Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Gjuhës Rome

21 Dhjetor, 2024

 

Prizren, 21 dhjetor 2024

Me rastin e manifestimit të 5 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në shënimin e kësaj dite në Prizren në një organizim të Zyrës së Kryeministrit, ku e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilja Rexhepi.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, proces që kërkon angazhim nga individët, shoqëria dhe nga institucionet. Ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë që të kontribuojë në këtë drejtim, përmes ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe mekanizmave institucionalë për të drejtat gjuhësore.

Qeveria e Kosovës, së bashku me organizata joqeveritare, për tre vjet radhazi ka qenë pjesë e organizimit dhe nikoqir i tre samiteve rajonale kundër diskriminimit racor, nga të cilat kanë dalë rekomandime konkrete dhe të dobishme për politikbërjen.

“Një nga rekomandimet nga Samiti i vitit të kaluar ka qenë ai, që shërbimet të jenë me bazë në komunitet. Këtë e kemi zhvilluar gjatë vitit të fundit, me një rritje 25% për grante për Qendrat Mësimore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe alokimit të mjeteve prej një çerek milion eurove për punën arsimore të këtyre Qendrave”, u shpreh kryeministri Kurti.

Gjithashtu, Qeveria në fillim të mandatit ka formuar Ekipin Ndërinstitucional për promovimin dhe nxitjen e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, me ç’rast si rezultat janë hapur vende të reja pune nëpër ministri të ndryshme. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes përmes organizimit “Ditët e Hapura” ka inkurajuar të rinjtë e komuniteteve joshumicë të përfshihen në institucionet e sigurisë.

Në këtë organizim, kryeministri përmendi edhe faktin se për herë të parë, Strategjia për Romët dhe Ashkalinjtë është përkthyer në gjuhën rome, ndërsa Strategjia dhe Plani për të Rinjtë, po përkthehen në gjuhën rome dhe turke.

Në përmbyllje, kryeministri Kurti theksoi se përveç në dokumente zyrtare, një gjuhë duhet të mbahet gjallë edhe përmes përdorimit të përditshëm. Për këtë arsye, Qeveria përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbështeti të gjitha komunitetet me 110 mijë euro vitin e kaluar, ndërsa këtë vit vetëm komuniteti rom është mbështetur me shumën prej 120 mijë euro.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara, znj. Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut,
I nderuari, z. Erxhan Galushi, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
I nderuari, z. Sylejman Elshani, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Para një viti u mblodhëm bashkë me zëvendëskryeministren Rexhepi dhe me deputetin Galushi porsi sonte, për të shënuar ditën botërore të gjuhës rome. Gjuhë e folur nga më shumë se 3.5 milionë njerëz në mbarë botën.

Sot përsëri jemi së bashku që të festojmë e të dëgjojmë për historinë e gjuhës rome e cila është shumë e gjatë, sikurse që është edhe rruga përplot sfida për mbijetesën e saj.
Ruajtja e gjuhës është një proces i rëndësishëm që kërkon angazhim nga individët, nga shoqëria e gjithashtu edhe nga institucionet, për të ndihmuar në këtë proces. Qeveria e Kosovës është gjithmonë e gatshme që të kontribuoj në këtë drejtim, përmes ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe mekanizmave institucional për të drejtat gjuhësore.

Gjatë tre vjetëve të fundit, së bashku me organizata joqeveritare kemi qenë pjesë e organizimit dhe nikoqir të tre samiteve rajonale kundër diskriminimit racor. Secilin vit kemi dalë me rekomandime konkrete dhe të dobishme për politik bërjen.

Një nga rekomandimet nga Samiti i vitit të kaluar ka qenë ai që shërbimet të jenë me bazë në komunitet. Këtë e kemi zhvilluar gjatë vitit të fundit, me një rritje 25% për grante për Qendrat Mësimore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe alokimit të mjeteve prej një çerek milioni eurove për punën arsimore të këtyre Qendrave.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë e angazhuar për edukimin e brezave të rinj, rritjen profesionale e cilësore të komuniteteve jo shumicë, si dhe ngritjen e ekonomike e të ardhurave financiare të familjeve të komuniteteve.

Andaj Qeveria jonë qysh në fillim të mandatit të saj e ka formuar Ekipin Ndërinstitucional për promovimin dhe nxitjen e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, dhe si rezultat i kësaj janë hapur vende pune të reja nëpër ministri të ndryshme. Sidomos në Ministrinë e Mbrojtjes me organizmin “Ditët e Hapura” janë inkurajuar të rinjtë nga komunitetet jo shumicë që të njihen për së afërmi me mundësitë e punës dhe zhvillimit të karrierës profesionale në Ushtrinë e Kosovës, në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe agjencitë e tjera të sigurisë së vendit tonë. Për këto mundësi e shumë të tjera të ofruara nga Qeveria, çdo dy javë dërgohet një buletin nga Zyra e Kryeministrit, i cili përmbledh informacionet dhe i njëjti dërgohet edhe në gjuhën shqipe, serbe, turke por dhe rome.

Unë jam i lumtur për rastet kur gjuha rome përdoret në nivelin qendror. Strategjia për Romët dhe Ashkalinjtë është përkthyer për herë të parë në gjuhën rome, dhe tani edhe Strategjia dhe Plani për të Rinjtë, po përkthehen në gjuhën rome e turke, si pjesë e nismës sonë për konsultime sa më të gjera.

Përkundër rëndësisë që një gjuhë të mbahet gjallë me dokumente zyrtare, ajo duhet të jetë po ashtu e tillë edhe në përdorimin e përditshëm dhe të promovohet në mënyrën sa më të duhur në shoqëri e publikisht, prandaj Qeveria jonë përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit vitin e kaluar ka mbështetur të gjitha komunitetet me shumë prej 110 mijë euro, ndërkaq këtë vit vetëm komunitetin rom e kemi mbështetur me shumën në vlerë prej 120 mijë euro.

Andaj, është kënaqësi për mua të jem këtu sonte në këtë mbrëmje kushtuar gjuhës rome, e ku po ashtu edhe unë kam zgjedhur poezinë e poetit të famshëm mikut tim, ish deputetit të Kuvendit të Republikës, Kujtim Paçaku, poezinë pra, “Gjuha”, dhe tash unë po e përkthej Denisin në shqip.

Gjuha

Gjuhë që e njeh
Varfërinë
Lumturinë
Dhembjen

Gjuhë që vdekjes i ka dalë përballë
Këngën duke mos e ndalur kurrë
Rrugëve të botës ka bredhur me shekuj
Nga burimi
Asnjë hap pa u larguar

Aq shumë herë e vrarë
E rrëzuar, e shkelur, e prerë, e copëtuar
E djegur, e mbyllur, e thyer, e mbytur
E dëbuar, e humbur, e shtrembëruar, e ngushtuar
E përbuzur, e ndaluar, e hedhur poshtë …

Gjuha ime Rome
Ende është e gjallë!

Ju faleminderit!

Last modified: 21 Dhjetor, 2024

Comments are closed.