Zyra e Kryeministrit

Adresimi i plotë i Kryeministrit Kurti në konferencën për media

23 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 23 dhjetor 2023

Ditën e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi konferencë për media, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Më poshtë, fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë,

Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve, në mjediset e kompanisë “Novi Pazar Put”. Automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë, ishin të përqendruara në këtë lokacion.

Kjo kompani, e cila është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Aleksandar Grboviq, me pseudonimin “Grba”. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet, dhe kryetar i komunës së Pozhegës në vitin 2008.

Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë-Novi Pazar me gjatësi 18 km. Gjatë vizitës, ai e kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si “njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët”. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës, për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim.

Presidenti i Serbisë, nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua, të cilët sipas tij po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm, sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi me 24 shtator.

E pas sulmit terrorist e kriminal, Millan Radoiçiq, u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb – BIA. Ambientet e firmës “Jablanovica” në Rashkë, ngjashëm me ato të “Novi Pazar Put”, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Por, realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit terrorist “Mbrojtja Civile”, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës, e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj. Deri në shtator të këtij viti, ato janë shfrytëzuar nga turistët me qira. “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe Hotel “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq, e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, e tjetra nga Kryeministrja Ana Bërnabiq.

Njëkohësisht, një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në “Pasuljanke Livade”, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi.

Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovë, kemi marrë vesh se ka ndryshuar, pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera të ndërmarra nga ne.

Ndërkaq në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, i cili gjendet afër Sijenicës në rajonin e  Sanxhakut, kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarëve të grupit terrorist “Mbrojtja Civile”, të cilët kanë qenë pjesëmarrës edhe në sulmin terrorist në Banjskë dhe vlerësohen si personat më të besueshëm të Radoiçiqit dhe të shtetit serb. Ky grup, kishte planifikuar sulme ndaj policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, në lokacione kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative. Për këtë qëllim, raportohet të ketë pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë, e cila ka stacionuar ushtarë të saj në disa pika në afërsi të kufirit me Kosovën, në lokacione ku parashiheshin këto sulme.

Pjesëtarët e grupeve terroriste që kanë ikur nga veriu, janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur Goç, një bjeshkë afër Kralevës, ku është e vendosur njëra ndër bazat më të mëdha të xhandarmërisë serbe në rajon.

Gjithashtu, ka pjesëtarë të grupeve terroriste të armatosur e të uniformuar me veshjet e njëjta që i kanë pasur gjatë sulmit në Banjskë, të cilët po qëndrojnë afër lokacionit “Banja e Novi Pazarit”, rreth 10 km në afërsi të kufirit me Kosovën, dhe po patrullojnë hapur në zonat përreth. Ata posedojnë armë, përfshirë antitank, motorë me katër rrota tërheqëse dhe mjete të tjera transportuese.

Një arsenal armësh po duket që fshihet në një hotel në Banjë të Novi Pazarit, rreth 25 km distancë nga pika kufitare në Jarinje. Kjo hapësirë besohet se është në pronësi të grupit terrorist që ka marrë pjesë në sulmin e Banjskës. Aty ka të fshehura armatim të ngjashëm që është përdorur gjatë sulmit terrorist në Banjskë.

Qeveria e Serbisë së fundmi, ka urdhëruar strukturat ilegale serbe që të bëjnë punësimin e bashkëshorteve të grupit terrorist pjesëmarrës në sulmin e Banjskës, familjet e të cilëve jetojnë në Kosovë. Kjo me qëllim që ata të mos bëjnë ndonjë zë kritik për atë çfarë u ndodhi.

Tashmë është e qartë se asnjë plan apo sulm, nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë. Ata shkaktojnë këto sulme të cilat janë të përgatitura prej tyre e të cilave ua caktojnë kohën dhe urdhërojnë marrjen e masave të sigurisë, sipas interesave e planeve të tyre e mbase edhe të Rusisë.

Planet për sulme, synojnë destabilizimin e situatës. Institucionet e Kosovës në bashkëpunim të afërt me faktorët relevant ndërkombëtar, me partnerët e aleatët tanë, po angazhohen intensivisht për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Serbia në vend që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, po i ndihmon të njëjtës që t’i shmang ato. Në vend se të sanksionohet dhe të obligohet që t’i dorëzojë terroristët, ajo po shfrytëzon të njëjtit për qëllime politike dhe kërcënime të tjera kundër Kosovës.

Natyrisht, të gjitha këto plane janë të destinuara të dështojnë. Terrorizmi është sfidë për ne, por nuk ka kurrfarë gjasash të triumfojë në një shtet demokratik siç është Republika jonë e Kosovës.

Kur dëgjohet ky rrëfim natyrisht që ngjan i zymtë, por i tillë është realiteti i fqinjit tonë verior që paraqet edhe kërcënim për neve përveçse ka ngjallur pakënaqësi më të mëdha ndonjëherë në kohërat e fundit edhe tek populli i vet.

