Zyra e Kryeministrit

Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, vizitë zyrtare në Bruksel

28 Mars, 2008

28 mars 2008
 
Një delegacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryeministri z. Hajredin Kuçi, në përbërje të të cilit janë ministrja e Drejtësisë znj. Nekibe Kelmendi, ministri i Ekonomisë dhe Financave z. Ahmet Shala, si dhe ministri i Punëve të Brendshme z. Zenun Pajaziti, me ftesë të Shefit të Misionit të EULEX-it z. Yves de  Kermabon, po zhvillojnë vizitë pune në Bruksel.
 
Pas takimit me me z. Kermabon, delegacioni i Qeverisë së Kosovës realizoi takime me kryesuesit e shtyllave përgjegjëse të Misionit të EULEX-it në fushën e gjyqësisë, policisë, dhe atë të doganave. Në këto takime u diskutuan aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë me vendosjen e Misionit të EULEX-it në Kosovë, si dhe me mandatin dhe objektivat e këtij misioni.
 
Duke folur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të siguruar një ambient ku sundon ligji, ndërsa vendosjen e Misionit të EULEX-it e konsideroi ndihmesë të madhe në këtë drejtim.
 
Zëvendëskryeministri Kuçi konfirmoi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Misionin e EULEX-it, duke ofruar bashkëpunim në frymën e partneritetit.
 
Në anën tjetër z. Yves de Kermabon theksoi se  EULEX-i dallon nga Misioni i UNMIK-ut.  Sipas tij, institucionet kosovare janë përgjegjëse për ndërtimin e një shoqërie dhe vendi, ku sundon ligji, ndërsa misioni që ai udhëheq do t’i monitorojë dhe këshillojë institucionet e Kosovës.
 
Të dyja palët u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit, me qëllim të vendosjes sa më të shpejtë të Misionit të EULEX-it dhe funksionalizimit të tij.

Last modified: 28 Mars, 2008

Comments are closed.

×