Prishtinë, 17 tetor 2023
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e Paqes: Demokracia kundër autokracisë, organizuar nga asociacioni Tout Pour La Republique, Universite Pantheon Sorbonne, Hyland Center for Global Studies në UBT dhe Rrjeti i Biznesit të Diasporës Shqiptare:
I nderuar z. Christopher Hyland, zëvendësdrejtor politik kombëtar i Presidentit Bill Clinton,
I nderuar Z. Oliver Vedrine, Politolog Francez,
I nderuar Z. Hazis Vardar, President i rrjetit të biznesit shqiptar në Francë,
I nderuar z. Joseph Michael Viere, President i Shoqatës Tout Pour La Republique,
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Më lejoni të filloj duke përshëndetur organizatorët, asociacionin Tout Pour La Republique, Universite Pantheon Sorbonne, Hyland Center for Global Studies në UBT dhe Rrjetin Shqiptar të Biznesit të Diasporës për organizimin e një konference si kjo, në një temë në kohë të duhur.
Është me të vërtetë kënaqësi dhe nder i madh të jem me ju të gjithë sot (ndonëse vetëm virtualisht). Jam veçanërisht mirënjohës për mundësinë për të dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur fjalës së një miku dhe eksperti të çështjeve ndërkombëtare si Christopher Hyland. Këshillat e tij, të bazuara në një përvojë të gjatë politike dhe një sens të mprehtë të gjykimit praktik, janë nga ato që ne duhet tu kushtojmë vëmendje.
Fjala e Christopher Hyland më bëri të mendoj për rëndësinë historike-botërore që merr mbrojtja e Kushtetutave liberal-demokratike në ditët tona. Në aspektin gjeopolitik, bota është në një pikë kthese. Shpërndarja e pushtetit në sistemin ndërkombëtar po ndryshon si rezultat i ngritjes së Kinës dhe rikthimit hakmarrës të Rusisë. Në sfondin e zhvillimeve të tilla, një kthim prapa shqetësues i demokracisë po ndodh në mbarë botën, duke përfshirë pjesë të botës perëndimore. Identitetet qytetare po mënjanohen pasi ato fisnore dhe etnike marrin përparësi.
Për shembull, në ditët tona mund të dëgjojmë kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban të flasë kundër “përzierjes së racave” dhe me krenari t’i quan hungarezët një “racë të pastër”, mund të mësojmë se Rusia i ka quajtur stërvitjet e saj të përbashkëta të mbrojtjes ajrore ushtarake me Serbinë “Mburoja Sllave”, dhe ne mund të shohim se si India e Narendra Modit, demokracia më e populluar në botë, po rrezikon të lëvizë drejt një lloj etnokracie hindu. Kërkesa këmbëngulëse e udhëheqjes autokratike të Serbisë për një asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të mos vlerësohet siç duhet pa këtë kontekst global, edhe pse origjina e projektit është më e thellë se kaq.
Aleksandar Vuçiq, dishepull i Vojslav Sheshel dhe ministër i informacionit (që do të thotë propagandë) i Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve të 1990-ta, kërkon të instalojë një entitet juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, në mënyrë që ta bëjë republikën tonë një shtet jofunksional. Ai nuk beson në idenë e qytetarisë liberal-demokratike. Kjo është arsyeja pse në të njëjtën kohë që ai dëshiron instalimin dhe kontrollin e një entiteti të tillë brenda Kosovës, qeveria e tij po zbaton një spastrim etnik administrativ të komunave me shumicë shqiptare në Serbinë jugore duke fshirë adresat e banimit të shqiptarëve vendas nga regjistrat komunal.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, siç thekson me të drejtë Hyland, jo vetëm që bazohet në norma universale liberal-demokratike, siç janë respektimi i dinjitetit njerëzor dhe të drejtat e barabarta të të gjithë qytetarëve para ligjit, por është edhe shumë bujare në konceptimin e së drejtës për vetëmenaxhim të pakicave etnike, veçanërisht të serbëve të Kosovës. Serbët e Kosovës gëzojnë një veto efektive mbi shumë aspekte të rëndësishme të hartimit të ligjit dhe politikave, jo vetëm në nivel të qeverisjes lokale, por edhe në nivel qendror. Neni 81 i Kushtetutës sonë, duke iu referuar asaj që e quan “legjislacion me interes vital”, përcakton se një gamë e gjerë ligjesh nuk mund të miratohen apo shfuqizohen pa pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit që mbajnë mandate të garantuara për pakicat, të cilat në total arrijnë në 20 mandate (sipas nenit 64 të Kushtetutës sonë). Këtu përfshihen ligjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e kufijve komunalë, ligjet që zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, ligjet për përdorimin e gjuhës, ligjet për zgjedhjet lokale, ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonave të veçanta të mbrojtura, ligjet për lirinë fetare, ligjet për arsimin dhe ligjet për përdorimin e simboleve. Për më tepër, asnjë nga këto ligje nuk mund të paraqitet në referendum.