Për fund, para se t’ia kaloj fjalën ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, dua të them të nderuar gazetarë e të dashur qytetarë, se Këshilli Prokurorial i Kosovës, Kryeprokuroria e Shtetit, tre muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ende nuk ngritën aktakuza dhe as nuk e njoftuan publikun për sulmin më të madh të orkestruar ndaj Republikës tonë, jo vetëm në vitin 2023, jo vetëm ndaj Policisë, rendit e ligjit, por edhe ndaj integritetit territorial të vendit e qytetarëve të shtetit. Ky pasivitet dhe mosinformim është i padrejtë dhe i pakuptueshëm për neve.

Ju faleminderit, e pas prezantimit që do të bëjë ministri i Punëve të Brendshme, do të mund t’iu përgjigjemi pyetjeve tuaja.

Pyetje dhe përgjigje nga Konferenca

Pyetje nga RTK: E përmendet që kompleksi Rajska Banja në Zveçan është përdorur në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Tash që është në menaxhim të shtetit të Kosovës, a keni vendosur ende për çka do të përdoret ky kompleks?

Ministri Sveçla: Banja në Banjskë është pronë e AKP-së, do të thotë e shtetit të Republikës së Kosovës, i është dhënë në menaxhim Ministrisë së Punëve të Brendshme, departamentit të inxhinieringut i cili merret me menaxhimin e objekteve shtetërore. Ne jemi duke bërë inventarizimim dhe vlerësimin e potencialit të këtij objekti. Në momentin që do të kemi vendim patjetër se do të njoftohet edhe opinioni.

Pyetje nga KTV: Z.Kurti, janë bërë disa hetime për rastin e Banjskës të 24 shtatorit ato ende nuk janë duke u publikuar, kemi pasur raportime, në fakt burime ndërkombëtare që ato nuk po publikohen në fakt për arsye që janë mbajtur zgjedhjet në Serbi dhe kanë mundur ta dëmtojnë presidentin Vuçiq dhe ne tashmë po e shohim edhe këto detajet e fundit që i dhatë. A jeni në dijeni pse nuk po publikohen këto hetime të rastit Banjska ndërsa po planifikohen edhe sulme të tjera, pra ndaj shtetit tonë. Ndërsa e kemi pasur edhe një qëndrim tuajin në fakt për draftin e statutit të Asociacionit, më herët keni thënë, në fakt a e keni ditur më herët se është një draft i brendshëm i Republikës së Kosovës? Dhe çfarë dallon plani juaj me atë të Bashkimit Evropian?

Ndërkaq për juve ministër Sveçla, e kemi parë në fakt në pjesën veriore që tashmë nuk kemi targa, janë duke u konfiskuar zmadhues, pra alarmet të cilat janë përdorur nga grupet serbe; a pritet ndoshta që të njëjtat të konfiskohen edhe në komunat e tjera? Faleminderit!

Kryeministri Kurti: Informacion të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të institucioneve të shtetit lidhur me sulmin terrorist dhe kriminal në Banjskë nuk ka që nuk i është dhënë Prokurorisë së shtetit. Sot, janë bërë 3 muaj prej se është kumtuar urdhri për sulmin terrorist, i cili e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, një ditë më pas, pra me 24 shtator. Sot janë bërë 3 muaj kur është kumtuar urdhri dhe ky informacion ndodhet tashmë edhe tek Prokuroria.

Ka pa numër fakte, dëshmi materiale të cilat janë më se të mjaftueshme që të ngriten aktakuzat për sulmin në Banjskë të Zveçanit. Në përgjithësi, viti i kaluar ishte vit i barrikadave dhe llogoreve paraushtarake.

Ky vit ishte vit i sulmeve terroriste e kriminale paraushtarake, por ka shpërputhje shumë të madhe midis informacionit, fakteve, dëshmive, argumenteve në njërën anë dhe aktakuzave e proceseve gjyqësore në anën tjetër. Për pasojë edhe të njerëzve që ndodhen prapa grilave. Është numër minor. Dhe ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i takon Prokurorisë së shtetit, andaj edhe pyetja duhet të jetë për ta. Unë jam këtu për të ndihmuar, mirëpo ata janë aty për të punuar, unë nuk mund ta ndihmoj dikë që s’punon, unë mund ta ndihmoj vetëm dikë që punon. Unë jam për të ndihmuar, ata janë atje për të punuar.

Në tekstin që e kam publikuar dje, besoj e keni vërejtur vetëm pika e pestë ka të bëjë me draftin e statutit të Asociacionit. Pika e parë është siguria, pika e dytë është sërish siguria, pika e tretë është sanksionet për Serbinë, pika e katërt thotë heqja e sanksioneve ndaj Kosovës, mandej draft statuti i Asociacionit.

Pra, politika qeveritare, shteti demokratik ka prioritete.

Në bisedimet e Brukselit, vazhdimisht është thënë që për një draft statut duhet të ketë marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, vazhdimisht është sjellur në proces të bisedimeve në tryezën e dialogut. Dhe unë kam qenë shumë konstruktiv dhe kreativ, e i përkushtuar. Bile e mbani mend se si me 2 maj, kam dëgjuar me durim ish-deputeten e SNS-së, Danijela Vujiçiq. Udhëheqëse e të ashtuquajturit, Ekip Menaxhues duke elaboruar se si duhet të duket Republika serbe në Kosovë. Gjysmë ore e kam dëgjuar në Bruksel.

