Prishtinë, 30 prill 2012
Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e OSBE-së për lehtësimin e votimit për qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet e 6 majit.
Ky vendim i OSBE-së është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane.
Ky veprim është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj dite do të hapen qendra mobile votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të shtetit të Kosovës, në mungesë aktuale të Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe anasjelltas.
Vendimi i OSBE-së reflekton qëndrimet dhe parimet e panegociueshme dhe vijat e kuqe të Republikës së Kosovës për këtë çështje.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një hap i madh për shtetin e Kosovës, sepse për herë të parë Serbia është pajtuar që të mos organizojë asnjë lloj zgjedhje në Kosovës, 13 vite pas përfundimit të luftës.
OSBE-ja po e ndërmerr një veprim të tillë me kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, që i takojnë komunitetit serb dhe kanë dyshtetësi, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Last modified: 30 Prill, 2012