Zyra e Kryeministrit

Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit Albin Kurti pas takimit të nivelit të lartë politik të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell

14 Shtator, 2023

Bruksel, 14 shtator 2023

Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,

Ju faleminderit që na keni pritur, që t’ju drejtohemi lidhur me takimin e radhës së nivelit të lartë këtu në Bruksel, nën ndërmjetësimin, lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarit të tij special evropian, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim të nivelit të lartë, unë kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit, dhe të Aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit.

Këtë propozim, këtë sekuencë se si duhet të jenë hapat për të zbatuar Marrëveshjen Bazike, për të cilën jemi dakorduar unë do të mund t’ua shpërndajë të gjithë juve në fund të kësaj konference për media.

Pala tjetër, pra presidenti i Serbisë, nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takimi nuk ka pasur një rezultat.

Nuk ka mundur të ketë kompromis, meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër.

Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse m’u tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin.

Dhe vetëm pas përfundimit të takimit m’u dha një dyfaqësh në anglisht dhe në serbisht në çirilicë, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pra ajo marrëveshja e para 10 vjetëve, e më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj Marrëveshjes Bazë.

Mua mu desh t’ju them se nuk jemi në prillin e vitit 2013, kur në dhomë ndodheshin Baronesha Ashton, këshilltari i saj Robert Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Nuk është marrëveshja e vitit 2013.

Qartë, Neni 10 i Marrëveshjes Bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilët janë të obligueshme dhe valide, e janë 39 sosh gjithsej. Por nuk mundet nga Neni 10, nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve, të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Pra, një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar.

Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajçak, e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues edhe ndërmjetësues, por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asisoj Kosovën, Kryeministër i së cilës jam.

Pra, edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se gjashtë muaj që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë asociacioni e pastaj shohim gjithashtu e kemi tani në dorë e nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë.

Nuk mund të quhet propozim sepse kur ta lexoni përmbajtjen do ta shihni që është kushtëzim, ndërkaq ne e kemi bërë një propozim dhe është për të ardhur keq se si pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu.

Unë edhe një herë ju falënderoj të gjithëve për durimin dhe shpreh edhe një herë gatishmërinë time të plotë që secili nen nga 11 sosh të Marrëveshjes Bazike, secilën fjali nga 6 sosh të preambulës dhe secilën pikë nga 12 sosh të Aneksit të zbatimit të Ohrit, jam i gatshëm dhe i interesuar që ta zbatojmë një orë e më parë, në plotni, pa asnjë kusht.

Pyetje: Përmendët kryeministër që z. Lajçak e ka pranuar kushtëzimin e palës serbe dhe sipas juve ka cenuar rolin e lehtësuesit. A deshët të nënkuptoni që z. Lajçak në këtë rast ka marrë anë në këtë proces në të mirë të Serbisë.

Dhe pyetja tjetër ka të bëjë me a është diskutuar çështja e sanksioneve, pasi që zëvendësi juaj z. Besnik Bislimi ka përmendur disa ditë më herët që para këtij takimi veçse do të shfuqizohen këto sanksione nga ana e BE-së?

Kryeministri Kurti: Unë sot e mora vesh pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes, sepse i është vënë një pengesë kapitale qysh në fillim, e që është kushtëzimi i Serbisë. Unë këtë dokument nuk e kam pasur më herët. Nuk e kam ditur. Unë kam dëgjuar deklarata, kam besuar që janë qëndrime të njërës palë, mirëpo për mua tash është e qartë se kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të ndërmjetësit, lehtësuesit Evropian Lajçak. Për të ecur para duhet të tejkalohet kjo. Cilido studentë i Fakultetit Juridik kudo në botë kur ta lexon marrëveshjen bazike thotë kjo është njohje reciproke de facto. E keni preambulën, i keni nenet e para dhe askund nuk e gjen Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Do të duhej të shoh se cilat janë marrëveshjet e Brukselit të cilave ju referohet Neni 10, në mënyrë që të kuptoj se qenkan edhe obligime paraprake. Por, kjo marrëveshje nga krye të herës kur lexohet si tekst edhe në vijim është shumë e qartë se është njohje de facto. Tash ta anashkalosh komplet këtë esencë të kësaj marrëveshjeje dhe këtë prioritizim të gjërave aty, e ta vendosësh Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si parakusht dhe në qendër thuajse ndodhemi në fund të prillit të vitit 2013 është në kundërshtim me vetë Marrëveshjen Bazike të cilën përfundimisht e kemi pranuar dhe lansuar publikisht e zyrtarisht më 27 shkurt dhe që është bërë edhe pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian.