Në atë kohë ka pas shumë trysni mbi Qeverinë tonë, dhe në javët e muajt në vijim, që edhe ne të propozojmë një draft. Në ndërkohë që drafti i saj nuk ishte zhvlerësuar në mënyrë të plotë politikisht dhe aspak legalisht siç do të duhej nga ndërmjetësi.

Prandaj, ne kemi konsideruar që nuk është koha për këtë gjë, a paraprakisht kur ngritej nga presidenti i Serbisë, çështja e Asociacionit dhe një gjë e tillë, një ngritje e tillë e temës konsiderohej legjitime nga ndërmjetësit, unë pata ofruar me 18 mars, pra një muaj e gjysmë para 2 majit që në tri parime kushtetutshmëria, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, letra e Mogherin-it, dhe teksti i Chollet dhe Escobar-it të paraqesin principet mbi të cilat unë e shkruaj draftin. U pat thënë që është e papranueshme për Serbinë, rrjedhimisht çështja pat ngecur.

E tash, nëse draft statuti i Asociacionit, prej ndërmjetësit thuhet që është një çështje e brendshme e Kosovës, ky është një regjistër tjetër i gjërave. Me fjalë tjera, ne paskemi humbur kohë sa herë që është ngritur Asociacioni i komunave me shumicë serbe në tryezën e dialogut në Bruksel. Por unë nuk e kam ngritur asnjëherë, tjetër kush e ka bërë atë. Kjo i bie që koha në Bruksel për draftin e statutit të Asociacionit gjatë këtyre dy viteve që flitet për të paska qenë e panevojshme si temë, rrjedhimisht e humbur si kohë. Kjo është arsyeja pse unë thashë, nëse është një çështje ekskluzivisht e Kosovës, dakord plotësisht, atëherë Kosova për çështje të brendshme jo vetëm që ka Qeveri, por ka edhe ministra përkatës që merren me këtë punë.

Dhe unë nuk kam thënë që do ta shkruaj draftin, unë kam thënë që mund ta shkruaj, dhe kam treguar se kush janë ministrat e mi, me të cilët unë konsultohem kur vjen puna te kjo temë. Pra, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi.

Ministri Sveçla: Tashmë, është fakt se targa ilegale në Republikën e Kosovës nuk ka në qarkullim. Unë shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët kanë qenë jashtëzakonisht të përgjegjshëm në përmbushjen e gjitha detyrave të tyre që ky proces të përfundoj suksesshëm. Po ashtu, ju keni parë tash edhe incizimet të largimit të alarmeve ilegale nga Mitrovica e Veriut, i njëjti proces do të ndodhë kudo brenda territorit të Republikës së Kosovës ku hasim në pajisje të cilat shërbejnë për mobilizim apo aktivizim, lidhur me aktivitete ilegale. Nuk ka kurrfarë dyshimi në këtë, në momentin që identifikohen patjetër që Policia e Kosovës dhe strukturat e tjera do të veprojnë.

Pyetje nga Telegrafi: Përshëndetje Kryeministër dhe ministër, pas gjithë asaj kronologjie që na treguat për veriun si dhe deklaratat tash që i thatë që ende ka rrezik për sulm ndaj Kosovës, si Qeveri, sa i kemi të siguruara kufijtë? Çka po bëni për parandalimin e këtij rreziku?

Kryeministri Kurti: Kufiri me Serbinë është më i gjati, 381 kilometra, është më i gjatë se sa kufiri marrë së bashku me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e zi. Përveç kësaj, është edhe terren kodrinoro -malor në një pjesë të konsiderueshme. Ajo çfarë po bëjmë ne dhe që duket se i zmbrapsur planet për sulm, është patrullimi i përbashkët me ushtarët e KFOR-it, dhe kjo tashmë po ndodhë. Policët tanë, bashkë me ushtarët e KFOR-it, patrullojnë përgjatë kufirit. Në anën tjetër, kemi një inteligjencë shumë të suksesshme të Kosovës, është e paparë puna e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, në kuptimin e dyfishtë të fjalës edhe për shkak se është e paparë sepse është çështje sekrete e inteligjencës, por edhe për shkak se këso rezultatesh janë të papara në historikun e kësaj agjencie për çfarë unë i falënderoj shumë pjesëtarët e AKI-së dhe drejtorin e saj.

Kur kësaj i shtohet bashkëpunimi që kemi me partnerët dhe aleatët tanë, ne jemi tejet të përgatitur për çfarëdo sulmesh që mund t’i mendojë dikush, që ti zmbrapsin suksesshëm. Edhe barrikadat në vitin e kaluar, dolën të ishin kot, edhe këto sulme, dëme të përkohshme, por kot. I lënduan 93 ushtarë të KFOR-it, e vranë Afrim Bunjakun, u vranë 3 serbë pjesëtarë të grupit të Milan Radoiçiç, dy prej tyre kanë qenë fëmijë në kohën e luftës në Kosovë ‘98/99. Sepse për mua është e qartë, dikush në Beograd po dëshiron që konflikti t’i bartet brezit të ardhshëm. Unë jam një politikan që dëshiroj që të mos ketë luftë më. Dhe ju brezat e rinj të mos e merrni vesh kurrë çka është lufta, le të kryhet kjo punë me Xhelalin edhe me mua, le të kryhet me brezin tonë. Le të kryhet edhe me brezin e Vuçiq-it, që përafërsisht është i të njëjtës moshë me ministrin e Brendshëm. Por mos të bartet konflikti, lufta, gjakderdhja edhe te brezi i ri.

