Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Albin Kurti në raportimin në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi

3 Nëntor, 2023


Prishtinë, 3 nëntor 2023

I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar kolegë nga Qeveria e Kosovës,
Të dashur qytetarë,

Çdoherë pas takimeve të nivelit të lartë në dialog në Bruksel, me kërkesën e këtij Kuvendi, unë kam raportuar para deputetëve dhe qytetarëve për rezultatet e tij.

Dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është një proces i cili ka nisur në mars të vitit 2011.

Një dekadë e dialogut solli shumë dokumente të titulluara si “marrëveshje” e “konkluzione” por ajo që do të veçohej ishte ajo Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 për “Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe”, të cilën, mes kundërshtimeve të mëdha nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, dhe jo vetëm e pat kaluar ky Kuvend me dy të tretat duke e kthyer në detyrim ligjor e obligim ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Me 25 gusht të vitit 2015, marrëveshjes së vitit 2013 i shtohet ajo për parimet përgjithshme/elementet kryesore apo siç njihet ndryshe, për kompetencat e Asociacionit, të cilës Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i gjeti shkelje në 23 nene.

Të gjitha marrëveshjet tjera që janë arritur, e që janë gjithsej 38 sosh, janë bërë nën supozimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë e për integrimin e veriut të Kosovës. Dy marrëveshje, ajo e vitit 2013 si dhe ajo e vitit 2015 për Asociacionin / Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe por asnjë marrëveshje për njohjen e Kosovës.

Nuk ndodhi asnjë njohje e dokumenteve e shtrirja e sovranitetit ndërkohë që integrimi i veriut ishte fasadë. Atje, përveç se mbaheshin referendume e zgjedhje të Serbisë e shpërfilleshin ligjet e Republikës së Kosovës, lulëzonte edhe krimi e korrupsioni. Në vend të sundimit të ligjit sundonte Radoiçiqi si udhëheqës i bandave kriminale e terroriste. Dhe kjo ishte pasojë e dialogut. Pra as marrëveshje për njohje dhe as integrim i veriut.

Nga marsi i vitit 2021 kur kemi marrë qeverinë kemi thënë që na duhet një qasje e re në dialog. Një qasje parimore si palë të barabarta ku në qendër është njohja reciproke. Sfida kryesore ishte trashëgimia dhjetë vjeçare në dialog e cila, siç edhe thashë nuk kishte sjellë integrim të veriut dhe as marrëveshje për njohje. Fokusi primar i qeverisë ishte aty ku ishte edhe kërkesa e qytetarëve e shprehur në zgjedhjet historike. Punë dhe zhvillim, drejtësi dhe mirëqenie.

Dialogu është zhvilluar krahas angazhimit të qeverisë për punë dhe drejtësi si dhe për sundim të ligjit në mbarë territorin e Kosovës. Për neve, suksesi demokratik dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës, i kontribuon edhe integrimit të veriut. Kriminelët e të gjitha etnive e prejardhjeve i lufton sundimi i ligjit të drejtë.

Sigurisht që sundimi i ligjit na ka sjellë shpesh në përballje me grupe kriminale në veri të cilat siç u pa edhe me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, janë sponzorizuar e dirigjuar nga Serbia. Por, sundimi i ligjit ka vazhduar e do të vazhdojë pavarësisht zhvillimit të dialogut. Ky është dallim i madh që nuk e kishim në ato dhjetë vite dialog. Përgjigja sigurisht qëndron edhe te fakti që kriminelët në veri të vendit ishin pjesë e koalicionit qeverisës.

Dy vite dialog në qeverinë tonë kanë sjellë një marrëveshje. Ajo është marrëveshja e Brukselit e arritur në 27 shkurt të këtij viti e cila e ka edhe aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit. Marrëveshja, siç edhe është thënë tashmë hapur edhe nga deklarata e krerëve të vendeve të Bashkimit Evropian pas takimit në Bruksel që e kishim me datën 26 tetor, është marrëveshje për njohje de-fakto të Kosovës nga Serbia. Pra, kemi arritur vetëm një marrëveshje e cila sjellë njohje de-fakto të Kosovës nga Serbia dhe ky është rezultati i dy viteve dialog.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,

Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit të saj me 18 mars në Ohër, në gjashtë rreshtat e preambulës dhe pesë nenet e para i ka njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia. Por njohje reciproke. Pesë nenet tjera janë përgjithësisht përfituese për të dy palët dhe vetëm një nen, neni 7 i marrëveshjes ndërlidhet me trashëgiminë nga dialogu i dekadës së kaluar. Por, është e rëndësishme të kuptojmë që neni 7 i marrëveshjes është po ashtu rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10 për marrëveshjet e kaluara.

