Faleminderit zoti President,
Kam nderin që t’i drejtohem Këshillit të Sigurimit për herë të parë që nga shpallja e Kosovës Republikë e Pavarur dhe sovrane. Këshilli i Sigurimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha fazat e shpërbërjes së Jugosllavisë. Andaj, kam nderin dhe kënaqësinë që t’ju informojë për progresin e arritur së fundi në vendin tim dhe për sfidat të cilat na presin.
Siç e dini, me 17 shkurt, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës shpallën Kosovën shtet të pavarur, duke ndjekur rekomandimet e përfaqësuesit special të OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari. Ndonëse kanë kaluar vetëm tetë javë që nga shpallja e pavarësisë, një numër i konsiderueshëm i vendeve anëtare të OKB-së kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre në ndërtimin e Kosovës shtet stabil, multietnik dhe demokratik. Në veçanti jemi të kënaqur me faktin që 2/3 e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ¾ e vendeve anëtare të NATO-s kanë njohur shtetin tonë të ri.
Sidoqoftë, pavarësia nuk ka zgjidhur problemet e shumta dhe serioze me të cilat ballafaqohet vendi im. Siç e dini, Kosova është një vend i varfër, është i domosdoshëm investimi dhe zhvillimi ekonomik. Kosova dhe institucionet e sajë kanë ende shumë për të bërë në sigurimin e të drejtave për të gjithë qytetarët e saj, në veçanti të pakicës etnike që nuk e mbështeti pavarësinë e Kosovës.
Fatmirësisht, Kosova ka një plan serioz, përmes të cilit ne synojmë të ballafaqohemi me këto sfida serioze : planin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari. Rekomandimet e Presidentit Ahtisari përfshijnë masa të shumanshme, përmes së cilave mbrohen të drejtat, kultura, dhe identiteti i pakicave, thënë shkurt, është një bazë e mirë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Përmes Deklaratës së Pavarësisë ne jemi zotuar që do ta implementojmë në plotëni këtë plan.
Brenda pak javësh funksionimi si shtet i pavarur, institucionet e Kosovës kanë ndërrmarë hapa serioz në implementimin e provizioneve nga pakoja e Presidentit Ahtisari. Për shembull, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 19 ligje që derivojnë nga marrëveshja gjithëpërfshirëse për status, dhe të cilat rregullojnë fusha të rëndësishme si trashëgimia kulturore, decentralizimin, mbrojtja e të drejtave të komuniteteve etj. Ne jemi duke punuar seriozisht në draftimin e 11 ligjeve të mbetura për t’u miratuar, e të cilat derivojnë nga pakoja e Presidentit Ahtisari.
Kosova tashmë ka Kushtetutën e sajë të re. Kushtetuta jonë, e cila është produkt i një bashkëbisedimi intensiv me qytetarët tanë, dhe ndihmës së jashtëzakonshme të ekspertëve ndërkombëtarë, lirisht mund të them që është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. Ne jemi siguruar që çdo provizion i Pakos së Ahtisarit të jetë i garantuar me Kushtetutë. Kushtetuta jonë do të hyjë në fuqi me 15 qershor, dhe si e tillë do të jetë dokumenti më i rëndësishëm përmes së cilit qytetarët e Kosovës shprehin vullnetin e tyre për të ndërtuar një shtet të fuqishëm, funksional dhe demokratik.
Jemi të vetëdijshëm që implementimi i Planit të Ahtiasrit nuk kërkon vetëm miratimin e ligjeve. Qeveria e Kosovës është e përgatitur që të ndërrmarë hapa serioz në mënyrë që plani i Presidentit Ahtisaari të jetësohet në teren, dhe jemi të sigurt që përmes implementimit të plotë të këtij projekti jemi të sigurt në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve. Ne tashmë kemi bërë plane serioze në krijimin e zonave të mbrojtura rreth kishave ortodokse serbe. Po ashtu, jemi duke u angazhuar seriozisht në decentralizimin e qeverisjes, në mënyrë që t’i fuqizojmë minoritetet në nivelin lokal.