E tash me këta tre terroristët që u vranë, ju e vëreni qartë se ka një cytje, një orkestrim, që konflikti, lufta, midis Kosovës edhe Serbisë nga e kaluara të bartet edhe tek brezi i ardhshëm, tek ata që ose ishin fëmijë, ose të mitur, ose të pa lindur në vitet ‘98/99. Dhe kjo është brengosëse për mua në një aspekt socio-historik le të themi. Sepse nëse fillojnë të vdesin të rinjtë, të cilët nuk e dinë çka ka qenë lufta ‘98/99, atëherë kjo është përgatitje për brezat e ardhshëm që të përjetojnë tragjeditë që i kemi pasur edhe ne.

Andaj, është tejet e rëndësishme që të ndërpritet kjo tash dhe të orientohemi kah normalizimi i marrëdhënieve dhe kah integrimi evropian. Ky është synimi ynë, por nuk është aspak kallaj për shkak se kemi të bëjmë me një sjellje agresive edhe armiqësore të vazhdueshme e cila siç e tregova sot, nuk lidhet vetëm me fjalimin e presidentit të Serbisë, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me 21 shtator. Pra, me 21 shtator ai fjalim ka paralajmëruar sulm, mirëpo lidhet edhe me urdhrat e dhënë në hapësirat e Novi Pazar – Put, ndërmarrjes në Sanxhak.

Pra, 21 shtator është fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme, 23 shtator para fiks tre muajve është urdhri që jepet tek kjo ndërmarrje, 24 shtator vritet Afrim Bunjaku e më pas edhe tre terrorista.

Tash, përderisa terroristët janë në liri ata krejt çfarë dinë të bëjnë është krimi dhe terrori, dhe gjasat që ata të sulmojnë janë të mëdha, sepse janë në liri. Nëse ata do të ishin të arrestuar prapë do të kishte gjasa prej ndokujt tjetër që do të frymëzohej, mirëpo nëse ata që e kanë kry sulmin janë në liri, kjo i bënë gjasat e mëdha. Dhe këta nuk janë njerëz të cilët ne nuk i njohim përpara, nuk është bërë Milan Radoiçić i famshëm me 24 shtator. Ne atë e kemi njoftë për çdo muaj të 2023-tës, e për çdo muaj të viteve të mëhershme, ka 10 vite që njihet mirë në Kosovë. Prej krimit të organizuar dëshiron që të këtë edhe kauzë politike. Prandaj, është shumë e rëndësishme që Prokuroria të veprojë, sepse veprimi i Prokurorisë nuk është vetëm mundësim i drejtësisë por edhe parandalim i krimeve në të ardhmen dhe ky është apeli im sot

Pyetje nga Top Channel: Nëse mundeni ministër ose edhe kryeministër me na e tregu një numër të saktë të të dyshuarve dhe a janë të njëjtët që i prezantuat, ose edhe a ka të tjerë që janë të dyshuar për sulmin terrorist të Banjskës, dhe cili është bashkëpunimi me institucionet e hetuesisë ndërkombëtare në këtë rast sa i përket hetimeve për ngjarjen e Banjskës, e po ashtu edhe bashkëpunimi çfarëdo qoftë nëse ka me Interpol-in, duke marrë parasysh që ka pas raportime se ka një ‘Red Notice’ për Milan Radoiçiqin. Po duam ta dimë nëse ka edhe për të dyshuarit e tjerë në këtë rast nëse veç institucionet e Kosovës kanë bashkëpunim me Interpol-in. Pyetja tjetër ka të bëjë edhe me stërvitjet që përmendët kryeministër që po mbahen në disa pika të ndryshme matanë kufirit. A po i bie që duke pasur parasysh që u përmend edhe Kraleva edhe pjesa e Rashkës, a po i bie që po zgjerohet territori i stërvitjeve të tyre, dhe duke pasur parasysh që po e përmendni një sulm të vazhdueshëm nga ana e Serbisë, a mund të presim sulme edhe në anë të tjera të Kosovës nga ana e këtyre grupeve? Edhe nëse mundem shumë shpejt për asociacionin, çka kish dallu asociacioni që doni me e shkru ju prej atij aktual të Bashkimit Evropian?