Qëndrimi i Qeverisë, siç edhe kam raportuar vazhdimisht në Kuvend, ka qenë dhe mbetet tek zbatimi i plotë i marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel dhe në Ohër me Aneksin Zbatues. Në këtë drejtim, më 21 tetor, kemi pritur pesë emisarët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët sollën një plan për ecjen përpara. Ky plan përfshinte edhe një propozim për një draft-statut për zbatim të nenit 7 në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes. Ne e kemi përshëndetur dhe e kemi vlerësuar qasjen e re dhe planin e ofruar për ecjen përpara.

Leximi ynë është që drafti-propozimi për zbatimin e nenit 7 në lidhje me nenin 10 është i sjellë nga pesë emisarët Euro-Amerikanë duke u shkruar me kujdes për germën e kushtetutës do të thosha, më shumë sesa për frymën e tij! Draft-propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës menjëherë pas pranimit të tij.

Më 26 tetor në margjina të Samitit të Këshillit Evropian në Bruksel zhvilluam takim me krerët e Bashkimit Evropian, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian, Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij për rajonin e Ballkanit dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak.

Në këtë takim, unë së pari dhe mbi të gjitha kam kërkuar më shumë siguri në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga Serbia erdhi agresioni ndaj Kosovës me paramilitarët të cilët e kryenin sulmin terrorist të sponsoruar nga Serbia. Kërkova po ashtu që të bëhet edhe ndëshkimi e sanksionimin e Serbisë për këtë sulm terrorist ndaj Kosovës pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje.

Pra sulmi na ka ardhur nga ana tjetër e kufirit i cili nuk është mjaftueshëm i kontrolluar e i mbrojtur, ndërkaq kërkesën për sanksione dhe për ndëshkim e kemi për hir të mospërsëritjes. Pra, ne nuk dëshirojmë që të na përsëritet kurrë më çka do e ngjashme me 24 shtatorin dhe nuk shohim se si mund ta parandalojmë përsëritjen pa sanksione e ndëshkim ndaj Serbisë.

E theksova se anëtarësimi i Kosovës në Partneritetin për Paqe si hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë në NATO është përgjigja më e mirë. Në takim potencova që grupi paramilitar terrorist i Milan Radoiçiq dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen nga Serbia në Kosovë që të përballen me drejtësinë. Sepse e para: Vepra kriminale dhe terroriste është kryer në territorin e Republikës së Kosovës; e dyta: Kosova është kampion në sundim të ligjit sipas “World Justice Project” dhe e treta: Edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i monitoruar pikërisht nga EULEX-i, misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit.

Në këtë takim unë theksova edhe progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, dhe kërkova që sa më parë të na jepet statusi i vendit kandidat për Bashkim Evropian dhe që pesë shtetet mos njohëse t’i bashkohen 22 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës.

Para krerëve të Bashkimit Evropian si dëshmitarë dhe si garantues ne ofruam të nënshkruajmë Marrëveshjen Bazë të Brukseli të 27 shkurtit, me gjithë Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit, si dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10, pra për idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim.

Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo, pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim.

Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel ishte ngjarja por edhe vendi, edhe kryeqyteti ku kjo do të duhej të ndodhte.

Serbia refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim apo zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike.

Ne mirëpresim deklaratën e përbashkët nga krerët e Bashkimit Evropian dhe shteteve të Gjermanisë, Francës dhe të Italisë të 27 tetorit për thirrjen për njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia, si dhe deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen, e cila ishte për vizitë këtë të hënë në Kosovë.

Ne duam të ecim përpara. E në këtë drejtim, siguria e Kosovës nga agresioni i Serbisë është thelbësore. Përforcimi i kufirit me Serbinë dhe forcimi i sundimit të ligjit në veri janë të domosdoshme. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është interes i dyanshëm prandaj edhe kërkohet njohje-reciproke. Njohja de-fakto reciproke që është arritur tashmë me Marrëveshjen e Brukselit, ajo duhet të zbatohet.

E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe në aleancë, miqësi e partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Kosovës, Marrëveshja Bazike në Bruksel dhe Aneksi në Ohër janë ligjërisht të obligueshme.