Që ta përmbushim në plotëni frymën e Pakos së Presidentit Ahtisaari, është e nevojshme që të arrihet edhe pajtimi mes popullit tonë. Për ta shtyrë këtë proces, unë tashmë kam hapur një zyrë të veçantë në kabinetin tim, e cila merret ekskluzivisht me të drejtat e komuniteteve. Qeveria ka alokuar mjete shtesë me qëllim të mbështetjes së projekteve të veçanta të destinuara për pakicat. Po ashtu, dua të theksoj që qeveria ime është multietnike. Në qeverinë time, tre nga ministrat dhe disa zëvendësministra janë përfaqësues të komuniteteve pakicë.
Po ashtu, në përputhje me planin e Presidentit Ahtisaari, ne jemi duke marrë përgjegjësitë edhe për sa i përket prezencës ndërkombëtare. Kosova edhe formalisht ka ftuar dhe mirëpritur vendosjen e Zyrës së Përfaqësuesit Civil ndërkombëtare, i cili do të mbikëqyrte implementimin e pakos së Presidentit Ahtisari, si dhe kemi mirëpritur ardhjen e misioni të BE-së në fushën e rendit dhe ligjit, mision ky i cili besoj se do të na ndihmojë në ndërtimin dhe avancimin e sektorit të policisë dhe drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë bashkëpunimin tonë të plotë për prezencën ndërkombëtare në Kosovë.
Sidoqoftë, pavarësia e Kosovës nuk është mirëpritur nga të gjithë. Në veçanti, ne e dimë që vendi fqinjë Serbia, e ka kundërshtuar fuqishëm pavarësinë e Kosovës. Unë dua të rikonfirmoj para jush gatishmërinë dhe vullnetin tonë për të ndërtuar raporte të mira fqinjësore me Serbinë. Shtetet tona kanë nevojë urgjente për të bashkëpunuar në shumë sfera të interesit të përbashkët.
Është për të ardhur keq që Beogradi vazhdon të inkurajojë serbët që jetojnë në Kosovë për të refuzuar çdo formë bashkëpunimi me institucionet e Kosovës. Ka qenë Serbia ajo që ka udhëzuar serbët e Kosovës që të tërhiqen nga qeveritë lokale dhe që t’i japin fund pjesëmarrjes së tyre në shërbimin policor të Kosovës. Përmes politikave të këtilla, synohet që të arrihet ndarja institucionale e vendit tonë në vija etnike. Në fakt, këto politika vetëm minojnë dhe izolojnë serbët e Kosovës, shumë prej të cilëve kanë dëshirë që të bashkëjetojnë me fqinjët e tyre shqiptarë. Pavarësisht nga pozicionet e veçanta dhe të ndryshme që Ju, të nderuar ambasadorë mund të keni rreth pavarësisë së vendit tim, jam i sigurt që secili prej jush pajtohet me synimin tonë që qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike të punojnë së bashku në institucione demokratike.
Në fund dua të shpreh mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për punën e palodhshme që ka bërë OKB ne Kosovë. Për ndihmën që na e ofruar në sanimin e pasojave të luftës, në ndërtimin e institucioneve dhe demokracisë. Për 9 vite, OKB ka administruar me Kosovën, ndonëse gradualisht u ka transferuar institucioneve të Kosovës shumicën e kompetencave në qeverisje. Ne besojmë që OKB do të vazhdoj të luajë rol në Kosovë, edhe pas 15 qershorit, me fuqizimin e Kushtetutës së re. Sidoqoftë raportet tona me OKB do të ndërrojnë me ndryshimin e realitetit në terren. Ne si qeveri presim që të punojmë frytshëm me OKB-në, duke iu adaptuar rrethanave të reja.
Shpërbërja e Jugosllavisë ka krijuar sfida të shumta për Këshillin e Sigurimit dhe komunitetin ndërkombëtar në tërësi. Ky proces tashmë është përmbyllur me pavarësinë e vendit tim. Përderisa ne në rajonin e trazuar po përmbyllim një kapitull të dhimbshëm të historisë, unë besoj që do të punojmë së bashku në mënyrë që historia e përfshirjes dhe angazhimeve të OKB-së në Kosovë të jetë një storie e suksesshme. Së bashku mund të sigurohemi që trashëgimia e OKB-së në vendin tim të jetë ajo e paqes, sigurisë dhe demokracisë.
Last modified: 21 Prill, 2008