Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti viziton banesat sociale që po renovohen përmes masave të efiçiencës së energjisë në Gjilan

6 Maj, 2025

 

Gjilan, 6 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, deputetë të Kuvendit dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi sot dy ndërtesa sociale në qytetin e Gjilanit, ku po realizohet një investim i rëndësishëm për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e këtyre ndërtesave.

Projekti zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian dhe pjesëmarrje komunale prej 10%, dhe është pjesë e përkushtimit të Qeverisë që askush të mos mbetet pas dhe që shteti të kujdeset për ata që kanë më shumë nevojë.

“Falë investimit total prej mbi 432.560 euro, këto dy ndërtesa këtu në Gjilan po transformohen dhe do ta përmirësojnë cilësisht jetën e 53 familjeve, 8 të udhëhequra nga gra kryefamiljare apo mbi 210 të banorë të Gjilanit. Kjo është pjesë e një investimi më të madh, prej mbi 6 milionë euro për renovimin e 25 ndërtesave sociale anembanë Kosovës, që bashkëfinancohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian e me 10% pjesëmarrje edhe komunale”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se nuk po ndërtojmë vetëm mure të forta, por gjithashtu po ndërtojmë dinjitet për familjet, siguri dhe shpresë për qindra qytetarë gjithandej dhe në veçanti përqendrohemi te kursimi i energjisë, që nuk është vetëm një çështje teknike dhe jetike, po gjithashtu edhe e drejtësisë sociale, është një çështje ekonomike e mjedisore.

“Reforma më e gjerë në efiçiencë ka qenë e tillë, që i kemi mbështet 3 mijë familje me izolim të shtëpive dhe mbi 40 mijë familje me pajisje efiçience dhe panele solare”, u shpreh kryeministri.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ndërtesat që po vizitojnë sot, janë vetëm disa prej investimeve në efiçiencë të energjisë, të cilat janë bërë nga Qeveria e Republikës së Kosovës e disa prej tyre edhe me përkrahje të donatorëve. Ajo tha se në Gjilan, përveç dy ndërtesave që po vizitohen sot, është investuar edhe rreth 1 milion euro në renovimin e pesë ndërtesave publike, përfshirë këtu tri shkolla.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se, në këtë ditë të rëndësishme, po e bëjmë vizitën e dytë, përveç atyre në ndërtesat për banim të përballueshëm dhe social, gjersa përmendi edhe investimet në efiçiencë të energjisë, por edhe fillimin e implementimit të projektit “Flows” për investime në ujësjellës, i cili është projekt me vlerë 15 milionë euro, dhe që vjen si investim i Qeverisë së Kosovës.

Në investimet e tjera që janë bërë në kuadër të reformës për efiçiencën e energjisë, Qeveria ka mbështetur deri tani 3 mijë familje me izolim të shtëpive, mbi 40 mijë familje me pajisje efiçiente dhe panele solare, si dhe 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale janë renovuar për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës për qindra mijëra qytetarë.

Prononcimi i kryeministrit Kurti:

Jemi bashkë këtu me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në Gjilan për të shikuar punimet që po shkojnë mbarë e mirë, siç edhe na u dëshmua, për renovimin e banesave sociale, të cilat janë ndërtuar qysh në vitin 2005, por nuk kanë pasur kushte të dinjitetshme për jetesë brenda.

Falë investimit total prej mbi 432.560 euro, këto dy ndërtesa këtu në Gjilan po transformohen dhe do ta përmirësojnë cilësisht jetën e 53 familjeve, 8 të udhëhequra nga gra kryefamiljare apo mbi 210 banorë të Gjilanit.

Kjo është pjesë e një investimi më të madh, prej mbi 6 milionë euro për renovimin e 25 ndërtesave sociale anembanë Kosovës, që bashkëfinancohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian e me 10% pjesëmarrje edhe komunale.

Nuk po ndërtojmë vetëm mure të forta, por gjithashtu po ndërtojmë dinjitet për familjet, siguri dhe shpresë për qindra qytetarë gjithandej dhe në veçanti përqendrohemi te kursimi i energjisë, që nuk është vetëm një çështje teknike dhe jetike, po gjithashtu edhe e drejtësisë sociale, është një çështje ekonomike e mjedisore.

Reforma më e gjerë në efiçiencë ka qenë e tillë, që i kemi mbështet 3 mijë familje me izolim të shtëpive dhe mbi 40 mijë familje me pajisje efiçience dhe panele solare. Janë renovuar 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale, pra përveç banesave private, dhe janë ulur faturat dhe përmirësuar kushtet e jetesës për qindra mijëra qytetarë.

Nga Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë dhe nga ministrja Rizvanolli mësova që deri në 80% do të ketë kursim të energjisë në këtë ndërtesën që e vizituam. Është bërë izolimi i jashtëm, termoizolimi, do të ketë hyrje kryesore me interfon dhe kemi rregullim të çatisë, përveçse ndërrim të dritareve.

Dy ndërtesat që janë ndërtuar këtu në vitin 2005 janë të tilla që në njërën janë 25 familje, e në tjetrën janë 28 familje. Pra, 28 dhe 25, 53 gjithsej, me ç’rast, njëra e ka sipërfaqen afër 1900 metra katrorë, ndërkaq tjetra mbi 1400 metra katrorë. Pra, bëhet fjalë për ndërtesa shumë të rëndësishme për jetën e këtyre familjeve, të cilët ndonëse kanë pasur kulm mbi kokë, nuk kanë pasur jetesë të dinjitetshme përfundi kulmit dhe kjo tash po realizohet.

Edhe një herë faleminderit shumë ministrisë edhe Gjilanit.

 

Last modified: 6 Maj, 2025

Comments are closed.