Pyetje: Z. Kurti a ishte i padrejtë z. Borell në konferencën për media që e bëri më herët, i padrejtë ndaj Kosovës. A pati tensione ndërmjet juve dhe z. Vuçiq në takimin që është zhvilluar sot?

Kryeministri Kurti: Unë besoj që vlerësimin më të saktë do të mund ta bëjë cilido prej juve pasi ta lexojë propozimin tonë për sekuencën e udhërrëfyesit hapat që duhet ndjekur për të zbatuar marrëveshjen dhe gjithashtu kushtëzimin që e paska dhënë Beogradi zyrtar para së paku gjashtë muajve, sepse dokumenti nuk ka datë, por në bazë të përmbajtjes për neve është e qartë se ky dokument është shkruar para se të bëhet Marrëveshja e Ohrit, përkatësisht Marrëveshja e Aneksit të zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes Bazike. Sa i përket sanksioneve të cilat po quhen masa, në mënyrë që 27-shja e Bashkimit Evropian të mos jetë e detyruar të votojë, deeskalimi ka ndodhur në Kosovë. Ne duhet të kemi kujdes që të mos ketë ri-eskalim dhe për këtë po bëjmë gjithçka që është e mundur, por edhe konfiskimi i armatimit edhe i armëve në veri, edhe arrestimi i kriminelëve, i të korruptuarve është në funksion të rendit dhe ligjit dhe kushtetutshmërisë dhe drejtësisë të cilët e ndihmojnë deeskalimin. Për neve sundimi i ligjit në njërën anë, dhe deeskalimi e siguria në anën tjetër nuk janë në kundërthënie, përkundrazi ato e ndihmojnë njëra tjetrën. Andaj, meqë ka ndodhë ky deeskalim, meqenëse Udhëzimi Administrativ për të zbatuar Nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale është nënshkruar nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, rruga është e hapur që këto masa të padrejta që po e dëmtojnë shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor, të hiqen përfundimisht.

Pyetje: Qysh mbeti puna tash z. Kryeministër pas kësaj që ndodhi dhe a e mori kush parasysh këtë planin tuaj të sekuencimit?

Kryeministri Kurti: Ata edhe si ndërmjetës e lehtësues në njërën anë, edhe pala tjetër në anën tjetër e kanë tashmë propozimin tonë dhe do të duhej ata ta japin qëndrimin për këtë. Sot nuk ka pasur asnjë propozim në tryezën e Brukselit përveç se asaj që kam sjellë unë si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Pyetje: Borell edhe Vuçiq ishin po ashtu në pajtueshmëri rreth interpretimit të mënyrës së si të shkohet në zgjedhje, që të dy thanë se propozimi kosovar është tepër i gjatë dhe nuk është një zgjidhje e duhur dhe duhet shkuar përmes mundësisë më të lehtë dhe më të shpejtë, e ajo është dorëheqja, mund ta merrni këtë parasysh?

Kryeministri Kurti: Lista serbe si një degë e partisë në pushtet në Serbi që vepron në Kosovë, me datën 5 nëntor dha dorëheqje kolektive në komunat në veri të Kosovës, dhe këtë e bënë me qëllim të keq dhe gabuan. Për gabimin e tyre nuk do të duhej të paguajnë kryetarët aktual që një mend e kanë legjitimitetin e vakët sepse dalja ka qenë e ulët mirëpo janë të vetmit që kanë legjitimitet. Unë jam i interesuar për zgjedhjet e parakohshme sa më parë, mirëpo nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje, në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke respektuar Udhëzimin Administrativ, që thotë se duhet organizuar peticioni me 20% të nënshkrimeve të trupit elektoral në komunën përkatëse në mënyrë që pastaj të organizohet votimi, drejtë përfundimit të mandatit të kryetarëve. Kjo është rruga ligjore demokratike nga poshtë, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura.