Ministri Sveçla: Po prezantimi i sotëm është vetëm një pjesë e dëshmive që Policia e Kosovës, institucionet e Kosovës i kanë. Numri i terroristëve qoftë të identifikuar, qoftë edhe atyre identifikimi i të cilëve po punohet të bëhet, është më i madh. Unë theksova që nuk bëhet fjalë vetëm për një grup i cili ka qenë aktivisht i kyçur në sulmin në Banjskë. Tashmë e dimë se ka pasur edhe një grup të dytë i cili ka qenë në pritje të hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës. Ne, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Prokuroria, po bëjnë çdo gjë që të identifikohen të gjithë, do të thotë numri është më i madh, po tashmë është publike fakti se institucionet e Republikës së Kosovës përmes kanaleve të disponueshme kanë bashkëpunim edhe me Interpol-in, dhe tashmë një pjesë e këtyre terroristëve janë në të ashtuquajturin ‘Red Notice’ të Interpol-it për sulmin terrorist në Banjskë… Nuk e di unë saktë se cili është në Red Notice, por po ju them nuk është kjo e gjitha çfarë ne dimë për këtë grup terrorist.

Kryeministri Kurti: Së pari, është evidente që nuk ka ushtrime e përgatitje veç në një vend. Së dyti, është evidente që të gjitha këto vende ku bëhen ushtrimet janë të lidhura ose me ushtrinë e Serbisë ose me xhandarmërinë serbe, pra shteti është brenda. Shteti është edhe sipër, edhe prapa, edhe brenda. Dhe së treti, për kriminelët konflikti është liri. Kur ka konflikt, kriminelët fitojnë liri. Përderisa ka paqe, kriminelët ndihen të rrezikuar, andaj ata nuk kanë interes në paqe, ata kanë interes në konflikt. Kjo është arsyeja pse ne jemi të brengosur, mirëpo kurrsesi të frikësuar, gjithsesi ngadhënjimtar. Unë nuk dua që të vdesin edhe të tjerë, unë dua që të mos ketë sulme, po nëse ka sulme ne vetëmbrohemi, ama nuk ka nevojë të ketë sulme. Pse të destabilizohet Kosova? Njerëzit po jetojnë, po punojnë, ka rritje ekonomike, rishpërndarje sociale, ka treg ku punojnë edhe shkëmbejnë shqiptarët e serbët. Pse të destabilizohet kjo, kujt po i intereson kjo gjë? Andaj edhe ne po e ngrisim alarmin që sa më parë edhe faktorët ndërkombëtarë edhe prokuroria jonë, edhe t’i bëjnë publike informacionet, edhe të vendosen masa ndëshkuese. Në tekstin që kam postuar unë, edhe njëherë po e ritheksoj, kryefjala është siguria. Pas sigurisë është sërish siguria, dorëzimi i grupit të Radoiçiqit, dhe pas kësaj janë sanksionet e Serbisë, heqja e sanksioneve të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket këtij drafti të asociacionit, unë aty e vë theksin te një hap më i rëndësishëm: nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike. Marrëveshja Bazike është shkelur për çdo javë nga Serbia në këtë vit dhe kulmi ishte letra e kryeministres Bërnabiq. Unë kam nevojë nga ana e Brukselit si ndërmjetës të krijojë siguri ligjore, politike, diplomatike të marrëveshjes së bërë dhe të procesit në tërësi, dhe nënshkrimi është kjo garanci. Nënshkrimi do t’i anulonte shkeljet e mëhershme dhe do të parandalonte shkeljet e ardhshme. Ne kemi nevojë një adresim nga ana e Brukselit për shkeljet e vazhdueshme që kulmuan me letrën e kryeministres Bërnabiq. Kot flitet për draft-statut kur e ke atë letrën e Bërnabiqit. Ajo po thotë se pranoi pavarësinë e Kosovës, s’ka ulëse në OKB dhe nuk ta respektoi të ashtuquajturën integritet territorial. A din çka do të thotë kur kryeministrja e vendit fqinj të thotë nuk ta respektoi të ashtuquajturën integritet territorial? Ky është paralajmërim i agresionit, ky është thelbi i gjësë. Natyrisht që dikush mundet me pas interes pafundësisht ne të kapemi me njëri-tjetrin për draft-statut. Nuk është këtu aktual draft-statuti, është letra e Bërnabiqit. Ajo po thotë nuk ta respektoi integritetin territorial. Për këtë Brukseli ka nevojë të marrë masë sigurie, e unë vazhdoj të besoj që masë më të mirë sigurie, përveçse edhe normale në parimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk ka sikurse nënshkrimi. Edhe prandaj kam thënë në pikën 6, që në Samitin e ardhshëm të Këshillit Evropian me 21 dhe 22 mars ne do të mund ta nënshkruanim Marrëveshjen Bazike. Ky është thelbi, normalizimi i marrëdhënieve këtë e ka si çelës. E unë kam ofruar me datën 18 mars që me tri principe ta draftoj unë statutin. Është refuzuar kjo gjë. Me 26 tetor më tha është urgjente: “Agresioni i Rusisë në Ukrainë nuk përfundoi, filloi edhe lufta në Lindjen e Mesme, aman të bëjmë diçka”. Thash po e bëjmë paketën pra. Kosova, statusin e vendit kandidat e fiton, partneritetin për paqe – këto mund t’i marrim nga ndërkombëtarët; kemi Marrëveshjen Bazike e kemi edhe Aneksin e Zbatimit; një draft-statut, unë i kam dhënë vërejtjet për të. Por nëse është urgjente sonte po e bëj. U refuzua edhe kjo, çka të bëj unë? Çka të bëj unë më shumë se kaq? U refuzua. Me 26 tetor presidenti i Serbisë ka treguar që nuk është i interesuar për asociacion. Ai e pat shancën atë natë. Nëse ai do të ishte njëmend i interesuar për asociacion, ai do të thoshte: “Shumë mirë po e nënshkruajmë sepse prioritet i imi është asociacioni”. Porsa thash unë ta bëjmë paketën dhe po merremi vesh me kancelarin Scholz, me presidentin Macron, me kryeministrin Meloni, me Charles Michel-in e Josep Borrel-in e me Miroslav Lajçak-un, ai bëri dy hapa prapa edhe tha duhet të dërgoj një letër shtesë ku them që nuk respektoi integritetin territorial të Kosovës. Pra, në momentin që i afrohesh një hap, ikë tre hapa. Qysh t’i normalizojmë marrëdhëniet? Por edhe njëherë po e theksoj, siguria është mbi të gjitha tash. Ka shumë kriminel rrotull kufirit të Kosovës dhe neve duhet të mbrojmë integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, sigurinë kombëtare, jetën, të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve.

