Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në Kuvendin e Republikës së Kosovës në lidhje me mosratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita parlamentare

5 Tetor, 2023

Prishtinë, 5 tetor 2023

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të dashur qytetarë,

Ka disa muaj që në këtë legjislaturë kuvendi, Qeveria ka sjellë për ratifikim një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, mirëpo për shkak të mosvotimit nga opozita, ato nuk po kalojnë. Janë shtatë marrëveshje që janë në pritje të miratimit në Kuvend, dy të tjera janë në shqyrtim në Komisione, e shumë të tjera janë në proces që pritet të vijnë nga Qeveria në Kuvend.

Marrëveshja financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut në vlerë prej 40 milionë dollarësh, pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 25 nëntor të vitit 2022.

Marrëveshja për Projektin Solar4Kosovo me BERZh-in në vlerë prej 23.2 milionë euro, e që pjesë e saj janë edhe 54.1 milionë euro grante, për projektin e zgjerimit të kapacitetit të Termokosit, pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 23 mars 2023.

Marrëveshja për Projektin e KOSTT-it me KfW-në Gjermane në vlerë 25.5 milionë euro, për renovimin e nën-stacioneve të KOSTT-it nëpër zonat dhe komunat ku ka problem me tension të energjisë elektrike, pret në Kuvend për ratifikim prej datës 23 mars 2023.

Marrëveshja për burgjet me Qeverinë Daneze, që siguron të ardhura buxhetore prej 150 milionë euro, dhe një grant për investime në energji të ripërtëritshme prej 27.5 milionë euro, pra gjithsej 177.5 milionë euro, pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 9 qershor 2023.

Marrëveshja për Linjën Hekurudhore 10, Hani i Elezit-Leshak, me Bankën Evropiane Investive në vlerë 38 milionë euro, pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 14 korrik 2023.

Marrëveshja për projektin e promovimit të agroturizmit me GIZ-in, në vlerë 10 milionë euro pret në Kuvend që prej datës 11 gusht 2023.

Ka edhe marrëveshje që s’kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore, por me bursa për studentë sikurse marrëveshja me Ambasadën e Francës, e vlera e këtyre marrëveshjeve gjithsej që janë pritje tejkalon shifrën 360 milionë euro. Të gjitha këto po presin ratifikimin me votat e 2/3 e deputetëve.

Përderisa për të votuar një Qeveri apo për të votuar ligje nevojitet shumica e thjeshtë, pra 61 vota, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka paraparë që për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duhen votat e 2/3 të deputetëve, pra 80 vota së paku. Kjo është bërë si masë parandaluese që qeveritë e papërgjegjshme të mos nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme apo të hyjnë në obligime financiare që rrezikojnë qëndrueshmërinë e shtetit.

Tani, marrëveshjet që po presin ratifikimin, nuk janë as të dëmshme, e as nuk shkaktojnë obligime që rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të Kosovës. Përkundrazi, kemi të bëjmë me mbi 360 milionë euro, që ose janë kredi të buta me kushte koncesionale, ose janë grante, para falë e që nuk duhet të kthehen fare dhe do të investohen në projekte zhvillimore, që janë aq të nevojshme për vendin tonë.

Madje, që marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve, për këtë pajtohet edhe opozita. Dhe megjithatë, ata nuk po i votojnë.

Cila është arsyeja? Të bllokohet qeveria? E vërtetë që na e bëni punën më të vështirë dhe e bëni shtetin të duket joserioz para partnerëve ndërkombëtarë, por megjithatë qeveria mund ta vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa marrëveshje ndërkombëtare.

Por, me këtë mosvotim nga opozita, humbin qytetarët, sepse projektet nuk bëhen, sepse humbim grantet dhe kreditë e buta e në vend të granteve e kredive të buta pastaj duhet të shpenzojmë paratë e taksapaguesve dhe të marrim kredi me kushte të tregut, me norma interesi shumëfish më të larta e të cilat në fund prapë duhet t’i paguajë qytetari.

Detyra e opozitës është të tregojë se si mund të bëhet më mire e jo të bllokojë punët në kurriz të qytetarëve. Nuk mund të thuash po e bëj opozitën e po brengosem për qytetarët, kur bllokohet ligji për çmimet tavan, nuk mund të thuash po bëj opozitën e po brengosem për punëtorët, kur bllokon ligjin për pagën minimale e nuk mund të thuash po bëj opozitën e po brengosem për ekonominë e vendit, kur bllokon marrëveshjet ndërkombëtare për projekte zhvillimore.

Nuk bëhet kjo punë kështu. Më besoni. Këtë po ua them si dikush që ka bërë opozitë parlamentare për një dekadë.

Nga viti 2011 deri në vitin 2020, kur Lëvizja Vetëvendosje! ka qenë opozitë parlamentare në Kuvend janë votuar 377 marrëveshje ndërkombëtare. Nga 377 marrëveshje ndërkombëtare për një dekadë, vetëm tri marrëveshje nuk i ka mbështetur Lëvizja Vetëvendosje! dhe ato dihet se çfarë kanë qenë. Ndërkaq, të gjitha marrëveshjet, që kanë pasur financim apo mbështetje të projekteve publike, edukimit, biznesit, çështjeve fiskale, dokumentacionit, sigurisë e mbrojtjes, prej atyre për hekurudhat, fabrikat e ujësjellësve, impiante të ujërave të zeza, mbeturinave dhe mjedisin, për ndihmën ndaj biznesit, për infrastrukturën rrugore e deri të programet e bursave financiare dhe kredimarrjen për çështje sociale. Për të gjitha këto, nuk e kemi pasur asnjë hezitim për t’i votuar grupi ynë parlamentar, kur ne ishim në opozitë e ju në qeverisje.

Po, ne si opozitë kemi kundërshtuar me vendosmëri marrëveshjet që kanë qenë të dëmshme. Për disa prej tyre tashmë po ua shohim sherrin, e besoj edhe ju jeni bindur që kanë qenë të dëmshme.

Mirëpo marrëveshjet që tash po presin ratifikim nuk janë të tilla. Janë marrëveshje për projekte e për zhvillim, që kanë kredi të buta e madje edhe grante, para falë. Andaj, votoni! Le të mos jetë kjo temë në të cilën pozita e opozita i thyejnë shpatat. Kemi sa të duash tema tjera për të diskutuar e debatuar.

Marrëveshjet ndërkombëtare votoni! Nëse jo për qeverinë, por votoni për qytetarët tanë!

Last modified: 5 Tetor, 2023

Comments are closed.

×