Pyetja: A mund të flisni serbisht, duke qenë se kishim një deklaratë nga presidenti Vuçiq dhe Borrell, të cilët thanë se nuk keni qenë të gatshëm për hapat siç është krijimi i asociacionit me shumicë serbe, që është obligim prej 10 vitesh dhe diku është nen kyç?

Kryeministri Kurti: Sot unë si Kryeministër i Kosovës kam qenë i vetmi që kam propozuar diçka në Bruksel. Unë propozova një udhërrëfyes sekuencial se si të implementohet marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit dhe më pas implementimi i Aneksit të Ohri i 18 marsit. Mund t’ju jap edhe juve këtë letër që propozova sot, në anglisht. As nga pala serbe dhe as nga pala e Brukselit nuk kishte asnjë letër si propozim. Ky është propozimi i tretë i Kosovës, por është propozimi im i parë si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Tani, ky është takimi i parë në nivel të Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë ku diskutojmë implementimin e marrëveshjes për këtë udhërrëfyes sekuencial. Aty kuptova se në fakt Serbia kurrë nuk ka propozuar ndonjë udhërrëfyes sekuencial si ne, por ajo ka dorëzuar vetëm një dokument që është kushtëzim, që fillimisht duhet të bëhet ky bashkim i komunave, e pastaj do të shohim për marrëveshjen.
Kjo na kthen në situatën, në prill 2013, por nuk është Katherine Ashton, Robert Cooper, Ivica Dacic dhe Hashim Thaci. Tani jemi 10 vjet më vonë, të gjitha marrëveshjet nga Brukseli, 39 prej tyre janë brenda nenit 10 të kësaj marrëveshjeje që kemi arritur. Nuk do ta mohoj që këto marrëveshje ekzistojnë dhe të gjitha ato që janë të detyrueshme dhe të vlefshme duhet të zbatohen, por ky është neni 10. Nuk mund të pranoj që bashkësia e komunave dhe krijimi i një asociacioni të jetë parakusht për ekzekutimin e marrëveshjes sonë, sepse bie ndesh me këtë marrëveshje. Gjatë takimeve tona dhe këtij sot, kam qenë gjithmonë i gatshëm të diskutoj për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por nuk është e mundur të negociohet draft statuti i asociacionit nëse fillimisht nuk biem dakord për një udhërrëfyes sekuencial. Unë kam bërë një propozim, nuk ka pasur propozim tjetër, por nuk ka qenë e mundur në thelb të kemi një kompromis për faktin se nuk ka kompromis mes kushtëzimeve dhe propozimeve. Duhet të ketë dy propozime.

Pyetja: Por kjo është një marrëveshje që ekziston për 10 vjet, nuk e di se çfarë nuk është e qartë këtu?

Kryeministri Kurti: Ajo marrëveshje tani është pjesë e një marrëveshjeje shumë më të madhe, nuk po iki nga ajo marrëveshje, por ajo marrëveshje nuk mund të vendoset në qendër, çdo student i drejtësisë që do të lexonte marrëveshjen e Brukselit do të thoshte se kjo është de facto njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. Por Serbia tani dëshiron disi ta mohojë këtë, prandaj le të flasim për atë asociacionin e komunave. Ajo është në kuadrin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, por nuk mund të jetë as parakusht në aspektin kohor dhe as në qendër në aspektin hapësinor.

Pyetja: Pra, e pranoni ta formoni asociacionin bazuar ne parimet e vitit 2013 dhe 2015, a po e thoni tani këtë?

