Zyra e Kryeministrit

Avancimi i procesit të Integrimit Evropian do të ndikojë në reformimin e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës – theksoi kryeministri Thaçi

11 Shkurt, 2010

Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e katërt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian

Prishtinë, 11 shkurt 2010

Të nderuar Ministra;
Përfaqësues të institucioneve të tjera;
Zonja dhe Zotërinjë;

Kanë kaluar katër muaj që nga publikimi i Raportit të Progresit dhe Studimit të Fizibilitetit të Komisionit Evropian për vitin 2009, që vlerësojnë arritjet dhe sfidat kryesore që e presin Kosovën në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian (BE).

Studimi i fizibilitetit për Kosovën ka dhënë rekomandime për  avancimin konkret të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian , ka hapur rrugën e dialogut për Liberalizim të Vizave, ka hap rrugën për marrëveshje tregtare dhe e ka fuqizuar dialogun politik dhe teknik me Komisionin Europian.

Nga Janari i këtij viti veçse ka filluar Dialogu i Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe deri në Korrik priten të mbahen edhe gjashtë takime të tjera sektoriale si dhe një takim plenarë.

Aprovimi i Rekomandimeve të Komisionit Evropian nga ana e Këshillit të Bashkimit Europian është një sukses i Kosovës në procesin e integrimit dhe kjo dëshmon përkushtimin i BE përë Kosovën dhe perspektiven e saj për anëtarësim të Kosovës në BE.

Ky studim me rekomandimet e propozuara nga Komisioni Evropian i paraprinë Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.  Procesi i Integrimit Europian do të jetë një proces sa teknik po aq edhe politik gjatë të cilit ne do të lobojmë për njohje të reja nga vendet anëtare të BE-së të cilat së bashku do të japin miratimin e tyre për nënshkrimin e marrëveshjes.

Të gjitha këto aktivitete janë në vazhdën e përkushtimit tonë si Qeveri e Kosovës për ta shtyrë Agjendën Europiane përpara. Këto iniciativa duhet mbështetur me punë konkrete, pra duke i përmbushur kriteret që kërkohen, respektivisht duke i adresuar sfidat që kanë dalë nga këto dokumente.

Përmbushja e veprimeve dhe kritereve te nevojshme qe kane te bëjnë me rekomandimet e Studimit te Fizibilitetit janë detyrë e shenjtë dhe përgjegjësi morale dhe historike për çdo ministër. Puna juaj si ministra dhe udhëheqës të institucioneve të tjera është qenësore dhe mund të kontribuoj në përmirësimin e mirëqenies dhe zhvillimin të gjithëmbarshëm të Kosovës.

Pra, avancimi i procesit të integrimit përmes kontributit tuaj konkret në përmbushjen e prioriteteve do të shënojë dhe ndikojë në reformimin e shoqërisë dhe shtetit për të mirën e popullit dhe integrimit të shtetit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se procesi i Integrimit Evropian është një proces i gjatë dhe me plotë sfida, që kërkon një përkushtim dhe dedikim nga të gjithë ne, ngase ky proces përfshinë të gjitha aspektet e shoqërisë kosovare duke filluar nga strukturat komunale, strukturat qeveritare, parlamentin, gjyqësorin, mediat, shoqërinë civile, sektorin publik dhe privat në përgjithësi.

Pas publikimit të raportit të progresit, Agjencia për Koordinim e Zhvillimit dhe Integrimit Evropian ka bërë analizimin e Raportit të Progresit dhe ka  identifikuar sfidat kryesore të cilat duhet të adresohen drejt përmbushjes së kritereve dhe standardeve Europiane.

Gjithashtu, në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian të datës 6 dhe 13 nëntor 2009, jemi zotuar drejt prioritizimit të Agjendës Evropiane, ku kemi përcaktuar dhjetë prioritetet kryesore në fushën e Integrimit Evropian për vitin 2010, të cilat edhe në mënyrë direkte adresojnë sfidat e Raportit të Progresit 2009. Këto prioritete, të cilat ua kemi komunikuar para tre muajve, në masën më të madhe janë inkorporuar në planin e punës së Qeverisë dhe planet e punës së Ministrive për vitin 2010.

Të nderuar,

Për t’i adresuar dhe përmbushur këto prioritetet strategjike do të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat institucional të Republikës së Kosovës, me qëllim që të kemi një punë më efektive në koordinimin e këtij procesi.

Këshilli Ministror për Integrim Evropian është mekanizmi më i lartë për monitorimin e implementimit e sfidave dhe prioriteteve karshi agjendës Evropiane, ku çdo tre muaj do bëhet raportimi nga Ministrat në lidhje me përmbushjen e sfidave të dala nga raporti i progresit dhe sfidave të tjera në procesin e Integrimit Europian.

Po ashtu, dua të theksoj rolin qendror që Agjencia për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrimit Europian ka në koordinimin e këtij procesi. Prandaj, kërkoj ju që ta thelloni bashkëpunimin me Agjencinë, sepse vetëm një proces i koordinuar në mënyrë të mirëfilltë mund të arrij sukseset e pritura në procesin e integrimit.

Qëllimi i këtij takimi është që të dëgjoj nga ju deri ku kemi arritur me zbatimin e këtyre prioriteteve strategjike, t’i diskutojmë planet e juaja në realizimin e tyre dhe pengesat e mundshme që i keni hasur.

Gjithashtu, do të ketë monitorim të vazhdueshëm të implementimit të këtyre prioriteteve dhe në përgjithësi të Agjendës Evropiane, dhe është pikërisht ky mekanizëm dhe mekanizma të tjerë në fushën e integrimit Evropian që do ta bëjnë këtë.

Last modified: 11 Shkurt, 2010

Comments are closed.