Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për fundvit

30 Dhjetor, 2023

Video-adresimi me titra shqiphttps://we.tl/t-8LGlkAHqsd

Video-adresimi pa titrahttps://we.tl/t-8YiPZvXwqL

Teksti i plotë:

Të dashur qytetarë,

Kemi arritur në fund të një viti që, pa dyshim, ka lënë gjurmë në shtetin tonë.

Ky vit shënoi 25-vjetorin e një ndër kapitujve më të dhimbshëm në historinë tonë: krimet e kryera nga regjimi gjenocidal serb. Por, në anën tjetër, po këtë vit, festuam 15-vjetorin e pavarësisë sonë, të arritur me mund e sakrifica, si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe fuqisë së rezistencës së popullit tonë.

Pesëmbëdhjetë vjet mund të duken pak në historinë botërore, por për ne, këto vite përfaqësojnë tërësinë e ekzistencës sonë si shtet sovran. Jemi përballur me sprova të shumta, e megjithato, këtu po qëndrojmë, më të fortë se kurrë dhe të palëkundur në përkushtimin tonë drejt progresit dhe prosperitetit.

Rrugëtimi ynë ka pasur sfidat e veta. Ka momente kur duket që forca të jashtme po mundohen vazhdimisht të na destabilizojnë. Mirëpo, shteti ynë nuk është vetëm një copë toke; është rezultati i përbashkët i përpjekjeve, sakrificave dhe ëndrrave të popullit tonë. Shtetin tonë e kemi fituar me meritë dhe nuk e marrim si të mirëqenë. Pavarësisht nga forcat e jashtme, ne vazhdojmë të rritemi dhe zhvillohemi.

Dua t’ju siguroj se kjo Qeveri, Qeveria juaj, e merr seriozisht besimin tuaj. Jemi të vetëdijshëm për barrën e përgjegjësisë me të cilën jemi ngarkuar dhe jemi të vendosur që t’ju shërbejmë me devocion dhe integritet. Besimi juaj është forca lëvizëse prapa veprimeve tona dhe çdo ditë bëjmë maksimumin që të marrim vendime të cilat ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve tanë.

Kjo qeveri është garanci e moskorruptimit dhe është garanci e luftimit të korrupsionit.

Këtë vit kemi dëshmuar se çfarë do të thotë besimi juaj për ne. Lansimi i platformës SuperPuna, u dha mundësi punësimi afro 8500 të rinjve nën moshën 25 vjeç. Në fushën e drejtësisë, finalizimi i pakos së Vetingut, themelimi i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës dhe miratimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, shënojnë hapa të rëndësishëm drejt një sistemi ligjor të drejtë dhe llogaridhënës.

Iniciativat e ndërmarra në fushën e shëndetësisë, kanë sjellur inaugurimin e shërbimeve të reja, si sedacionin inhalator në stomatologji, ultrazërin endoskopik, shërbimin pa pagesë për rindërtimin e gjirit dhe diagnozën e hershme të retinopatisë në foshnja.

Ndërkohë me Ligjin e ri për Pagat, mjekët, profesorët dhe prokurorët tanë për herë të parë kanë një rrogë dinjitoze. Këtë vit kemi pasur një numër rekord të inspektorëve e të inspektimit të tregut. Ministria e Ekonomisë hapi me sukses ankandin për termocentralin diellor prej 100MW dhe kemi arritur mbulueshmërinë e plotë me internet në të gjithë territorin e Republikës. Sektori i bujqësisë ka përjetuar rritje të paprecedentë, me një buxhet që tejkalon 100 milionë euro. Ministria e Mbrojtjes ka përfituar buxhetin e saj më të lartë ndonjëherë, prej 200 milionë eurosh, pra mbi 2% të BPV ashtu siç e kërkon NATO-ja. Përveçse shtimin, kemi mundësuar edhe fuqizimin e forcave të ushtrisë sonë përfshirë këtu sigurimin e dronëve Bajraktar. Për komunitete jo-shumicë i kemi ndarë 259 grante për projekte ndërmarrëse dhe OJQ në kuadër të fondit 3 milionësh për ta. Sivjet kemi ndarë afër 1900 bursa nga gjithsej mbi 4600 gjithsej në tre vite për studente vajza dhe gra të përqendruara në fushën STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), teksa arsimin e lartë publik e kemi bërë falas që në vitin e parë të qeverisjes sonë. Në qeverinë tonë nënat lehona për herë të parë marrin shtesa për vete dhe fëmijët e tyre të porsalindur, sikurse marrin të gjithë prindërit e fëmijëve nën moshën 16 vjeçare, kurse këtë vit të gjithë fëmijët morën edhe një shtesë të njëhershme për fundvit.

