Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me ngjarjet në veri të Kosovës dhe diskutimet më të fundit se si t’i qasemi de-eskalimit të situatës

29 Qershor, 2023

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,

Dëshiroj t’ju drejtohem të gjithëve në përgjigje të ngjarjeve në veri të Kosovës dhe diskutimeve më të fundit se si t’i qasemi de-eskalimit. Në takimin tonë të fundit në Bruksel, para një jave, në përgjigje të një tryeze që propozonte hapa de-eskalimi nga z. Josep Borrell, Zëvendës President i Komisionit Evropian dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, bëra propozimin e mëposhtëm me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë presim nga Serbia në këmbim.

Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon.

Më konkretisht, hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim:

1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;

2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;

3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;

4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Ndërkohë nga Serbia presim si në vijim:

1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;

2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;

3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.

4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.

Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra.

Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj.

De-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm, keni gatishmërinë dhe vullnetin tim.

Gjithë të mirat dhe përshëndetje të përzemërta nga Prishtina. Ju faleminderit shumë.

Last modified: 29 Qershor, 2023

Comments are closed.

×