Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së 200-të të Qeverisë

18 Prill, 2024

Prishtinë, 18 prill 2024

Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të dashur qytetarë,

Sapo përfunduam mbledhjen e Qeverisë. Një mbledhje kjo jubilare, sepse ishte e 200-ta me radhë. Me 15 vendimet që morëm sot, numri total i vendimeve ka arritur në 1769.

Jam këtu bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla para jush. Para mbledhjes së Qeverisë ishim po ashtu bashkë në ceremoninë e diplomimit të 445 kadetëve të policisë. Policia e Kosovës po shtohet e po ripërtërihet. Djem dhe vajza, shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, egjiptianë, ashkali e romë, shtetas të Kosovës, që nga të gjitha profesionet e mundshme, kanë zgjedhur shërbimin ndaj qytetarëve, për të drejtat dhe sigurinë e tyre, mbrojtjen e tyre dhe zbatimin e ligjshmërisë kudo e tërë kohën. Po e përfitoj nga rasti që edhe një herë t’i uroj për diplomimin dhe t’i falënderoj për gatishmërinë për të shërbyer.

Me ministrin Sveçla jemi para juve edhe për shkak të ngjarjeve të djeshme – ndalimit të qindra qytetarëve tanë nga autoritete e Serbisë në pikat kufitare. Veprim ky hakmarrës dhe idhnak, saktësisht sh ‘përfytyrues i Serbisë. Unë i bëj thirrje edhe një herë qytetarëve tanë që të përcjellim me vëmendje dhe aktivisht të gjitha njoftimet nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe nga Policia e Kosovës e që ndërlidhen me kalimin ndërmjet Serbisë në vendkalimet e ndryshme kufitare. Gjithashtu, i ftoj qytetarët që në rast se kalojnë nëpërmjet Serbisë dhe bëhen subjekt i provokimeve apo keqtrajtimeve nga autoritetet e Serbisë, ta ruajnë qetësinë dhe të kontaktojnë në numrat emergjent që ka publikuar Ministria jonë e Punëve të Brendshme.

Serbia kërkon tensione, sepse nuk i konvenon normaliteti. Normaliteti nënkupton paqe, siguri e qetësi në rajon. Sa më shumë që ka paqe, siguri e qetësi në rajon, aq më e parëndësishme bëhet Serbia. Andaj, edhe vepron gjithmonë në drejtim të kundërt.

E teksa pas mbi 20 orë ndalimi e maltretimi shumica dërmuese e qytetarëve vazhduan rrugëtimin e tyre, dje pesë qytetarë të Republikës, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, u mbajtën edhe më tej. Prej tyre katër nga komuniteti serb dhe një shqiptar. Gjatë mbledhjes së Qeverisë u informuam për lirim e katër policëve, por jo edhe të zëvendësdrejtorit Jankoviq. Pra, në mesin e atyre që janë mbajtur qysh herët dhe vazhdojnë të mbahen edhe në këto momente që jemi këtu bashkë, është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, z.Dejan Jankoviq. Ai do të duhej të ishte sot në ceremoninë e diplomimit të kadetëve policorë. Ai e meritonte të ishte sot në ceremoni. Si zëvendësdrejtor për Burime Njerëzore, ai është angazhuar drejtpërdrejt në përgatitjen e kësaj gjenerate të 59-të të Policisë së Kosovës, që në mesin e saj i ka edhe 37 policë nga komuniteti serb. Qytetarë të Kosovës nga komuniteti serb që duan të jetojnë më mirë duke qenë të integruar, ne i mbështesim e i ndihmojmë. Serbë të Kosovës që duan të jetojnë e duhet të jetojnë më mirë gjithashtu duke iu shërbyer bashkëqytetarëve të tyre.

Ndalimet dje u bënë në ditën e përkujtimit te ne të krimit gjenocidal të Serbisë mbi civilët e vrarë e djegur në Paklek të Drenicës dhe gjithashtu të vrarëve e të zhdukurve në Rudnicë të Serbisë, nga Çikatova e Vjetër, gjithashtu në Drenicë.

Përgjegjëse kryesore për shumë masakra në rajonin e Drenicës dhe për fatin e shumë personave të zhdukur në këto fshatra është Brigada e 37-të e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave.

Ndonëse kemi bërë një marrëveshje më 2 maj 2023 për çështjen e të zhdukurve gjatë luftës, ende nuk po hapen arkivat, dosjet e krimeve mbi popullin tonë, të cilat mbahen të mbyllura në Beograd. Në veçanti për masakrat në Drenicë, është e domosdoshme të hapet arkiva, dosja e mbyllur e Brigadës së Motorizuar 37-të të Ushtrisë Jugosllave.

Andaj, sërish ju bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Është e drejtë e familjeve të dinë, por gjithashtu është obligim i faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin, i cili nuk arriti që ta fundosë të vërtetën nëpër varreza masive e liqene në Serbi, por vazhdon këtë ta bëjë me dosjet e mbyllura në arkivat që i posedon në Beograd.

Ritheksojmë kërkesën tonë për lirimin e menjëhershëm e të pa kusht të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, z.Dejan Jankoviq.

Tash, po i kaloj fjalën ministrit të Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçlës e pastaj do të mund t’iu përgjigjemi pyetjeve tuaja.

Faleminderit.

 

Last modified: 18 Prill, 2024

Comments are closed.

×