Këto masa veprimi afirmativ e bëjnë asamblenë tonë kombëtare efektivisht dydhomëshe, megjithëse formalisht ajo ka vetëm një dhomë. Për më tepër, Kushtetuta jo vetëm që kërkon që Kuvendi ynë të ketë 20 ulëse të garantuara për pakicat, por parasheh që kabineti qeveritar të ketë të paktën një ministër nga komuniteti serb i Kosovës dhe një ministër nga një komunitet tjetër joshumicë të Kosovës. Kështu, përveç të qenit liberal-demokratike, Kushtetuta jonë, që rrjedh nga Plani i Ahtisaarit (i cili ka vdekur dje), ka edhe ato që politologët i quajnë tipare konsocionale – pra, marrëveshje që synojnë t’i japin minoritetit serb rolin e privilegjuar të një lojtari të vetos institucionale. Do të ishte e vështirë për dikë të përmendte një Kushtetutë tjetër të tillë në një vend me një realitet demografik siç është i yni, ku shumica dërrmuese e popullsisë (93%) i përket grupit më të madh etnik, shqiptarëve.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe (e ashtuquajtura Zajednica serbe) do të kishte qenë goditje fatale për Kushtetutën tonë. Prandaj, nuk është rastësi që Gjykata jonë Kushtetuese konstatoi se 23 nene të Statutit të saj të propozuar janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë.
Ajo që kemi këtu është një përplasje e qartë midis dy vizioneve antitetike: nga njëra anë vizionit Ahtisaarian për një demokraci liberale, multikulturore dhe konsocionale, dhe në anën tjetër vizionit etno-teokratik të qeverisë serbe që ende funksionon nën konceptin e aleancës fron-altar. Nuk mund t’i kemi të dyja mënyrat. Nëse Kushtetuta jonë lejohet të ndryshohet, siç synon ta bëjë Serbia përmes një asociacioni të komunave me shumicë serbe, ky do të ishte fundi i një Republike të pavarur dhe liberal-demokratike të Kosovës. Diçka e madhe është në mes për ne si qytetarë të Kosovës dhe patriotë demokratë dhe aderues republikanë. Por diçka e rëndësishme është në mes edhe për aleatët dhe partnerët tanë perëndimorë. Kosova është një histori suksesi e ndërhyrjes humanitare perëndimore. Si e tillë, lulëzimi i saj si një shtet liberal-demokratik është prova më e madhe që mund të ketë për luftën e drejtë të NATO-s kundër Serbisë së Millosheviqit.
Në përplasjen globale midis demokracisë dhe autokracisë që po dëshmojmë tani, betejat e vogla në periferi mund të duken se nuk kanë shumë rëndësi. Sidoqoftë, kjo është një përshtypje që nuk vërtetohet nga dëshmitë historike. Historia mëson, përkundrazi, se dështimi për të mbajtur një qëndrim parimor kundër autokratëve në një teatër të vogël të politikës botërore (siç mund të jenë të prirur ta shohin disa Ballkanin Perëndimor) mund të përshpejtojë lehtësisht kriza globale shumë më të mëdha. Historia moderne e Ballkanit e ka ilustruar këtë në shumë raste, ku më dramatike është shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Unë besoj se ne demokratët duhet të bëjmë shumë më tepër për tu koordinuar përtej kufijve ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i ofrojmë njëri-tjetrit solidaritetin shumë të nevojshëm, ndërkohë që përballemi me kthimin e ekstremit të djathtë autoritar, qoftë në vendet tona apo në ato fqinje. Përderisa sigurisht se ka rëndësi që ne kemi një nivel të lartë moral, kjo është e pamjaftueshme. Ajo që na duhet është ta kthejmë këtë nivel kaq të lartë moral në nivel politik. Dhe kjo kërkon përpjekje të organizuara.
Siç ka thënë shkrimtari amerikan Kurt Vonnegut, “Nuk ka asnjë arsye pse e mira nuk mund të triumfojë aq shpesh sa e keqja. Triumfi i çdo gjëje është çështje organizimi.”
Ju faleminderit shumë.
Merci beaucoup.
Last modified: 18 Tetor, 2023