Zyra e Kryeministrit

Lansohet pilotimi i shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës

27 Mars, 2025

 

Prishtinë, 27 mars 2025

Në një ngjarje të organizuar sot në Ndërtesën e Qeverisë, u bë lansimi i pilotimit të shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde. Kjo nismë e Qeverisë së Kosovës u mundësua përmes projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane dhe zbatohet nga GIZ.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti tha se sot po hapim një kapitull të ri në mënyrën se si shteti ofron shërbime publike më të afërta me qytetarin, më të koordinuara, më të thjeshta dhe digjitale.

“Me zgjidhjen që po pilotojmë sot, prindërit nuk kanë më nevojë të shkojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme. Të gjitha të dhënat e nevojshme për regjistrimin e fëmijës, për benefitet që u takojnë, për sistemin shëndetësor e për vaksinimin, mblidhen që në spital, në momentin e lindjes, dhe shpërndahen automatikisht te institucionet përkatëse”, u shpreh kryeministri.

Shërbimet që përfshihen në këtë zgjidhje janë: regjistrimi i lindjes në regjistrin civil, aplikimi për përfitimet për nënën dhe fëmijën, regjistrimi në sistemin shëndetësor, regjistrimi i vaksinave, hapja e llogarive në eKosova për prindërit dhe njoftimi elektronik i institucioneve statistikore dhe shëndetësore. Në kuadër të kësaj nisme, në platformën eKosova është krijuar edhe një seksion i veçantë për lindjen e fëmijës, ku qytetarët mund të informohen dhe të planifikojnë faza të ndryshme të kësaj periudhe – nga para-shtatzënia deri te kujdesi pas lindjes.

Kryeministri falënderoi Njësinë për Transformimin Digjital në Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Shëndetësisë, Agjencinë e Regjistrit Civil, Agjencinë për Shoqëri të Informacionit, Ministrinë e Financave, Punës dhe Trasnfereve, Agjecinë e Statistikave të Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Falënderim të veçantë, ai shprehu ndaj Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane, për mbështetjen përmes aktivitetit të bashkëfinancuar të zbatuar nga GIZ, si dhe OECD/SIGMA për kontributin e saj.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se digjitalizimi i shëndetësisë mbetet një nga prioritetet kyçe transformimit publik në vendin tonë. Krahas pilotimit të shërbimeve që u prezantuan sot, ai tha një arritje e veçantë është edhe digjitalizimi i fletores së fëmijës e cila do të lansohet së shpejti në platformën e-Kosova.

Ndërkaq, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se sot Kosova ka bërë një hap të madh përpara me lansimin e shërbimit të saj të parë proaktiv të ngjarjeve të jetës, duke filluar me regjistrimin e lindjes së fëmijëve.

“Kjo do të thotë se proceset si regjistrimi i të porsalindurve, qasja në përfitimet e lehonisë dhe caktimi i vaksinimeve do të jenë tani më të thjeshta dhe më të shpejta. BE-ja është krenare të mbështesë Kosovën në këtë udhëtim digjital, duke ndihmuar në lehtësimin e jetës së përditshme duke hapur mundësi të reja për rritje”, u shpreh më tej ambasadori Orav.

Në mesin e folësve kyç në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rohde. Ai u shpreh i nderuar që është i pranishëm për të shënuar këtë arritje të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt përmirësimit dhe digjitalizimit administratës publike.

“Reduktimi i burokracisë është një shtyllë kyçe e qeverisjes së mirë. Shumë shpesh, qytetarët përballen me pengesa të panevojshme që e komplikojnë qasjen në shërbime esenciale. Jam veçanërisht i kënaqur që Gjermania, në partneritet me BE-në ka mbështetur arritjet që po festojmë sot dhe digjitalizimin e reduktimin e barrës administrative në Kosovë në përgjithësi, përmes një projekti të zbatuar nga GIZ”, tha ambasadori Rohde.

Fjalë hyrëse patën edhe znj. Vaness Sabelski, Menaxhere e Projekteve në GIZ dhe Nick, Thijs, Këshilltar i Lartë i Politikave për Reformën e Administratës Publike dhe Ofrimin e Shërbimeve në OECD-SIGMA. Ndërkaq pilotimi i shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të Lindjes së Fëmijës u bë nga Këshilltari i Kryeministrit për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar ministër i Shëndetësisë, z. Arben Vitia,
I nderuari Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Aivo Orav,
I nderuari Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, z. Joern Rohde,
I nderuari zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra,
E nderuara znj. Vaness Sabelski, Menaxhere e Projekteve në GIZ,
I nderuari Nick Thijs, Këshilltar i Lartë i Politikave për Reformën e Administratës Publike dhe Ofrimin e Shërbimeve në OECD/SIGMA, i cili është i kyçur online me neve,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, të sektorit privat dhe të shoqërisë civile,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Sot jemi mbledhur për të lansuar një nismë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë – e në mënyrë të veçantë të familjeve të reja. Me lansimin e pilotimit të shërbimeve të integruara për lindjen e fëmijës, po hapim një kapitull të ri në mënyrën se si shteti ofron shërbime publike: më të afërta me qytetarin, më të koordinuara, më digjitale dhe më të thjeshta.