Kryeministri Kurti: Tani thashë që në atë udhërrëfyes sekuencial duhet të negociojmë një draft statut, për komunitetin serb në Kosovë, dhe në lidhje me nenin 10 ku janë ato dy marrëveshje, por kur të vijë koha për këtë. Kjo nuk mund të jetë faza e parë e negociatave tona, nga ana tjetër, duhet të dini se marrëveshja e vitit 2013 ka tri pjesë. Pjesa e parë është asociacioni i komunave, pjesa e dytë është integrimi i serbëve në sistemin e Kosovës, që nuk është rasti sot, dhe pjesa e tretë është neni 14 që thotë se Kosova dhe Serbia nuk mund të krijojnë pengesa për njëra-tjetrën në rrugën evropiane. Por ja ku presidenti Vuçiq bëri një shkelje më 10 dhjetor të vitit të kaluar, kur dërgoi 5 letra 5 vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës brenda Komunitetit Evropian. Pra, marrëveshjen më të dashur që është zyrtarisht në Beograd, e prishën më 10 dhjetor. Në anën tjetër, kjo marrëveshje e vitit 2015 nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. E kam thënë edhe në Ohër para 6 muajsh që jam gati të shkruaj draftin e statutit, por në 3 shtylla të cilat duhet të jenë ato që e mbajnë atë krijim….Shtylla e parë do të ishte Kushtetuta dhe Kushtetueshmëria e Republikës së Kosovës, sepse po të mos ishte Kosova Republikë as unë nuk do isha kryeministër, e dyta është qëndrimi i Frederica Mogherinit, e cila tha me 24 gusht 2015, një ditë para marrëveshjes, se Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive apo të përfaqësojë shtresën e tretë të qeverisjes në Kosovë, dhe qëndrimi i qeverisë amerikane, i cili u publikua më 30 janar të këtij viti përmes një teksti të Gabriel Escobar dhe Derek Scholer. Pra shtylla amerikane, evropiane dhe e Kosovës. Nëse Beogradi zyrtar dëshiron që këto tri shtylla të jenë ato mbi bazën e të cilave ne mund të negociojmë, atëherë unë jam i gatshëm, por nuk është e mundur….

Pyetja: Këtu është paraqitur pak një draft statuti?

Kryeministri Kurti: Ai draft statut ishte edhe më i keq se Republika Srpska, dhe edhe evropianët edhe amerikanët e pranojnë këtë. Ai draft statut nuk ka më asnjë vlerë sepse aty p.sh. ka kompetenca të ndryshme për asociacionin që janë më shumë se kuvendet tona dhe qeveritë tona sepse hyjnë në domenin e institucioneve të pavarura të Kosovës, si p.sh. Komisioni i Pavarur i Minierave. Pra, ai propozim nuk është një propozim që mund të pranohet nga askush dhe prandaj as Beogradi zyrtar nuk insiston më në të.

Pyetje: Borrell, kryeministër foli edhe për rrezikun e rieskalimit të situatës në veri në rast se nuk pranohen kërkesat e Bashkimit Evropian. Çfarë do të thotë për juve ky paralajmërim?

Kryeministri Kurti: Ata që thonë që mund të ketë eskalim, duhet të tregojnë se kush do ta bëj eskalimin. Unë ja përsërita edhe sot z.Borrell, që nuk mund të flasim për erupsion të dhunës në veri, sepse në veri të Kosovës nuk ka vullkan. Erupsioni është erupsion i vullkanit. Nuk mund të ketë erupsion të dhunës, sepse dhuna nuk është dukuri a fatkeqësi natyrore. Dhuna nuk është si zjarret, stuhitë, vërshimet, apo vullkanet, apo tërmetet. Pra, kur ka dhunë dhe eskalim, duhet të gjejmë strukturat dhe emrat e mbiemrat e përveçëm që e bëjnë eskalimin. Unë nuk jam kurrë për ta fajësuar popullsinë, unë kurë nuk mendoj që dhunën e bëjnë serbët, por e bëjnë strukturat e caktuara, grupe kriminale, sidomos të lidhura ose drejtpërdrejtë ato që i kemi shpallur terroriste, siç janë “Mbrojtja civile” dhe “Brigada veriore”. Pra, nuk do të duhej asnjëherë të flasim në mënyrë anonime, inpersonale, për eskalimin dhe shfaqjen e dhunës, sepse dhunën e bëjnë subjekte të caktuara që duhet identifikuar dhe gjykuar e dënuar.

Pyetje: E fundit prej meje kryeministër. A pate dakordim në takim çfarë do të ndodhë me takimet në kuadër të dialogut pas mospajtimeve të sotme?