Pyetje nga Euronews: Unë kam disa pyetje nëse është e mundur. Pyetja e parë për Kryeministrin:
Kryeministër, ju kam pyetur kur u vendos ndalimi i importit të mallrave serbe në Kosovë, më thatë atëherë se këto nuk ishin masa ekonomike por masa sigurie. E kuptova se për çfarë bëhej fjalë, por pas kësaj u lejua importi i lëndëve të para, unë kaloj shpesh, shoh kamionë me grurë dhe lëndë të para të ndryshme që vijnë. Çfarë dhe si e interpretoni tani, se si tani produktet e gatshme janë një problem sigurie dhe lëndët e para jo, mendoj se duhet ta pranoni, kjo është paksa e palogjikshme.

Pyetja e dytë:

A mund të më shpjegoni, nëse ju kuptova drejt, të gjitha grupet e rrezikshme terroriste brenda Kosovës, po thoni se janë neutralizuar, nëse është e vërtetë atëherë pse është e nevojshme prezenca e Policisë së Kosovës në objektet komunale, në vet objektet , nuk e kam fjalën për komunat, as territorin e komunave por vetëm objektet, dhe nëse mundem, pyetja e tretë: është nënshkruar kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, e cila praktikisht mbahet në fshehtësi të plotë. E kuptoj që mund të më thoni që është një kontratë komerciale dhe se nuk ka lidhje me qeverinë, por nëse keni ndonjë informacion për këtë, përveç pagesave të energjisë elektrike për qytetarët e veriut, që mendoj se është e logjikshme – çfarë do të thotë konkretisht, cilat janë përgjegjësitë e KEDS-it dhe Elektroseverit, sepse më kujtohet qëndrimi i qeverisë suaj, gjegjësisht i juaji, se ishit kundër që pagesa e rrymës të bëhej përmes Elektroseverit, por të bëhej përmes KEDS-it.

Dhe për ministrin, më falni që u zgjata. A mund të na thoni a është qëllimi i gjithë kësaj që na treguat këtu tani dhe sulmet e mundshme të reja në Kosovë , dhe hapja e një lloj istikameve pas urës së Bistricës, e kemi parë atë atje, dhe rrugën nga Suvo Doli për në fshatin Banovdo nëse dini për cfarë po flas, sepse qytet… urdhëroni? Vitomiriqi-po, sepse qytetarët na thanë se u është thënë se po bëhet për nevoja të policisë dhe së treti ju lutem: ftesa për marrje në pyetje nga Policia e Kosovës për një grup të njerëzve nga veriu i Kosovës, në ato ftesa.. unë kam parë një ftesë, thotë që është për pjesëmarrje në barrikada, a po i sillni ata njerëz ndoshta, nëse nuk është sekret, dua të them sekret për shkak të hetimit, a i lidhni ata persona me sulmin në Banjskë? Faleminderit dhe më falni që u zgjata..

