Prishtinë, 19.03.2008
“Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dua të shpreh mirënjohjen, respektin dhe falënderimin më të thellë, për të gjitha shtetet demokratike të botës, të cilat deri më sot e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Republika e Kosovës është njohur zyrtarisht deri tash nga tridhjetedy shtete të botës, ndërsa edhe tri shtete tjera janë në fazën e zyrtarizimit të njohjes së shtetit të Kosovës, Norvegjia, Lituania dhe Bullgaria, që gjithsej deri tani janë tridhjetepesë shtete.
Në mënyrë të veçantë dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim të thellë, në emër të Qeveris së Kosovës, të qytetarëve të Kosovës për shtetet e rajonit, Kroacinë, Hungarinë dhe Bullgarinë, të cilat sot kanë vendosur të njohin shtetin e Kosovës. Kjo është dëshmia më e mirë dhe mesazhi më pozitiv për të gjitha shtetet e tjera të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shtetet e rajonit janë të bindura se Republika e Kosovës do të jetë faktor stabiliteti në Ballkan dhe do t’i kontribuoj ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.
Në ditët në vazhdim ne presim njohjen nga shtetet tjera të cilat tashmë kanë dhënë sinjalet pozitive për njohjen e shtetit të Kosovës, si: Republika Çeke, Pakistani, Burkino Faso, Katari, Bangladeshi, etj. Nga përvojat e njohjes së shteteve, në të kaluarën, në rastin e Kosovës ky trend i njohjes është shumë pozitiv dhe është unikat. Jemi të vendosur dhe jemi duke punuar me të gjitha shtetet e botës të cilat ende mund të kenë rezerva apo hezitime, që t’i tejkalojnë ato dhe të njohin shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës. Për këtë qëllim, shumë shpejt, do të marrim hapa tjerë konkret, si fillimi i ndërtimit të kapaciteteve të plota shtetërore, formimi i Mistrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës dhe përgatitjet logjistike për hapjen e ambasadave, që është edhe prioritet i yni.
Deri sa Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të jetë plotësisht funksionale, Qeveria e Kosovës në koordinim të plotë me Presidencën e Kosovës, do të vazhdojë të punojë, argumentojë dhe lobojë për njohjen e shtetit të Kosovës gjithandej, ku të paraqitet nevoja në botë.”
Last modified: 19 Mars, 2008