Zyra e Kryeministrit

Deklaratë e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi në konferencën për shtyp

7 Qershor, 2008

Prishtinë, 7 qershor 2008
 
 
Të dashur Qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Mbrëmë është sulmuar familja ime.
 
Si çdo prind dhe bashkëshort, jam i lumtur që familja ime është shëndosh dhe e sigurt.
 
 
Menjëherë mbrëmë, dhe gjatë tërë ditës së sotme, kam marrë shumë mesazhe solidariteti prej institucioneve dhe qytetarëve të vendit, si dhe prej shumë institucioneve dhe miqëve ndërkombëtarë.
 
Shumë prej tyre kanë ardhur të më takojnë edhe personalisht.
 
Në emër Timin dhe të Familjes i falënderoj të gjithë për respektin dhe solidaritetin që treguan.
 
Dëshiroj që përmes këtij komunikimi me ju, t’ju siguroj se askush, nuk do të ketë fuqi të cenoj pavarësinë, rendin demokratik, sundimin e ligjit, lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
 
 
Prandaj, kërkoj prej të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të qetë të japin kontributin e tyre për fuqizimin e shtetit tonë të ri – ta ruajmë unitetin qytetar dhe politik.
 
Vetëm të bashkuar mund të kemi sukses.
 
Kërkoj prej të gjitha forcave politike që bashkarisht të fokusohemi në prioritetet tona shtetformuese.
 
 
Brenda pak ditësh vendi ynë do të bëhet edhe me kushtetutë.
 
 
Vlerat themelore të këtij akti më të lartë juridik janë liria, siguria dhe prona e qytetarëve.
 
Askush nuk do të mund t’i cenojë dhe kërcenojë këto vlera.
 
Askush dhe as ky sulm nuk do të mund të ndalë punën tonë që Kosova të bëhet një shtet krenar brenda Bashkësisë Europiane dhe NATO – s. 
 
Që ta bëjmë këtë realitet, na duhet punë edhe më e madhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
Kjo bartë me vete edhe rreziqe.
 
Por, Ju siguroj se do të vazhdoj këtë betejë kundër së keqës, edhe me më shumë vendosmëri, për të mirën e vendit dhe gjithë qytetarëve.
 
Unë si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për asnjë ditë, dhe për asnjë moment, nuk do të ndalem në obligimet e mija si qytetar dhe kryeministër, që çdo familje e Kosovës, çdo qytetar i saj të ndjehet i sigurt në pronën, shtëpinë dhe atdheun e vet.
 
Ju faleminderit!

Last modified: 7 Qershor, 2008

Comments are closed.

×