Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Hashim Thaçi, mbajtur në Akademinë Përkujtimore, me rastin e shënimit të 15 vjetorit të rënies së heronjve të kombit, komandantit Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edomond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu

31 Janar, 2012

Prishtinë, 31 janar 2012

Të nderuara familje Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha
E nderuara Presidente Jahjaga
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës,z. Krasniqi,
I nderuari simbol i rezistencës kombëtare, z. Adem Demaçi
Zëvendëskryeministra,
Ministra,
Të nderuar deputetë,
Bashkëluftëtarë të Zahiri, Hakifit, Edmondit,
Zonja dhe zotërinj,

 
Jemi tubuar sot, në një datë historike, që e kujtojmë me krenari dhe respekt të veçantë çdo 31 janar.
 
Jemi tubuar sot në këtë nderim shtetëror, të rikthejmë në kujtesën tonë, rënien heroike të tre bijve të shtrenjtë të Kosovës, rënien e komandantit Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
 
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, ata ranë në krye të detyrës si komandantë, luftëtarë,  ushtarë dhe eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Zahiri, Hakifi dhe Edmondi po hapnin kapitullin e rënieve të lavdishme në emër të lirisë dhe çlirimit të Kosovës.
 
Ishin tre bij të përkushtuar përfundimisht për rrugën e çlirimit të Kosovës  me rezistencë politiko-ushtarake, duke bërë sakrificën supreme – flijimin për liri.
 
Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin veprimtarë, organizatorë dhe guerilë të edukuar në kuadër  të rezistencës së njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po forcoheshin dhe profesionalizoheshin çdo ditë e më shumë.
 
Secili prej tyre kishte kaluar nëpër shkollën e lëvizjes patriotike që prej vitit 1981, ata vetë dhe familjet e tyre, duke marrë pjesë në demonstratat dhe protestat ku kërkohej ngritja e statusit të Kosovës në rang të Republikës.
 
Më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha bien heroikisht duke u ndeshur me segmentet e aparatit represiv serb.
 
Rënia e tyre zgjoi popullin e Kosovës, zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare për lirinë e Kosovës.
 
Rënia e tyre ishte humbje e madhe për familjet e tyre, për radhët e Ushtrisë Çlirimtare, por edhe motivim më i madh për vendosmërinë e vazhdimit të rrugës së tyre drejt çlirimit të Kosovës.
 
Rënia e tyre heroike u shndërrua në forcë dhe frymëzim për bashkëluftëtarët dhe ideatorët e çlirimit të Kosovës.
 
Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të forcohej dhe në fund të vitit 1997 ishte një realitet i pranishëm kudo në Kosovë.
 
Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin komandantet dhe luftëtarët e parë pishtarë të UÇK-së.
 
Ushtria Çlirimtare e Kosovës do ta kalojë me sukses sprovën historike për të cilën ishte krijuar, duke u bërë forca kryesore bartëse e afirmimit ndërkombëtar të çështjes së Kosovës dhe çlirimit përfundimtar të Kosovës nga robëria e Serbisë.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Kanë kaluar 15 vjet nga dita e rënies së luftëtarëve të UÇK-së.
 
Sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka hyrë në 13 vjetorin e çlirimit dhe në katër vjetorin e pavarësisë.
 
Sot kur po shënojmë këtë përvjetor, në këtë vit, shënojmë edhe 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
 
Ëndrra dhe ideali i dëshmorëve të lirisë u bë realitet.
 
Kosova ka shënuar ecjen përpara, duke kaluar me sukses fazën e tranzicionit.
 
Kosova ka kaluar shumë sfida të pasluftës, duke dëshmuar me vendosmëri dhe energji pozitive unitet politik dhe shtetëror në ndërtimin e institucioneve vendore, thellimin e demokracisë, pluralizmin politik dhe zhvillimin e shoqërisë civile.
 
Kosova po hap çdo ditë e më shumë perspektivën e saj euroatlantike. Kosova në të ardhmen e afërt do të integrohet edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian.
 
Kjo perspektivë nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e dëshmorëve të lirisë, pa përkushtimin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës për liri dhe çlirim, pa përkushtimin tonë të përgjithshëm në shtetndërtim.
 
Pikërisht 15 vjetori i rënies së tre dëshmorëve të lirisë, është vit i përmbylljes së Pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, vit që tregon më së miri shkallën e pjekurisë së institucioneve dhe shoqërisë sonë.
 
Pjekurinë e institucioneve dhe të shtetit tonë, që me dinjitet, krenari dhe vizion të qartë do ta zërë vendin e merituar në gjirin e kombeve të qytetëruara.
 
Lavdi jetës dhe veprës së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha!
 
Lavdi dëshmorëve të lirisë! 

Last modified: 31 Janar, 2012

Comments are closed.