Pas pilotimit të suksesshëm të arsimit dual vitin e kaluar, këtë vit e rritëm numrin e programeve në 12 profile, në gjithsej 21 shkolla gjithandej Kosovës në 14 komuna, për një lidhje sa më të fortë ndërmjet diplomës dhe vendit të punës dhe përgatitje sa më të hershme të fuqisë punëtore për kërkesat e tregut. Për herë të parë, është miratuar ligji për fondin sovran, i cili do të jetë një mjet i rëndësishëm dhe i fuqishëm për zhvillim edhe financiar edhe më të madh. E në gjashtë vitet e ardhshme, do të fillojmë projekte të paimagjinueshme më parë në vendin tonë, ndërkohë që përgatitemi për Lojërat Mesdhetare 2030.

Po e mbyllim vitin edhe me mbështetjen e aleatëve tanë, ndërkohë që përgatitemi për të ardhmen, me sa më shumë progres në vlerat themelore të demokracisë e të drejtave të njeriut, e me interesat e përbashkët me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E ky bashkërendim me partnerët tanë perëndimor, merr edhe më shumë rëndësi kur siguria e Evropës dhe rajoneve të ndryshme anekënd botës, po kërcënohet nga forca destabilizuese. Republika e Kosovës merret si shembull i shtetit të së drejtës, parimeve demokratike dhe antitezë e autokracisë dhe tiranisë.

Bashkëpunimi ynë me aleatët përfshin qasjen tonë konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me synimin për të sjellë paqe dhe siguri dhe për të hequr barrën që do ta ngadalësojë rritjen dhe prosperitetin tonë. Në këtë proces të vazhdueshëm, dhe në bisedimet shumë të gjata që kanë paraprirë e do të vazhdojnë, do të doja të siguroja qytetarët se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do të kërcënojë sigurinë e integritetin territorial, kushtetutshmërinë e rendin ligjor të vendit tonë.

Kosova jonë është në prag të një të ardhme që është më afër asaj se çka e meritojmë dhe për të cilën kemi punuar intenzivisht. Liberalizimi i vizave hyn në fuqi të hënën e 1 janarit, pra pasnesër, duke i dhënë fund një pritjeje shumëvjeçare të qytetarëve tanë.

Qeveria jonë, shërben bashkë me ju dhe për ju. Prandaj, ju ftoj që të bashkëpunoni sa më shumë me ne. Kemi kaluar periudha të vështira në ndërtimin e shtetësisë tonë dhe tash është koha që të zhvillojmë e ndërtojmë vendin që e meritojmë dhe jetësojmë vizionin tonë të përbashkët. Këtë vit, e kemi shfaqur dhe më tej potencialin tonë, për të dëshmuar se si mund të duket e përjetohet ky vend, kur punohet fort e ka vendosmëri dhe vullnet. Vetëm sa i kemi definuar format, e tash duhet të vazhdojmë bashkë angazhimin për ta plotësuar tabllon e plotë të imazhit të vendit tonë.

Puna na fisnikëron, nuk na lodhë. Fisnikeria pa punë është e lodhshme.

Ndërsa po e lëmë pas këtë vit transformues, le të ngulisim në kujtesën tonë e të reflektojmë mbi mësimet që i kemi marrë, e të arriturat që i kemi shënuar. Ju falënderoj përzemërsisht dhe uroj që viti i ardhshëm 2024 të jetë i mbushur me paqe e dashuri, prosperitet dhe unitet për të gjithë ne. Gëzuar vitin e ri nga Qeveria jonë!

 

Last modified: 30 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×