Ferizaj, 28 mars 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të 344 rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u mbajt në Komunën e Ferizajt.
Në adresimin e tij, ai e quajti të veçantë këtë ceremoni të diplomimit, sepse po ndodhë pikërisht në muajin e lavdisë sonë kombëtare, në muajin mars që nis me Epopenë e UÇK-së dhe përmbyllet me ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë.
“Diplomimi juaj sot në fund të muajit mars, vjen si një kapitull i ri pas lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së Aleancës Veri-Atlantike, vjen si vazhdim i amanetit për mbrojtje të atdheut dhe kontributit për paqe. Uniforma të cilën do ta bartni nga sot, është nder i posaçëm dhe përgjegjësi e madhe. Ajo është dëshmi e gjakut të dëshmorëve, që u flijuan dhe frymëzim për të ndërtuar të ardhmen. Prandaj, kujdesuni fort për të, ruajeni e nderojeni duke mbrojtur demokracinë dhe vlerat e saj”, tha kryeministri Kurti.
Duke ju drejtuar rekrutëve të rinj të FSK-së, ai tha se ju jeni garanca më e fuqishme që populli i Republikës sonë do të jetojë në paqe, integriteti territorial do të jetë i pacenueshëm dhe sovraniteti i paprekshëm. Në funksion të realizimit të këtij vizioni mbështetja e qeverisë do të jetë e padiskutueshme, sepse e tillë është vendosmëria jonë për të ndërtuar kapacitetet tona mbrojtëse.
Kryeministri Kurti premtoi se mbështetja e Qeverisë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katër vjeçare, duke theksuar se përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi rekrutuar 2315 ushtarë të rinj të cilëve do t’iu shtohen edhe 390 ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm, në total 2705 ushtarë, kemi investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë euro, duke blerë Dronët luftarak Bayraktar, sistemin raketor anti-tank Javelin dhe së shpejti do t’i kemi edhe helikopterët Black Hawk apo Skifterat e Zi, dhe kemi vendosur themelet e industrisë së mbrojtjes me fabrikën për prodhimin e municionit Made in Kosova. Të gjitha këto janë sipas standardeve të vendeve të NATO-s.
“Për katër vjet kemi ndarë 620 milionë euro për ushtri, në vitin 2025 i kemi shtuar edhe 208 milionë tjera, dyfish më shumë se sa që ishte paraparë në planin e tranzicionit. Kjo ka bërë që për herë të parë në mandatin tonë të arrihet 2% i bruto produktit për ushtri, i cili do të vazhdojë edhe këtë vit. Këto nuk janë vetëm shifra por garanci për sigurinë tonë kombëtare”, tha kryeministri Kurti.
Në këtë ceremoni, ai potencoi se përveç rritjes së buxhetit, blerjeve të armatimit dhe përmirësimit të infrastrukturës ushtarake, kemi shtuar bashkëpunimin me partnerët tanë strategjikë – mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithashtu me vendet e NATO-s.
“Synimi ynë është i qartë: ndërtimi dhe rritja e një ushtrie që respekton standardet më të larta të NATO-s dhe që është pjesë aktive e arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare demokratike. Kosova nuk është vetëm një shtet që kërkon mbështetje – Kosova është një partnere që kontribuon, që investon dhe që garanton sigurinë rajonale”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim të fjalës së tij, ai u tha rekrutëve të rinj që asnjëherë të mos harrojnë, që uniforma që mbani sot, është trashëgimi e sakrificës së UÇK-së, por edhe përgjegjësi ndaj së ardhmes tonë të përbashkët. Andaj, tha ai, secili prej jush përfaqëson jo vetëm veten, por tërë popullin e Kosovës.
Kurse drejtuar prindërve të rekrutëve, kryeministri u shpreh mirënjohës për edukimin që ua keni dhënë bijave e bijve tuaj.
“Nga sot atdheu ynë qëndron mbi supet e tyre, e supet e tyre nuk do të lejojnë që kurrë atdheu të përulet. Si gjithmonë, përjetësisht, si shqiponja në qiellin e lirë mbi tokën e dashur, atdheu ynë do të jetë lartë e më lartë, thellë e më thellë”, tha në përfundim të fjalës së tij.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu,
I nderuar z. Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes,
I nderuar zëvendësministër, Shemsi Syla,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës: ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,
Të dashur rekrutë dhe familjarë të rekrutëve,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Jam shumë i gëzuar që sot jam bashkë me juve këtu për të kurorëzuar suksesin tuaj të arritur përgjatë nëntë javëve të trajnimit bazik, i cili filloi në mes të dimrit dhe po përmbyllet në fillim të pranverës. Këtë e keni bërë duke treguar përkushtim e disiplinë, ndërtim të frymës ekipore, si dhe përvetësim të teknikave the taktikave ushtarake. Të gjitha këto kanë bërë që tashmë të keni formimin e plotë si ushtarë profesionistë.
Diplomimi juaj sot është shumë i veçantë për faktin se ndodhë pikërisht në muajin e lavdisë sonë kombëtare. Muaji mars nisë me Epopenë e UÇK-së dhe përmbyllet me ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë. Më 5, 6 dhe 7 mars, qëndresa heroike e familjes Jashari dhe lufta çlirimtare e udhëhequr nga Kryekomandanti Adem Jashari, shënon kthesë historike për popullin tonë në rrugëtimin drejt lirisë. U dëshmua që Kulla është më e fortë se regjimi, dashuria për atdheun është më e fuqishme se gjenocidi i Serbisë dhe se liria është më e shtrenjtë se jeta. Nënshtrimi e dorëzimi nuk ishin opsion, prandaj fitorja ishte rezultati. Kjo fitore kulmoi më 24 mars të vitit 1999, falë ndihmës së miqve tanë e të lirisë, ndërhyrjes së forcave të NATO-së dhe bombardimit të caqeve serbe, duke vulosur kësisoj çlirimin tonë në qershor të vitit 1999 pas përpjekjeve shekullore e sakrificave ndër breza.
