Zyra e Kryeministrit

Deklaratë për shtyp

13 Gusht, 2008

Prishtinë, 13 gusht 2008
 
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet thellësisht e përkushtuar për luftimin e krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative për të siguruar jetën dhe sigurinë e qytetarëve të saj. Në kuadër të kësaj lufte, muaj më parë janë ndaluar tri maune të cilat kanë sjellë në Kosovë, me dokumentacion të falsifikuar, materie të rrezikshme (vaj disulfurik) e cila sipas analizave përkatëse nuk i plotëson standardet për çfarë ka qenë e destinuar.  Për më tepër, sipas informatave, materie të tilla janë futur pa problem në Kosovë në vitet e kaluara, duke e rrezikuar kështu jetën dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Ky rast vazhdon të mbetet nën hetime dhe qeveria pret që organet përkatëse të ndjekjes ta bëjnë punën e tyre dhe përgjegjësit dhe të gjithë ata që mund të jenë të përfshirë në këtë ndërmarrje të rrezikshme të ballafaqohen me drejtësinë.
 
Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që “vaji disulfurik” të shkatërrohet në mënyrë të sigurt dhe transparente. I tërë procesi i shkatërrimit të kësaj materie, tashmë ka filluar dhe do të bëhet nën masat rigoroze të sigurisë dhe të ruajtjes së ambientit jetësor. Lidhur më këtë problem, ka disa muaj që qytetarët e Mitrovicës kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre lidhur me zvarritjen e zgjidhjes së këtij problemi. Opinioni publik duhet të kuptoj, se arsyeja e vetme përse këto maune janë vendosur në parkun industrial të Trepçës dhe jo në ndonjë vend tjetër të Kosovës, është fakti se ky lokacion sipas eksperteve të kësaj fushe ka ofruar kushtet më të mira të sigurisë. Kosova ende nuk disponon me stabilimente adekuate për ruajtjen e këtyre materieve. Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës i siguron qytetarët e Mitrovicës dhe të gjithë Kosovës se në asnjë moment nuk do të bëj asnjë veprim i cili mund ta vë në rrezik jetën dhe sigurinë e tyre.
 
Për këtë qëllim, ju bëjmë thirrje qytetarëve të Mitrovicës, të cilët janë të brengosur nga ky problem, që të jenë të matur dhe të arsyeshëm në veprimet e tyre. Qytetarët e Mitrovicës dhe përfaqësuesit e këshillit të protestave janë mirëpritur që të jenë të pranishëm në çdo veprim që po bën qeveria, deri në asgjësimin e plotë të kësaj materie. Qeveria e Kosovës beson se qytetarët e Kosovës do të bashkohen dhe do të japin ndihmën e tyre për tejkalimin e këtij problemi dhe do ta përkrahin qeverinë në luftën e saj kundër krimit të organizuar.

Last modified: 13 Gusht, 2008

Comments are closed.

×