Zyra e Kryeministrit

Deklarimi për media i Kryeministrit Kurti para takimit me liderë të rajonit dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor

22 Janar, 2024

Shkup, 22 janar 2024

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Jemi këtu sot në Shkup në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, me ftesën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në këtë mbledhje ku gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e takojnë Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Nga Brukseli do të jenë zotërinjtë Koopman dhe Makovec, ndërkaq nga Uashington DC do të jetë zotëri James O’Brien. Pra, Brukseli dhe Uashingtoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë.

Vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe financiare. ​Plani i Rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që e tregojmë.

Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara ndërkaq në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikativë. Sa i përket reformave aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor.

Me këtë rast dua të falënderoj Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim fort të rëndësishëm i cili do të mundësojë që të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian që është edhe qëllimi edhe fati ynë.

Ju faleminderit!

Video: https://we.tl/t-Nrsv8Jb8BE

Last modified: 22 Janar, 2024

Comments are closed.

×