Zyra e Kryeministrit

Do të ndalohen hyrjet në Kosovë të zyrtarëve serbë pa lejen e institucioneve të Kosovës

26 Maj, 2010

Prishtinë, 26 maj 2010

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se Serbia po vazhdon me logjikën e njëjtë të veprimeve sikur në kohën e Millosheviqit, veprime këto që nuk u ndihmojnë raporteve Kosovë-Serbi, por as pozitës së minoritetit serb në Kosovë.

“Synimet e Serbisë kanë qenë dhe mbeten deri në shkallë të spastrimit etnik, deri në shkallë të zhbërjes së shtetit të Kosovës, por këto politika nuk do të jenë të suksesshme as tash as në të ardhmen”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi

Duke folur lidhur me zgjedhjet paralele serbe në veri të vendit, zëvendëskryeministri Kuçi ka pohuar se ato nuk kanë fuqi juridike, legjitimitet demokratik dhe të zgjedhurit nuk do të jenë partnerë as të vendorëve as të ndërkombëtarëve.

Lidhur me parandalimin e hyrjeve të vazhdueshme të zyrtarëve serbë në Kosovë pa lejen e institucioneve të Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se me EULEX-in dhe ICO-së, është arritur një koordinim lidhur me këto veprime. “Tani kemi garancione të EULEX-it që hyrjet e tilla pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës do të ndalohen ”, ka thënë z. Kuçi . 

Last modified: 26 Maj, 2010

Comments are closed.