Komuniteti serb në Kosovë janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Ata gëzojnë të drejta të garantuara dhe të zgjeruara me Kushtetutën e Republikës sonë, gjuha serbe është gjuhë zyrtare gjithandej Kosovës në të gjitha nivelet e administratës, 17% të përfaqësuesve lokalë nëpër Kuvendet Komunale janë serb, ndërkaq 10 vende ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Parlamentin e Republikës së Kosovës të cilët po bojkotohen dhe nuk po shfrytëzohen, tregojnë gjithashtu se diskriminimi pozitiv ka qenë thelb i trajtimit të komunitetit serb nga Kushtetuta e Republikës sonë.

Pas më shumë se një dekade të insistimit në Zajednicë, Serbia tash po refuzon që të nënshkruajë një draft për vetëmenaxhim që është sjellë nga vetë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sigurisht që Kosova nuk do të duhej dhe nuk do të mbahet peng nga Serbia. Ne vërtetë e kemi fqinj Serbinë por rrugët i kemi të ndara. Serbisë nuk do t’i lejohet që ajo të bllokojë të ardhmen evropiane të Kosovës e sidomos nuk do të lejojmë që ajo ta përdorë dialogun për të bllokuar Kosovën dhe rajonin.

I nderuari Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Me aq sa mundem, unë sot në vijim do të flas rreth këtij draft-propozimi pasi që ky është obligim i imi, por njëkohësisht pa detaje pasi që ky është obligim i imi karshi emisarëve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët kanë kërkuar që ne ta respektojmë këtë kërkesë të tyre.

Besoj që në vazhdim ata duhet e do ta publikojnë për të ofruar më shumë transparencë në proces, pasi për ne drafti mund të publikohet qysh sot.

Më lejoni të sqaroj më tej për draftin:

Të pesë emisarët, në kuadër të Planit të tyre, e ofruan pra një draft-statut për të zbatuar nenin 7 në ndërlidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike. Ata e përcollën qëndrimin e shefave të shteteve e të qeverive të tyre që ky është një propozim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht që ai përbën një dokument që përfaqëson unitetin transatlantik.

Karakteri trans-atlantik i dokumentit më dha përshtypjen e një iniciative më serioze, që unë nuk e kisha takuar më parë në një frymë kaq unifikuese e me intensitet kaq të lartë. Njëjtë për nga rëndësia, më bëri përshtypje fakti që zyrtarë shumë të lartë të secilit shtet sponsorizues ishin marrë direkt me tekstin e tij.

Ma shpjeguan që hartimin e draftit e kanë bërë me kujdes të qartë dhe të plotë për Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Letrën e zonjës Federica Mogherinit, qëndrimin amerikan Chollet dhe Escobar, dhe gjithashtu, më thanë që është në përputhje me ligjin e Republikës së Kosovës për vetëqeverisje lokale dhe ligjet tjera të aplikueshme.

Nga një kënd procedural, unë nuk dua të jap tani një qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën; qëndrimin për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën do ta japë autoriteti përgjegjës i Republikës, Gjykata Kushtetuese, ashtu siç e parasheh qartë vet draft-statuti. Megjithatë, si udhëheqës i Qeverisë dhe si politikan, dua të them një këndvështrim politik për draftin me sa vijon:

1) Drafti, në vlerësimin tim politik, e ndërpret trashëgiminë mos-njohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimentuar në Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015; pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur, në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër, dëmtues, minues, për Republikën, në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial. Kjo qartazi nuk është “Zajednicë”, ashtu siç e parashihnin Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse asisoj do të ishte edhe e padiskutueshme.

2) Drafti, në vlerësimin tim politik, e bën të qartë që mekanizmi që do themelohet do ketë karakter “koordinues dhe bashkëpunues”; pra, nuk do t’i paragjykojë e as ndërhyjë në kompetencat e pushtetit publik, të komunave, të organeve qendrore, e kështu me radhë; askujt.

3) Drafti, e mbyllë hapësirën e përdorur nga Serbia që ‘serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mos-njohje të kufijve të Kosovës, e rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një lufte të re për territor a shkëmbin territorial a bashkim me këdo tjetër. Pra, drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës, dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët në Kosovë jetojnë në Serbi, apo që serbët në Kosovë mund të kenë aspirata shkëputëse, territoriale apo autonomi jashtë Republikës së Kosovës, jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

4) Drafti, për fund, e mbyll edhe qarkun e kapërcimit të tij përmes veprimit autonom të anëtarëve të tij. Drafti e bën të qartë, që çfarëdo ndryshimi i statutit bëhet vetëm pasi të jetë pajtuar Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal të Republikës dhe vetëm pasi të ketë dhënë aktgjykim lejues Gjykata e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kjo e përmbysë atë që e ndërtonin Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, përkatësisht supozimin që e krijonin ato, që pjesëmarrësit në një asociacion do të jenë të lirë të avancojnë atë në një drejtim të panjohur. Një drejtim i tillë i panjohur më nuk ekziston dhe tash drejtimi është i qartë dhe i njohur dhe ajo është Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Kapërcimet, avancimet e tejkalimet nuk lejohen dhe nuk mund të ndodhin.

