Zyra e Kryeministrit

Deklaratë e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e shtatë vjetorit të sulmeve terroriste ndaj SHBA-së

11 Shtator, 2008

Prishtinë, 11 shtator 2008
 
Para shtatë vjetësh forcat e errëta goditën vendin e demokracisë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke tronditur të gjitha mendjet liridashëse kudo në botë.
 
Ky sulm terrorist bëri që popujt dhe vendet demokratike të shprehin solidarizim të lartë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me kombin e madh amerikan, që nuk u dobësua nga kjo goditje.
 
Përkundrazi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpalosën vendosmërinë edhe më të madhe për ta luftuar të keqen njerëzimit në shkallë globale, duke ndëshkuar rrjetin e terrorizmit.
 
Kosova dhe qytetarët e saj janë solidarizuar me dhembjen amerikane, dhe kanë dëshmuar respektin e lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mikun më të madh të lirisë së Kosovës.
 
Në shtatë vjetorin e sulmeve terroriste mbi SHBA-të, institucionet e Kosovës edhe njëherë shprehin zotimin e tyre për përkrahje të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjerimin e demokracisë kudo në botë dhe përhapjen e vlerave të lirisë.
 
 
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës

 

Last modified: 11 Shtator, 2008

Comments are closed.

×