Kryeministri Kurti: I përket ndërmjetësve dhe lehtësuesve evropianë, që ta shohin se si duhet të jetë rruga përpara. Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, angazhohem për drejtësi, për ligj për të gjithë. Jam kryeministër edhe i serbëve në Kosovë. 4 për qind të popullsisë në Kosovë i kemi serbë, pra, nuk janë që të gjithë shqiptarë, dhe gjithashtu i kemi 3 për qind pakicat e tjera, që nuk duhet assesi t’i harrojmë, boshnjakët, turqit, ashkalinjtë, egjiptianët, romët edhe goranët. Zhvillimi ekonomik në njërën anë, vlerat evropiane dhe euroatlantike në anën tjetër, dhe sundimi i ligjit kudo për këdo, pa diskriminim e privilegje, është garanci për suksesin që nuk e lë asnjeri prapa.

Pyetja: De-eskalimi që e përmendi kolegu im, pra pyetja e parë në fakt ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, a do të japin dorëheqje kryetarët e komunave duke pasur parasysh që përfaqësuesit ndërkombëtarë thonë se kjo do të ishte mënyra më e lehtë, kjo do të ishte pyetja e parë, dhe pyetja e dytë, folët se keni filluar me de-përshkallëzimin pas takimit në Bratislavë me Miroslav Lajçak, a është de-përshkallëzimi për ju forcimi i postblloqeve në urë ku tashmë ekziston si bazë policore ku ndalohen njerëzit e kombësisë serbe?

Kryeministri Kurti: Nuk jam as kryetar i veriut të Kosovës dhe as polic atje. Kosova është shtet demokratik, republikë e pavarur ku kemi shtet ligjor. Kjo do të thotë, kur ndodh ndonjë veprim i policisë, unë e shikoj atë në media, ashtu sikurse ju. Prokurorët, oficerët e policisë janë ata që veprojnë. Nga ana tjetër, ne nuk mund t’i detyrojmë kryetarët e bashkive të largohen nga puna. Ne duam që njerëzit atje të garojnë, të ‘luftojnë’, të jenë aktivë në politikë. Lista serbe bëri një gabim të madh nga ligësia kur fillimisht u largua nga sistemi dhe nga ana tjetër bojkotoi zgjedhjet. Tani, ne nuk mund të paguajmë për gabimin e tyre dhe të vuajmë, ata që gabojnë do të jenë ata që do të vuajnë. Tani dua që njerëzit të marrin pjesë në zgjedhje, në zgjedhje të reja, prandaj ekziston mundësia që 20% e elektoratit në një komunë të nënshkruajë një peticion dhe të fillojë një proces që do të përfundojë mandatin e atyre kryetarëve të komunave atje dhe i pranoj, nuk kanë legjitimitet të plotë, legjitimiteti i tyre është mjaft i dobët, por këta të tjerët nuk kanë legjitimitet fare, pra, ata që u larguan nga institucionet, bënë thirrje për bojkot, ngritën barrikada, bënë kontrabandë të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk munden tani të na hedhin hi syve, të na thonë që këta kryetarë komunash nuk do të ishin në ato institucione. Ata që integrohen jetojnë më mirë. Për shembull, serbët në pjesën jugore të Ibrit, ata jetojnë shumë më mirë sepse janë integruar. Edhe këtu në Bruksel jetojnë më mirë shqiptarët, serbët dhe të tjerët që janë integruar, ata që nuk integrohen jetojnë keq, por këta nuk duhet tani të kërkojnë që dikush tjetër të dënohet dhe të paguajë keqdashjen dhe gabimet politike.

Pyetje: Është thënë që BE ka dalë më një propozim që gjërat të shkojnë paralelisht, që kur njëra palë bënë diçka për të marrë diçka. Nuk thatë se si jeni deklaruar ju për këtë propozim të BE-së, dhe për çfarë propozimi është fjala?

Kryeministri Kurti: Padyshim që sekuenca e planit të zbatimit nënkupton një marrëdhënie të tillë dhe në këtë që kam propozuar unë ajo duket qartë, mirëpo edhe një herë po e ritheksoj unë kam pasur durimin që gjysmë ore ta dëgjoj ekipin menagjues teksa na e lexon propozimin për një Republikë serbe plus në Kosovë dhe, ajo shkoi. Tash nuk mund të vazhdojmë me Asociacionin deri sa të zbatohet plotësisht Asociacioni e më pastaj shohim për këtë marrëveshjen që nisi si propozim franko-gjerman.