Kryeministri Kurti: Faleminderit shumë. Së pari zonjë, këto masa nuk janë masa tregtare, janë vetëm masa sigurie, tani me ju thënë drejt për detajet se si konkretisht zbatohet, nuk jam unë që e di më së miri, por mendoj se këta policët kufitarë nga njëra anë dhe doganierët janë ata që e dinë më së miri. Këtë vit ne kemi konfiskuar- tri herë- një sasi të madhe armësh dhe municioni. Hera e parë ishte 23 qershor, pastaj 5 shtator dhe 24 shtator. Herën e fundit, kur u vra rreshter Afrim Bunjaku, ne kemi konfiskuar armë me vlerë mbi 5 milionë euro. Pra, ajo sasi nuk mund të kalohej përnjëherë. Ata kanë sjellë armë në disa raste. Tani kur unë po publikoj atë që dimë, e publikoj atë që po e dimë dhe nuk mund të veprojmë, sepse ne nuk kemi juridiksion rreth kufijve të vendit tonë, por dikush duhet të bëjë diçka, më së shumti llogaris në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e dimë se çfarë po përgatitet dhe e themi publikisht. Dhe sa herë që marrim informacione të tilla brenda Kosovës, ne veprojmë, por shumë prej tyre ndodhin jashtë Kosovës. Mund të ketë aktivitete të ndryshme dhe zhvillime të tilla kriminale për përgatitjen e sulmeve të ardhshme edhe këto ditë, por ne ende nuk e dimë dhe është e mundur dhe më besoni se edhe policia është e shqetësuar sepse janë në shënjestër, dhe prandaj mund të keni një prezencë më të madhe të policëve, gjë që ne nuk do ta dëshironim, por për shkak të vetë policëve, jo vetëm për shkak të ndërtesave, por edhe për shkak të vetë policëve, është e nevojshme. Për shembull, të dielën në mëngjes, më 24 shtator, kur u vra Afrim Bunjaku, ata u rrethuan nga dhjetëra paramilitarë, të cilët qëlluan mbi ta, e dinin terrenin shumë më mirë se ata, ata patën fatin që nuk u vranë të 9-të. Prandaj po i shihni policët pak më të përgatitur, se duhej të prisnin një orë që të vinin njësitë speciale në Banjskë. Ka kaq shumë shqetësime mes policëve për atë ngjarje.

Tani, rryma në Kosovë është e lirë. Mendoj se duhet paguar. Ftoj të gjithë qytetarët e etnisë serbe në veri të Kosovës që të fillojnë të paguajnë energjinë elektrike. Tani është ajo kontrata komerciale mes KEDS-it dhe Elektroseverit, ju e dini shumë mirë që unë para 10 vitesh jo vetëm që kam protestuar por edhe jam arrestuar për shkak të privatizimit të distribucionit të KEK-ut, kjo është trashëgimia që kemi ne si qeveri dhe është mirë që e kanë atë marrëveshje, atë kontratë, le të fillojë nga 1 janari dhe sa më shpejt të jetë e mundur të paguhet energjia elektrike. Jemi këtu për të siguruar energjinë elektrike sa më të lirë si për amvisëritë ashtu edhe për bizneset, por edhe për të pasur furnizim të qëndrueshëm sepse tani është dimër dhe kapacitetet tona nuk janë të mjaftueshme për konsum në mbarë Kosovën, duke përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës.

Sa i përket situatës së sigurisë, më duhet të them se këtë vit kemi më shumë përvojë dhe kemi qenë me fat, por tensionet janë rritur. Vitin e kaluar në veri të Kosovës, saktësisht një vit më parë, kishim 3 javë me 16 barrikada. Ato barrikada dhe ato istikame ishin barrikada paraushtarake. Nuk kishte barrikada si studentët e Parisit në ’68, këtë vit patëm sulme paraushtarake. Mendoj se kjo nuk ka lidhje me popullatën, me njerëzit e thjeshtë. Ka të bëjë me struktura të caktuara. Unë jam optimist për rajonin tonë, për Kosovën, për marrëdhëniet me Serbinë dhe për gjithë Ballkanin, sepse më duhet të them se ndryshe nga 3 dekada më parë – sot në Kosovë, as në Serbi, as askund në Ballkan, nuk ka më asi nacionalizmi të masave që është si karburant për makinerinë e luftës së diktatorit. Nuk ka më ashtu. Nëse përpiqesh t’u shpërndash qytetarëve kallashnikovë, ata nuk do t’i marrin. 30 vjet më parë do t’i kishin marrë në Knin, Krajina, Republika Srpska, por populli nuk i do më, populli nuk do armë. Por ka kriminelë të ndryshëm që duan armë. Kriminelët nuk e duan paqen, paqja është plot ankth për kriminelët. Ata e duan konfliktin, konflikti bëhet liri dhe nuk ka lidhje me etninë apo kombësinë. Këta elementë të krimit të organizuar do të donin të kishin një lloj paketimi politik për aktivitetet e tyre kriminale dhe për këtë kanë nevojë për politikanë. Përndryshe, motivi kryesor i tyre është fitimi, pa fitim nuk funksionojnë, e kur bëjnë, janë krime. Tani jemi në një situatë ku duhet të shpenzojmë mjete dhe kohë, nerva dhe energji diku që nuk kemi dashur, do të ishte shumë më mirë të shpenzojmë gjithë këtë kohë dhe para për arsim, shëndetësi, punësim etj., por çfarë të bëjmë kur kemi grupe të tilla, ne duhet t’i luftojmë ata. Mendoj se po na humbasin kohë të çmuar mua, ty dhe të gjithëve, por në fund do të humbasin.

