, i cili gjithmonë insiston që pushimet e verës t’i kalojmë në bregdetin e bukur shqiptar.

Kam jetuar kohë pas kohe në Tiranë në fillim të viteve nëntëdhjetë, së bashku me babin e pavarësisë së Kosovës, komandantin e legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, kudo në Ali Demi, te 21-shi (njëzetënjëshi), tek Oxhaku, te Blloku. Sot Tirana ka ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar, por edhe unë kam ndryshuar, siç keni ndryshuar edhe ju.
 
Dikur, kur vija në Shqipëri, kaloja orë të tëra duke ecur në këmbë maleve të Pashtrikut dhe Lubotenit. Ashtu siç hyja në Shqipëri, pa rënë në sy, ashtu edhe qëndroja në Tiranë. Ndërsa sot, shumëçka ka ndryshuar, edhe sikur të doja të përsëritja një eksperiencë të tillë si dikur,  vështirë se do t’ia dilja.
Kështu, çizmet e përbaltura dhe uniforma tani mbesin vetëm një kujtim i paharruar i krenarisë jo vetëm i imi, por edhe i mijëra e mijëra bashkëluftëtarëve.
 
Por, vetëm diçka ka mbetur identike, vetëm diçka ka mbetur e njëjtë, andej dhe këndej kufirit. Dashuria jonë për Shqipërinë, dashuria juaj për Kosovën, dashuria vëllazërore për njëri tjetrin. Kosova krenohet me Shqipërinë. Kosova dhe Shqipëria krenohen për njëra tjetrën.
 
E nderuara Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë;
I nderuari President i Republikës së Shqipërisë;
I nderuari Kryeministër;
Të nderuar deputetë të Republikës së Shqipërisë;
Ambasadorë të nderuar;
Mysafirë të nderuar,
Përfaqësues të medias,
I nderuar populli shqiptar,
 
Kam pasur fatin, kënaqësinë, përgjegjësinë të bashkëpunoj me të gjithë presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë prej viteve ’90 e tutje. Ndjehem krenar dhe i përgjegjshëm I falënderoj të gjithë për përgjegjësinë e tyre në mbështetjen për lirinë dhe shtetin e Kosovës
 
Në qershor të vitit 1999 e keqja u mposht – e mira fitoi. Kështu, nisi faza e re e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Ishim të bindur se kishte vetëm një rrugë përpara: shndërrimin e lirisë së Kosovës në shtet të pavarur dhe sovran. Së bashku me bashkësinë ndërkombëtare filluam punën për të vendosur bazat institucionale për momentin që do të vinte. U bë punë e madhe në konsolidimin e praktikave të qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit. U zhvilluan disa palë zgjedhje, të cilat shërbyen si shembull rajonal për zhvillime demokratike. Sot kjo është kthyer në traditë politike në Kosovë. Kjo na bën sa krenar, aq edhe të përgjegjshëm për të thelluar edhe më tutje demokracinë.
 
Zonja dhe zotërinj;
Të nderuar miq;
 
Formimi i shtetit është vepër e natyrshme e një populli të lirë.

Më 17 shkurt të këtij viti institucionet e Kosovës e dëshmuan para qytetarëve dhe botës vendosmërinë e tyre edhe një herë. Nga përfaqësuesit legjitim të popullit, Kosova u shpall shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Prishtina festoi, Tirana festoi, e gjithë bota demokratike na përkrahu. Bota demokratike e mirëpriti dhe e njohu fuqishëm vullnetin e popullit të Kosovës. Sot kemi njohjen e 43 shteteve. Kosova do të jetë pjesë dhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pjesë e rëndësishme dhe e menjëhershme e kësaj njohje të fuqishme ishte edhe Kuvendi i nderuar i Republikës së Shqipërisë.
 
Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës lindi në një bashkësi të madhe partnerësh dhe miqsh. Shumë shpejt,  një hap të tillë do ta bëjnë edhe shtetet fqinje, si: Maqedonia e Mali i Zi ,e duam të besojmë që në një të ardhme të afërme demokratike edhe Serbia.
 
Kushtetuta e Shtetit të Kosovës hyri në fuqi para pak kohësh, ajo përcakton qartë Kosovë shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve, shoqëri shumë-etnike. Në Kosovë do të këtë tolerancë dhe respekt afirmativ ndaj minoritarëve. Të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë kanë perspektivë të sigurt dhe mundësi të barabarta.
 
Në veçanti, do të përkujdesemi që qytetarët e Kosovës të komunitetit serb të ndjejnë vetën e tyre të sigurt në shtetin tonë.
 
Pavarësia e Kosovës ka qenë vendim i domosdoshëm për demokratizimin dhe evropianizimin e rajonit në tërësi. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete me identitete shtetërore të pavarura, por si shqiptarë jemi një komb, kemi një gjuhë dhe një kulturë.
 
Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të pavarura, kanë një qëllim dhe një vizion:  integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.
 
E përgëzoj Shqipërinë dhe gjithë popullin shqiptar për marrjen e ftesës në NATO. Ky ishte viti i rajonit. Kosova e pavarur dhe ftesa për Shqipërinë  në NATO.
Urime e përgëzime të gjithëve!
 
Para në viti Presidenti Bush po nga Tirana dërgoi mesazhin e qartë, të mirëpritur, duhur, të fuqishëm dhe të vendosur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Dëshiroj që nga kjo foltore e demokracisë shqiptare t’i falënderoj SHBA-në, BE-në dhe NATO-n për mbështetjen!
 
E nderuara Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë;
I nderuari President i Republikës së Shqipërisë;
I nderuari Kryeministër;
Të nderuar deputetë të Republikës së Shqipërisë;
Zonja dhe zotërinj;
 
Në rajonin tonë kanë ngadhënjyer vlerat e së ardhmes.        
                  
Kosova e pavarur, sovrane dhe demokratike do të udhëheqë politikë të jashtme, të mbështetur mbi parimet e fqinjësisë së mirë dhe integrimit në strukturat euroatlantike.
Bashkëpunimi rajonal është standard në procesin e integrimit euroatlantik.
 
Faleminderit, zoti Kryeministër për mbështetjen e fuqishme që Qeveria juaj dhe gjithë poetika shqiptare po i jep Kosovës kudo që flitet për Kosovën!

Në mes dy qeverive tona, Prishtinës dhe Tiranës, ekziston vullneti i plotë shtetërorë për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Ky ishte edhe konkluzioni i takimit të sotëm mes meje dhe Kryeministrit Berisha.

Kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe shumë gjëra për t’i dhënë njëri tjetrit.

Koha e errët e barrierave dhe kërcënimeve kufitare ka marrë fund. Ne jemi zotuar për mos ndryshim të kufijve. Po ndërtojmë realitete evropiane, rajon pa kufij , po ndërtojmë rrugë integruese që afrojnë Prishtinën dhe Tiranën.
 
Epilog i natyrshëm i rrugëtimit tonë të gjatë, të mundimshëm dhe historik, është liria që ne gëzojmë sot, dhe e ardhmja jonë e sigurt nën çatinë e përbashkët : Bashkimin Evropian dhe NATO.
 
Faleminderit shumë !

Last modified: 19 Qershor, 2008

Comments are closed.