Të nderuar deputetë,
I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Gjatë takimit që kam pasur me datën 26 tetor, partnerëve tanë, krerëve të Bashkimit Evropian ua kam thënë shumë qartë, që drafti që unë kam pranuar nuk do të ishte i tillë çfarë do ta shkruaja unë, me të njëjtat tri shtylla: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutshmëria, Letra e zonjës Federica Mogherini dhe në anën tjetër qëndrimi amerikan i 30 janarit sivjet nga teksti i Chollet dhe Escobar.

Pra, ajo çfarë ata kanë sjellë, nuk është ajo çfarë do të shkruaja unë dhe se përshtypja ime nga leximi i këtij drafti është që shkrimi i tij është bërë me shumë më tepër kujdes për germën e Kushtetutës se sa për frymën e Kushtetutës.

E tash, gjatë bashkëbisedimit, aty është theksuar nevoja jo vetëm e prioritetit politik të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, por njëkohësisht edhe të urgjencës gjeopolitike.

Pra, ne ishim në atë takim, e dimë të gjithë, kur nuk ishin bërë as tri javë pas fillimit të luftës Hamas-Izrael dhe pasi që agresioni rus në Ukrainë ishte e qartë se është larg përfundimit. Dhe, ata thanë se është një çështje urgjente. Në atë moment, unë kam thënë hapur, që meqenëse qenka kaq çështje urgjente, po i marrim Marrëveshjen Bazike, Aneksin e Zbatimit, pra tekstet e Brukselit edhe të Ohrit edhe këtë draft-statut, për të cilin unë paraprakisht ia kam dërguar një faqe me vërejtjet e mia kapitale emisarit Lajçak dhe, vetëm si një paketë ku janë të tria, por me këtë renditje që e thash dhe me kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat në bashkim Evropian dhe për Programin e NATO-s për Partneritetin për Paqe, po i nënshkruajmë sonte. A është urgjente? Meqë qenka urgjente, le ta nënshkruajmë sonte dhe tek ata unë kam parë vlerësimin dhe mirëkuptimin, mirëpo pas meje ata kishin një takim tjetër. Ata e kishin takimin me presidentin e Serbisë. Unë nuk kam qenë në atë takim, por i di rezultatet siç i dini edhe ju.

Presidenti i Serbisë, e para, ka refuzuar që të bëjë çfarëdo nënshkrimi dhe e dyta, ka kërkuar, që për çfarëdo dakordimi, të dërgojë një letër shtesë rezervë anësore, në të cilën ai shprehet, e kjo pranohet nga ndërmjetësit, për mospranimin e pavarësisë së Kosovës asnjëherë, për mos anëtarësimin e Kosovës në OKB asnjëherë, dhe gjithashtu për mos respektim të integritetit terrritorial të vendit tonë.

Pra, jo vetëm që ai ka ngecur po ka bërë edhe një hap prapa me kërkesën për mos respektim të ingeritetit territorial të Kosovës.

E tash të nderuar deputetë dhe i nderuari Kryetar,

Brukseli thotë që ne kemi marrëveshje me 27 shkurt dhe me 18 mars. Kjo marrëveshje nuk është nënshkruar nga pala tjetër, rrjedhimisht as nga ne, përkundër gatishmërisë dhe interesimit tim që të nënshkruhet ajo marrëveshje. Por Brukseli ka thënë qartë ne kemi marrëveshje, e kanë përfshirë në konkluzione të Këshillit Evropian dhe sipas Traktatit të Vjenës, Konventës së Vjenës për Lidhjen e Traktateve, kjo është marrëveshje.

Pra, nga pikëpamja e Brukselit është marrëveshje. Nga pikëpamja jonë është marrëveshje. Por, ne themi në mënyrë që të gjitha shkeljet e saj të parandalohen dhe të kemi garancion për zbatim le ta nënshkruajmë.

Më shumë se kaq, unë nuk mund të them për hollësitë e draft-statutit sepse kaq mund të thuhet sa i përket këndvështrimit tim politik si udhëheqës i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pesë emisarët më kërkuan garancione që draftin të mos e bëj publik për shkak që publikimi i tij do të keqpërdorej në dëm të kontributit të qeverive sponzoruese.

