Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 191-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës

5 Mars, 2024

 

Prishtinë, 5 mars 2024

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,

Jemi në muajin mars, në marsin që shënon muajin e rezistencës dhe luftës sonë Çlirimtare të UÇK-së, 5, 6 dhe 7 marsin që shënojnë ditët e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, familjes Jashari, me udhëheqjen e Kryekomandantit Adem Jashari.

Atëherë kur Serbia goditi familjen Jashari ajo mendoi se po e shuan luftën Çlirimtare por në fakt ajo e bëri ushtri një popull të tërë. Rezistenca, sakrifica dhe rënia e familjes Jashari shënon kthesën kyçe në historinë tonë më të re të përpjekjeve tona për çlirim.

26-vjetori i Epopesë po shënohet me homazhe, nderime, seancë solemne të Kuvendit, rreshtim të FSK-së në kazermën “Adem Jashari’’, akademi përkujtimore në Prishtinë, Natën e Zjarreve në Prekaz dhe me koncertin në sheshin e Komunës së Skenderajt, ndërsa nesër ora e parë e mësimit nëpër të gjitha shkollat e Kosovës do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

Gjatë muajit mars, pra muajit në të cilin kemi hyrë pak ditë më parë, Kosova kujton edhe qindra masakra të kryera mbi popullsinë civile, mbi fëmijë e pleq, gra e burra, pa dallim, të ndërmarra në mënyrë të organizuar nga regjimi i Millosheviqit që udhëhiqte me shtetin e Serbisë të aso kohe.

Dy ditë para marsit kujtuam e bëmë homazhe para martirëve dhe dëshmorëve të masakrës së parë të Serbisë nga lufta e fundit, atë të 28 shkurtit 1998 në Likoshan e në Çirez, e tash në mars kujtojmë për të 25 vit me radhë Masakrën e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe (25,26,27 mars), Masakrën e familjes Berisha në Suharekë (24 mars), rrëmbimin e 11 burrave dhe djemve në Gjakovë (27 mars), Masakrën e Izbicës (28 mars), Masakrën e Familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë (28 mars), Masakrën e Belegut (29 mars), dhe Masakrën e Pastasellës (31 mars). Të gjitha këto në javën e fundit të marsit të vitit 1999. Përkulemi me nderim të përjetshëm para të gjithë atyre që u flijuan.

Muaji mars po ashtu shënon edhe muajin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore të Serbisë dhe kësisoj çlirimin përfundimtar të vendit tonë . Këtë vit ky përvjetor do të shënohet me seancë solemne të Kuvendit, me akademi përkujtimore dhe me koncert solemn nga Filharmonia dhe Opera e Kosovës.

Në agjendën shtetërore me 11 mars kemi Akademinë Përkujtimore në nderim të piktorit dhe dëshmorit Kadri Kadriu në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe promovimin e librit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Pjesë e agjendës gjithashtu është edhe manifestimi për nder të përvjetorit të demonstratës studentore e cila u pati bërë popullore në vitin 1981. Muaji mars është shembull mësimor i një ecje të gjatë historike të një populli që vuajti shumë, rezistoi, qëndroi, sakrifikoi dhe triumfoi për liri e demokraci, për çlirim e pavarësi. Nis me rezistencën dhe heroizmin, vazhdon me vuajtjen dhe sakrificën e popullit tonë dhe përfundon me ndihmën e aleatëve e miqve ndërkombëtar.

Një muaj i hatashëm, një muaj i lavdishëm.

Marsi është 7 marsi i Ditës së Mësuesit. Të japësh mësim është një ndër thirrjet më fisnike në jetë, sepse ke në dorë formimin e informimin e individit i cili nesër formëson e zhvillon shoqërinë dhe vendin. Mësimdhënësit tanë sot janë të vetëdijshëm për rolin tejet të rëndësishëm që kanë, dhe ne u jemi falënderues atyre. Të vetëdijshëm për këtë ishin edhe 292 mësimdhënës që u vranë gjatë luftës në Kosovë, të cilët përkundër rreziqeve e vazhduan edukimin e fëmijëve në kushte lufte. Puna jonë sot për edukimin e brezave të rinj nderon sakrificën e tyre dhe lartëson kujtimin ndaj tyre.

Marsi është edhe 8 Marsi, është Dita Ndërkombëtare e Gruas, dita e përpjekjes dhe e luftës së përbashkët për Barazi në shoqëri. Synimi ynë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Barazia gjinore është në themel të barazisë shoqërore.

Shteti ynë është ndërtuar mbi parimet e diversitetit dhe të gjithëpërfshirjes. Përparimi është përpjekje kolektive, ndërtuar mbi bazën e bashkëpunimit, ndjeshmërisë dhe solidaritetit. Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me veprime konkrete, ritheksojmë përkushtimin institucional për të shtyer përpara agjendën e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës.

Jemi bashkë në betejat e përpjekjet për ta bërë Kosovën një vend më të mirë e një shoqëri që është e drejtë për të gjithë. Historitë e sukseseve të grave dhe vajzave vazhdojnë të na frymëzojnë, për lartësi të reja në rrugën e barazisë.

E edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, muaji mars është muaji i fillimit të Ramazanit. Muajit të shenjtë të Ramazanit që besimtarët muslimanë mezi e presin, e që sjell përkrahje e bashkim me ata që janë më së shumti në nevojë. Të gjithë atyre që po numërojnë deri me 11 mars, ju qoftë agjërimi i lehtë.

Ju faleminderit.

Last modified: 5 Mars, 2024

Comments are closed.

×