Pyetje: I tillë ka qenë propozimi Evropian, së pari Asociacioni e pastaj të shohim tjerat, apo ka qenë paralelisht?

Kryeministri Kurti: I tillë është kushtëzimi i Serbisë që është shndërruar fatkeqësisht në qëndrim të emisarit evropian.

Pyetje: Kryeministër a ndiheni të tradhtuar realisht nga BE-ja, pas kësaj…(nuk dëgjohet mirë).. A ndiheni të tradhtuar që nuk keni qenë të kyçur në temë… ?

Kryeministri Kurti: Tash unë kam dhënë betimin në Republikën e Kosovës, dhe karshi saj matem ndjehem përgjegjës e llogaridhënës. Sa i përket ndërmjetësve evropianë iu takon atyre të flasin se si bëhet që Kosova të jep tri propozime, Beogradi asnjë, dhe kur neve na thonë pastaj që ka dhënë edhe Beogradi ju duhet mbi një orë ta gjejnë një dokument mbi gjashtë muaj të vjetër. Pra, do të duhej t’i pyesni ata pse ndodhemi në këtë situatë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, ta qartësojmë edhe një herë, neve na u tha se BE ka dalë me një propozim kompromisi të cilin e ka pranuar Vuçiq, por e ka refuzuar Kurti, ju po thoni se propozimi është i Serbisë dhe pse në narrativen e juaj po e bartni përgjegjësinë vetëm tek Lajçak marrë parasysh që në dhomë kanë qenë dy zyrtarë evropianë, një edhe më i lartë se Lajçak?

Kryeministri Kurti: Së pari nuk ka propozim të Beogradit, ka dokument kushtëzues që kur ta lexoni do ta vërtetoni, nuk mund të ketë kompromis midis propozimit dhe kushtëzimit dhe e fundit e që është e para sot dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellë veç Republika e Kosovës, përmes meje as pala serbe, as Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian ka lehtësuar dhe ka ndërmjetësuar.

Pyetje: A ka dalë me një propozim Bashkimi Evropian, siç ka thënë Josep Borrell. Vetëm disa minuta para ardhjes tuaj?

Kryeministri Kurti: Shikoni, Bashkimi Evropian është aty për tu siguruar që propozimet e palëve janë përbrenda frymës dhe formës së Bashkimit Evropian, Evropës, pra ata nuk bëjnë propozime, ata kujdesen që propozimet e palëve janë të tilla që nuk tejkalojnë Kornizën Evropiane. E tash, pala serbe nuk ka sjellë propozim por e kishte dërguar një kushtëzim te Bashkimi Evropian dhe në mes kushtëzimit dhe propozimit nuk mund të ketë mesatare aritmetikore, por dokument të shkruar nga ana e tyre nuk ka pasur.

Kryeministri Kurti: Dorëheqja është një akt moral, më besoni se ka veç Zoti e di sa shumë njerëz që kërkojnë dorëheqjen e presidentit tuaj në Beograd se sa të kryetarëve të mi.

Pyetje: Vetëm një pyetje…

Kryeministri Kurti: Dorëheqja është një akt moral, është një akt moral individual dhe personal. Nuk mund të detyrosh dikë të japë dorëheqjen.

Pyetje: Por ju keni thënë se ata nuk kanë legjitimitet?

Kryeministri Kurti: Është mentalitet diktatorial, të detyrosh dikë të japë dorëheqje, kjo nuk është e mundur në Kosovë, Kosova është shtet demokratik, në Serbi ndoshta, nuk e di, kam kohë që nuk kam qenë.

Pyetje: Po prisni, a është normale për ju që Lulzim Hetemi, që nga 20 maji, sot është 14 shtator, sa muaj paska kaluar…

Kryeministri Kurti: Pyetjen, pyetjen, cila është pyetja?

Pyetje: A mendoni vërtetë që kryetari i komunës të qëndroj në godinë gjithë ata muaj?

Kryeministri Kurti: Kjo është pasojë e Listës serbe, e cila është dega e SNS-së në Kosovë, e cila me dorëheqjen e saj, një dorëheqje kolektive, donte të shpërthejë sistemin e shtetit të Kosovës, në pjesën veriore të Kosovës. Por kjo nuk ndodhi. Pra, përpjekja e tyre për të shpërthyer shtetin e Kosovës në pjesën veriore të vendit dështoi, tani ata duhet të paguajnë dhe të vuajnë për atë keqdashje dhe gabim.