Mu tha që si një Kryeministër i një shteti përgjegjshëm për momentin duhet t’i qendroj besnik kërkesës së tyre. Si Kryeministër që përfaqësoj një trashëgimi politike, që insistonte në transparencë maksimale në çështjet e dialogut, një kërkesë të tillë më duhet të them e kam shqyrtuar edhe me kujdes, edhe me mëdyshje.

Të gjithë ata të cilët po flasin në emrin tim dhe shumë prej tyre jeni edhe në këtë sallë, se kinse unë e kam pranuar draft-statutin janë duke keqinformuar. Një draft të tillë unë nuk e kam pranuar, nuk e kam pranuar ende, nuk e kam pranuar. Dhe kurrëfarë pranimi nuk vjen në shprehje pa e parë ju, për shkak se nuk e kam pranuar edhe nuk po e shihni.

Ta pranosh nënkupton të pajtohesh dhe të ndërmarrësh obligimin për zbatimin e draftit, unë një përkushtim të tillë nuk e kam marrë. Ajo çfarë unë kam ofruar është që ta nënshkruaj dhe si rrjedhojë ta pranoj.

Unë kam ofruar që ta nënshkruaj dhe si rrjedhojë ta pranoj. Meqenëse nuk ka nënshkrim, nuk ka pranim. Meqenëse nuk ka pranim, nuk ka zbatim. Do të thotë, vetëm nënshkrimi nënkupton pranim e pranim nuk mund të ketë pa nënshkrim.

Shtetet serioze negociojnë e dakordohen me mirëbesim, krijojnë qartësi të plotë e zhvillojnë koncensus përmes dakordimit të teksteve në letër; e atyre iu japin pranim e efekt përmes nënshkrimit të shefave të shteteve e të qeverive.

Formë tjetër, pa tekst, pa letër e pa nënshkrim nuk njoh pos atyre që gjenden në librat e historisë së mesjetës.

Republika e Kosovës dhe Serbia janë dy shtete të pavarura, të veçanta e të ndara, vendi ynë është edhe sovran e demokratik, dhe të dyja synojnë të integrohen në BE por Serbia vetëm formalisht. Ndërkaq ne edhe formalisht edhe përmbajtësisht.

Drejt Bashkimit Evropian, nuk ka negociatë, nuk ka demokraci, pa procedurë. Nuk ka avancim pa procedurë.

Unë nuk e kuptoj Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ai ka vendosur nënshkrim me dy kryeministra të këtij shteti tonë të dashur në të njëjtin dokument, në vitin 2013 dhe 2015. Pse nuk e bën të njëjtën gjë tash me mua?

Serbia ose le të pranojë nënshkrimin ose të pranojë që nuk është e interesuar në një asociacion, e kjo e fundit duket që tash është qëndrimi më i ri i Serbisë. Serbia më 26 tetor ka treguar që nuk është e interesuar për asociacion.

Pse është kështu, nuk e di. Ndoshta për prirjet e Serbisë, motivet e saj mund të flasin më shumë ata që kanë negociuar në të kaluarën duke i besuar Serbisë, por unë jo.

Edhe njëherë po e ritheksoj para të gjithë deputetëve dhe qytetarëve të Republikës me sa vijon: unë jam edhe i gatshëm për nënshkrim edhe i interesuar. Beogradi nuk po dëshiron të nënshkruaj me mua.

Ka nënshkruar edhe me PDK-në, edhe me LDK-në. Aman me tregoni qysh ia keni bërë ju, që të mësoj edhe unë. Dilni këtu në foltore edhe më njoftoni sinqerisht e mundësisht edhe kolegialisht e vëllezërisht si ia keni bërë që me juve nënshkruake. Me mua po më ik, nuk po nënshkruan, po shpallë zgjedhje.

Në dialogun e juaj, ai ishte konstant e në Kosovë mbaheshin zgjedhjet, tash unë jam konstant e në Serbi mbaheshin zgjedhjet.

Qysh ia keni bërë që nënshkruajke me juve? Ju kallxoni qysh ja keni bërë në 2013-tën, ju kallxoni qysh ja keni bë në 2015-tën.

Më tregoni se qysh ja keni bërë, se jam i interesuar edhe unë për nënshkrim. Jam edhe i gatshëm edhe i interesuar. Kallxoni, merreni fjalën.

Falemnderit shumë!

Last modified: 17 Nëntor, 2023

Comments are closed.

×