Diplomimi juaj sot në fund të muajit mars, vjen si një kapitull i ri pas lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së Aleancës Veri-Atlantike, vjen si vazhdim i amanetit për mbrojtje të atdheut dhe kontributit për paqe. Uniforma të cilën do ta bartni nga sot, është nder i posaçëm dhe përgjegjësi e madhe. Ajo është dëshmi e gjakut të dëshmorëve, që u flijuan dhe frymëzim për të ndërtuar të ardhmen. Prandaj, kujdesuni fort për të, ruajeni e nderojeni duke mbrojtur demokracinë dhe vlerat e saj. Ju jeni garanca më e fuqishme që populli i Republikës sonë do të jetojë në paqe, integriteti territorial do të jetë i pacenueshëm dhe sovraniteti i paprekshëm. Në realizimi të këtij vizioni, mbështetja e qeverisë do të jetë e padiskutueshme, sepse e tillë është vendosmëria jonë për të ngritur e zhvilluar, kapacitetet tona mbrojtëse.
Mbështetja jonë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katër vjeçare që kemi bërë deri më tani. Përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi rekrutuar 2315 ushtarë të rinj, të cilëve do t’iu shtohen edhe 390 ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm, në total 2705 ushtarë. Kemi investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë euro, duke blerë Dronët luftarak Bayraktar, sistemin raketor anti-tank Javelin dhe së shpejti do t’i kemi edhe helikopterët Black Hawk apo Skifterat e Zi në inventarin e ushtrisë tonë të dashur. Kemi vendosur themelet e industrisë së mbrojtjes me fabrikën për prodhimin e municionit Made in Kosova, e të gjitha këto sipas standardeve të vendeve të NATO-s.
Kemi trajnuar katër herë më shumë ushtarakë dhe kemi zgjeruar infrastrukturën ushtarake me qindra hektarë në zonën e trajnimit në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës. Kemi dhënë në shfrytëzim prona të reja në komunat e Mitrovicës, Podujevës e Suharekës dhe janë investuar dhjetëra miliona euro në ndërtimin e depove ushtarake. Edhe këto janë realizuar duke ndjekur planin tonë të përbashkët e të detajuar për ta fuqizuar ushtrinë tonë. Në të gjitha këto suksese, puna dhe përkushtimi i Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë qenë në nivelet më të larta.
Për katër vite kemi ndarë 620 milionë euro për ushtri, në vitin 2025 i kemi shtuar edhe 208 milionë tjera, dyfish më shumë se sa që ishte paraparë në planin e tranzicionit. Kjo ka bërë që për herë të parë në mandatin tonë të arrihet dy përqindëshi bruto produktit vendor për ushtri, e i cila do të vazhdojë edhe këtë vit. Këto nuk janë vetëm shifra tabelash financiare, por garanci për sigurinë kombëtare.
Të nderuar pjesëmarrës,
Përveç rritjes së buxhetit, blerjeve të armatimit dhe përmirësimit të infrastrukturës ushtarake, kemi shtuar bashkëpunimin me partnerët tanë strategjikë – mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithashtu me vendet e NATO-s. Synimi ynë është i qartë: ndërtimi dhe rritja e një ushtrie që respekton standardet më të larta të NATO-s dhe që është pjesë aktive e arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare demokratike. Kosova nuk është vetëm një shtet që kërkon mbështetje – Kosova është një partnere që kontribuon, që investon dhe që garanton sigurinë rajonale.
Shumë të dashur rekrutë,
Sot nuk është thjeshtë një ditë e diplomimit tuaj, sot është dita kur ju do të bëni betimin mbi të cilin do t’i shërbeni popullit, atdheut dhe lirisë. Ju do të jeni në radhë të parë në çdo situatë krize, në ndihmë të qytetarëve tanë, në mbrojtje të kufijve, e në operacione ndërkombëtare si përfaqësues të Republikës sonë, e cila synon paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në rajon e më gjerë.
Mos harroni asnjëherë, që uniforma që mbani sot, është trashëgimi e sakrificës së UÇK-së, por edhe përgjegjësi ndaj së ardhmes tonë të përbashkët. Secili prej jush përfaqëson jo vetëm veten, por tërë popullin e Kosovës. Ju përfaqësoni amanetin e dëshmorëve, shpresat e prindërve dhe besimin e gjithë qytetarëve tanë. Kjo uniformë nuk mban vetëm simbole – ajo mban idealet e një populli që u ngrit nga plagët, fitoi lirinë dhe e gëzon shtetin e vet.
Të dashur prindër të rekrutëve,
Ju jemi mirënjohës për edukimin që ua keni dhënë bijave e bijve tuaj. Nga sot atdheu ynë qëndron mbi supet e tyre, e supet e tyre nuk do të lejojnë që kurrë atdheu të përulet. Si gjithmonë, përjetësisht, si shqiponja në qiellin e lirë mbi tokën e dashur, atdheu ynë do të jetë lartë e më lartë, thellë e më thellë.
Deri tani rekrutë, nga tani ushtarë të Republikës, urime diplomimi dhe shërbimi i ndershëm, qoftë kryefjala e sukseseve tuaja!
Rroftë Ushtria e Kosovës!
Rroftë Republika e Kosovës!
Ju faleminderit.
Last modified: 28 Mars, 2025