Ministri Svecla: Në fjalën time unë përmenda që nga viti 2021, pra, prej nga ardhja jonë në qeveri deri tash kemi 114 sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri. Poashtu kryeministri përmendi ushtrimet, përgatitjet, mobilizimin e këtyre grupeve terroriste afër Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, që tregon për një situatë të rrezikshme sidomos për institucionet që janë të obliguara të ofrojnë siguri. Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke i kryer detyrat e saj legale dhe ka dhe do ta ketë mbështetjen time të pa rezervë. Ata vendosin në mënyrë profesionale, legale se si të përgatiten në mënyrë që të ballafaqohen me të gjitha situatat e rrezikshme të cilat jo vetëm ky grup terrorist po ekstremistë ndryshëm i sjellin Kosovës. Për sa i takon rrugës që e përmendet ky është një projekt infrastrukturor i udhëhequr nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Unë besoj që çdo investim në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës është i mirëseardhur dhe duhet të mbështetet, përkrahet e përshëndetet nga të gjithë. Për këtë unë besoj se adresa e duhur për këtë pyetje është Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

Pyetje nga Kosovo Online: Zotri Kurti, kam vetëm dy pyetje. Pra: po flisni për përgatitjen e sulmeve në Kosovë, a keni prova për pretendime të tilla dhe pyetja tjetër, a do të vazhdoni me konfiskimin e objekteve në pronësi të Republikës së Serbisë në veri, si Rajska Banja, dhe cili është qëllimi dhe baza ligjore e këtyre veprimeve?

Kreyeministri Kurti: Faleminderit për pyetjen. Unë do t’ju përcjell fjalimin tim në serbisht, të përkthyer në serbisht, në mënyrë që të shihni të gjitha dëshmitë që kam paraqitur për përgatitjet e ndryshme në rrethanat në të cilat Radojiçiqi është i lirë dhe praktikon në fusha të ndryshme qoftë të ushtrisë serbe apo të xhandarmërisë, me anëtarët e tjerë paraushtarakë të organizatës së tij terroriste dhe aty keni mjaft prova. Unë e komunikova këtë sepse nuk mund të veproj atje, por shpresoj se bashkësia ndërkombëtare do t’i thotë Beogradit zyrtar, që ta arrestojë Radojiçiqin dhe të ekstradohet tek autoritetet tona të sigurisë dhe rendit.

Tani, gjëja e parë që thashë sot është se pikërisht para 3 muajsh, më 23 shtator të këtij viti, Serbia u ka dhënë urdhër në ambientet e ndërmarrjes së “Novi Pazar Put” për atë që ka ndodhur të nesërmen. Të dielën në mëngjes, kur u vra rreshteri ynë Afrim Bunjaku. Fillova me këtë. Do të merrni tre faqe tekst në serbisht ku keni këto fakte për atë që po ndodh rreth kufirit tonë. Nga njëra anë është politika e Beogradit që destabilizon rajonin, ndonjëherë edhe Bosnjën , pastaj Malin e Zi dhe pastaj Kosovën, duke kërkuar diçka diku sepse nuk janë të kënaqur me shpërbërjen e dhunshme të ish-Jugosllavisë që e shkaktuan vetë. Mendoj se thelbi i problemit është se Beogradi zyrtar tani i ka rënë pishman që u shpërbë Jugosllavia, edhe pse ata ishin shkaku kryesor i saj. Nuk mund të kthehemi në vitet ’80 ose ’90. Nuk ka makinë kohe. Duhet të shohim përpara, jo prapa, por përpara. Dhe përpara nesh është BE. Ky është mesazhi im kryesor, por më duhet të them diçka tjetër për veriun, dhe ju e dini ju më mirë se unë.

Nuk është vetëm një ideologji nacionaliste që ka nje lloj thelbi negativ në kuptimin që ka më shumë urrejtje se dashuri, më shumë urrejtje për të tjerët se sa dashuri për të vetin, por është edhe nga aspekti sociologjik. Aty në këto vite ndodhën gjëra problematike. Domethënë, një kulturë bandite, ata njerëz që bredhin rrugëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut e i rrahin të tjerët dhe të gjithë ua kanë frikën atyre. Dhe ata kënaqen kur dikush iu frikësohet. Edhe në klube të ndryshme sportive – por pa top, ju e dini kikboksin e zakonshëm. Dhe kjo kulturë ngacmuese po merr fund. Nuk ka më kulturë bandite, nuk do të ketë asnjë individ apo grup në shtetin e Kosovës më të fortë se shteti. Nëse doni të jeni një qytetar i denjë, unë do t’ju ndihmoj me çdo kusht. Nëse doni të jeni një ngacmues, nuk do të ketë kompromis. Pra, problemi nuk është vetëm aspekti shovinist i nacionalizmit si ideologji, por edhe problemi i një lloj dinamike shoqërore në pjesën veriore të Kosovës, ku banditë të ndryshëm – që disa mendojnë se janë në filmin e Scorsese-t “Fellas të mirë” dhe disa mendojnë se janë në disa filma aksion ku disa sundojnë të rinj paraushtarakë, të fortë dhe ky është ligji i ditës! Nuk do të ketë asnjë gjë të tillë. Mendoj se nga këtu vijnë të gjitha këto tentativa destabilizimi, nga njëra anë ke një ideologji nacionaliste me shumë më tepër urrejtje sesa dashuri dhe nga ana tjetër këtë aspekt sociologjik – drogë, krim, mafioz dhe banditë. Kjo duhet të marrë fund dhe mendoj se jemi afër fundit, situata është shumë më e mirë, por ata ndoshta po bëhen edhe më të rrezikshëm dhe akoma më nervozë.

Faleminderit shumë.

 

 

 

 

Last modified: 24 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×