Pyetja: Kryeministër, kisha një pyetje në gjuhën angleze: Siç duket dialogu nuk po përparon, ju tashmë keni shpenzuar 5 orë në ndërtesë, çfarë mund të presim si hap të rradhës? Dhe kisha edhe një pyetje tjetër: Presidenti Vuçiq tha që kishte një propozim kompromisi të cilin ju e refuzuat. Çka nënkupton kjo saktësisht? Falemnderit paraprakisht!

Kryeministri Kurti: Faleminderit shumë për këtë pyetje! Sot kam paraqitur një propozim për një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe dhe të Aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit. Në këtë udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes kam parashikuar një sërë hapash që përfshijnë të njëmbëdhjetë Nenet e Traktatit Bazë dhe 12 pikat e aneksit implementues. Kam bërë një propozim, ky është propozimi i tretë i Kosovës, por propozimi i parë i imi si Kryeministër i Kosovës. Nga ana tjetër, pala serbe nuk ka sjellë asnjë propozim, por kur unë kam kërkuar propozimin serb, lehtësuesit dhe ndërmjetësuesit evropianë kanë zbuluar se në thelb nuk ka një propozim të tillë por kanë sjellë një dokument më të vjetër se 6 muaj dhe nëse e lexoni do e vëreni menjëherë se kjo nuk paraqet një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes, por një kusht që së pari duhet të krijojmë dhe zbatojmë asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe më pas do të shohim. Mirëpo, kjo e fundit bie ndesh me Traktatin Bazë, i cili parasheh në Nenin 10 që të 39 marrëveshjet që janë nënshkruar nga paraardhësit tanë duhet të zbatohen nëse janë të vlefshme dhe detyruese. Pra, nuk mund t`i veçosh nga 39 marrëveshje dy prej tyre dhe t’i vësh përpara si parakusht, sikurse qerrja para kuajve dhe në këtë mënyrë të sabotosh zbatimin e asaj që paraprakisht kemi rënë dakord.

Pyetje: Këtë e kam kuptuar, por cilët janë hapat e radhës? Nuk mund të vazhdoni kështu edhe në vitet e ardhshme.

Kryeministri Kurti: Hapi tjetër janë negociatat për udhërrëfyesin e sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes, kështu që ajo që ekziston si tekst në letër të bëhet realitet në terren. Por për këtë ne kemi nevojë për negociata intensive, të cilat duhet të organizohen nga lehtësuesit dhe ndërmjetësit të cilët shpresoj se do të na ftojnë herët a vonë.

Pyetje: Por, sot z. Borrel ju ka akuzuar juve që po e bllokoni marrëveshjen.

Kryeministri Kurti: Epo, unë nuk dua të flas në emër të tij dhe ai nuk duhet të flasë në emrin tim. Ju inkurajoj të lexoni propozimin tim dhe këtë dokument me anë të së cilit Serbia po e kushtëzon bashkëpunimin e saj. Nga ky dokument kuptova, se tani e gjashtë muaj më parë nuk kemi mundur të vazhdojmë me zbatimin sepse Serbia e ka vënë si parakusht krijimin e asociacionit, e aq më tepër ka bllokuar trajtimin e ndonjë Neni tjetër të Marrëveshjes Bazë.

Pyetje: Kryeministër a do t’i jepni leje z.Vuçiq, tha është i interesuar të vijë në Graçanicë dhe Prishtinë shumë shpejt, a do t’i jepni leje?

Kryeministri Kurti: A e keni parë ju lejen?

Pyetje: A do t’i jepni po ju pyes. A do t’i jepni leje sepse është i interesuar të vijë? A do t’i jepni leje?

Kryeministri Kurti: A e keni parë kërkesën?

Pyetje: E bëri publike pak më herët?

Kryeministri Kurti: Kur t’na e dërgon kërkesën do ta analizojmë me seriozitetin dhe sinqeritetin më të lartë. Faleminderit shumë!

 

Last modified: 20 Shtator, 2023

Comments are closed.

×