Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT)

28 Mars, 2025

 

Prishtinë, 28 mars 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, vlerësoi lart profesionalizmin e Gjeneral Brigade Nawrat dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe shprehu mirënjohjen e thellë për përkushtimin dhe kontributin e çmueshëm të gjeneralit dhe ekipit të tij.

“Me profesionalizmin tuaj të treguar gjatë bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, ju i keni dhënë kuptim dhe shtytje marrëdhënieve të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s”, u shpreh kryeministri.

Në kuadër të këtyre raporteve, ai shtoi se NATO-ja përveç se një aleancë ushtarake, është sinonim i sigurisë, lirisë dhe paqes së ndërtuar mbi bazën e partneritetit të fuqishëm të shteteve anëtare. Kësisoj, integrimi i plotë në NATO i Republikës së Kosovës mbetet synimi ynë i palëkundur, derisa zhvillimi i ushtrisë dhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është duke u bërë pikërisht duke u mbështetur, respektuar dhe përmbushur standardet e vendosura nga NATO-ja.

“Ne kemi dëshmuar që kemi një forcë moderne, multietnike, të gatshme dhe të aftë për misione ndërkombëtare. Kemi marrë pjesë dhe kemi realizuar me sukses operacione ndërkombëtare duke u shndërruar kështu nga konsumues, në ofrues dhe kontribues të sigurisë dhe garantues e roje të paqes. E ardhmja e sigurisë në rajonin tonë nuk ndërtohet mbi retorika e mendësi të vjetra e të kaluara tashmë, por mbi bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e ndërsjellë me fqinjë dhe aleatë. Republika e Kosovës sot është më e fortë se kurrë më parë, pikërisht për shkak se gjatë rrugëtimit të saj ka pasur dhe ka aleatë të fortë”, tha ai.

Tutje, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje drejtorit të ri, Gjeneral Brigade, Dr. Sven Lange, duke shprehur vullnetin për të vazhduar punën e ngushtë në rrugën tonë drejt NATO-s.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar ministër i Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtnant Bashkim Jashari,
E nderuara Shefe e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe,
I nderuar Komandant i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani,
I nderuari drejtor i NALT, Gjeneral Brigade Christian Nawrat,
I nderuari drejtor në ardhje i NALT, Gjeneral Brigade, Sven Lange,
Të nderuar Gjeneralë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe krerë të misioneve diplomatike në vendin tonë,
Të nderuar Oficerë dhe Nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe NALT-it,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi bashkë në këtë ceremoni lamtumirëse për të shprehur falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë për përkushtimin dhe kontributin e çmueshëm të drejtorit të NALT, Gjeneral Brigade Christian Nawrat dhe të ekipit të tij. Me profesionalizmin tuaj të treguar gjatë bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, ju i keni dhënë kuptim dhe shtytje marrëdhënieve të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s.

Për ne, NATO-ja nuk është vetëm një aleancë ushtarake, ajo është sinonim i sigurisë, lirisë dhe paqes së ndërtuar mbi bazën e partneritetit të fuqishëm të shteteve anëtare, prandaj edhe integrimi i plotë i Republikës së Kosovës mbetet synimi ynë i palëkundur. Zhvillimi i ushtrisë dhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është duke u bërë pikërisht duke u mbështetur, respektuar dhe përmbushur standardet e vendosura nga NATO-ja.

Në këtë kuptim ekipi i NALT ka qenë gjithnjë zëri i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit tonë të ndërsjellë. Në frymën e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve tona të ngushta, sot kam kënaqësinë që t’i uroj mirëseardhje drejtorit të ri, Gjeneral Brigade, Dr. Sven Lange.

I nderuar z. Lange, mirë se vini në Republikën e Kosovës!

Ju mirëpresim jo vetëm në cilësinë tuaj zyrtare si drejtor i NALT, por edhe si një bashkëpunëtor i ri në rrugën tonë të përbashkët, atë të zhvillimit institucional të sektorit tonë të sigurisë, që çon në anëtarësimin në NATO. Dhe biografia juaj impresive e cila dëshmonte pasionin, përvojën e njohuri në aq shumë fusha të ndryshme, nga historia e punët e jashtme e deri te muzika ushtarake, tregon se kemi një vit të pasur para nesh.

Ne kemi dëshmuar që kemi një forcë moderne, multietnike, të gatshme dhe të aftë për misione ndërkombëtare. Kemi marrë pjesë dhe kemi realizuar me sukses operacione ndërkombëtare duke u shndërruar kështu nga konsumues, në ofrues dhe kontribues të sigurisë dhe garantues e roje të paqes.

E ardhmja e sigurisë në rajonin tonë nuk ndërtohet mbi retorika e mendësi të vjetra e të kaluara tashmë, por mbi bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e ndërsjellë me fqinjë dhe aleatë. Republika e Kosovës sot është më e fortë se kurrë më parë, pikërisht për shkak se gjatë rrugëtimit të saj ka pasur dhe ka aleatë të fortë.

I nderuar Gjeneral Nawrat, ju faleminderit për shërbimin tuaj. Republika e Kosovës dhe populli ynë do të jenë mirënjohës përgjithmonë. Ju dëshiroj shëndet e suksese në jetë dhe ngaherë.

I nderuar Gjeneral Lange, mirë se vini në Republikën e Kosovës. Mezi presim të punojmë ngushtë me ju në rrugën tonë drejt NATO-s.

Ju faleminderit!

Last modified: 28 Mars, 2025

Comments are closed.