Kjo iniciativë është ndërtuar nga këndvështrimi i qytetarit. Ajo ka për qëllim që një prej ngjarjeve më të rëndësishme në jetë – lindja e një fëmije – të shoqërohet me lehtësim dhe jo me barrë. Me zgjidhjen që po pilotojmë sot, prindërit nuk kanë më nevojë të shkojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme. Të gjitha të dhënat e nevojshme për regjistrimin e fëmijës, për benefitet që u takojnë, për sistemin shëndetësor e për vaksinimin, mblidhen që në spital, në momentin e lindjes, dhe shpërndahen automatikisht te institucionet përkatëse.

Ky projekt është rezultat i një procesi të bazuar në bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje. Kemi konsultuar drejtpërdrejtë qytetarët: prindër nga qyteti e fshati, nga komunitetet joshumicë, nënat vetushqyese dhe prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta. Dhe, kemi identifikuar vështirësitë dhe nevojat reale të qytetarëve kemi ndërtuar zgjidhjen duke ndjekur parimin e dizajnimit me përdoruesin në qendër.

Shërbimet që përfshihen në këtë zgjidhje janë: regjistrimi i lindjes në regjistrin civil, aplikimi për përfitimet për nënën dhe fëmijën, regjistrimi në sistemin shëndetësor, regjistrimi i vaksinave, hapja e llogarive në eKosova për prindërit dhe njoftimi elektronik i institucioneve statistikore dhe shëndetësore. E gjithë kjo bëhet në mënyrë të automatizuar dhe të sigurt përmes platformës kombëtare të ndërveprimit.

Në kuadër të kësaj nisme, në platformën eKosova është krijuar edhe një seksion i veçantë për lindjen e fëmijës, ku qytetarët mund të informohen dhe të planifikojnë faza të ndryshme të kësaj periudhe – nga para-shtatzënia deri te kujdesi pas lindjes. Kjo është qasja jonë për t’u kujdesur për qytetarët tanë në mënyrë të integruar – jo vetëm për të dhënë shërbime, por për të ndarë informacione që sjellin lehtësi, siguri dhe qetësi për prindërit e rinj.

Ky projekt është një nga veprimet kyçe të Strategjisë së e-Qeverisjes 2023–2027 dhe përfaqëson vizionin tonë për një administratë publike e cila është digjitale, proaktive, gjithëpërfshirëse dhe e përqendruar në nevojat reale të qytetarëve, pa dallim.

Sot kemi mbi 220 shërbime të ofruara online në eKosova. Vetëm në dy vitet e fundit, numri i transaksioneve përmes kësaj platforme është rritur për 155% – nga 1.9 milionë në 4.9 milionë. Kjo përkthehet në kohë të kursyer për qytetarët dhe më pak barriera në jetën e tyre të përditshme. Progresi i arritur reflektohet edhe në raportin mbikëqyrës të vitit 2024 të SIGMA-s për administratën publike në Kosovë. Ky raport tregon se në fushën tematike “Ofrimi i shërbimeve dhe digjitalizimi”, Kosova sot qëndron dukshëm mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra të rajonit të cilit ne i përkasim, krahasuar me vitin 2021 kur ka qenë e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, jemi duke punuar në iniciativa dhe reforma të tjera në fushën e transformimit digjital. Jemi afër lansimit të sistemit të ri për identifikim elektronik, ndërkohë që po finalizojmë dizajnin funksional dhe arkitektonik të qendrës së parë të integruar të shërbimeve për qytetarët – që do të ofrojë edhe një kanal fizik për marrjen e shërbimeve, veçanërisht për ata që nuk mund t’i qasen shërbimeve digjitale.

Falënderoj Njësinë për Transformim Digjital në Zyrën e Kryeministrit për bashkërendimin dhe udhëheqjen e këtij projekti. Po ashtu, shpreh mirënjohje për të gjitha institucionet që kanë kontribuar: Ministrinë e Shëndetësisë, Agjencinë e Regjistrimit Civil, Agjencinë për Shoqëri të Informacionit, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agjencinë e Statistikave të Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Një falënderim të veçantë për Bashkimin Evropian dhe Qeverinë Gjermane, për mbështetjen përmes aktivitetit të bashkëfinancuar të zbatuar nga GIZ. Ky partneritet ka qenë thelbësor në të gjitha fazat e kësaj iniciative – nga analiza dhe dizajnimi deri te zhvillimi i zgjidhjes softuerike. Falënderoj gjithashtu OECD/SIGMA për kontributin e tyre të çmuar në fillet e këtij rrugëtimi.

Të nderuar të pranishëm,

Ne po ndërtojmë një shtet që është në shërbim të qytetarit – që nga momenti i parë i jetës së saj apo tij. Me projekte si ky, po e kthejmë transformimin digjital në vlerë konkrete për njerëzit. Dhe kjo është rruga që do të vazhdojmë ta ndjekim në trajtimin e ngjarjeve tjera jetësore të qytetarëve tanë.

Urime e ju falemnderit!

Last modified: 27 Mars, 2025

Comments are closed.