Zyra e Kryeministrit

Prezantohen rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë

19 Dhjetor, 2024

 

Prishtinë, 19 dhjetor 2024

Sot u prezantuan rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, në një ngjarje të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut, Emilija Rexhepi.

Të dhënat e para përfundimtare përfshijnë numrin e popullsisë sipas gjinisë në nivel të komunave përfshirë trendët më të fundit demografike, derisa gjatë vitit 2025 do të publikohen edhe 25 raporte të tjera tematike.

Sipas të dhënave të prezantuara sot, numri total i popullsisë rezidente në Kosovë është 1,602,515, prej të cilës 50.2% janë meshkuj dhe 49.8% janë femra. Mosha mesatare e popullsisë është 34.8 vjet. Përbërja etnike e popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2024 është si në vijim: 90.79% shqiptarë, 3.31% serbë, 1.69% boshnjakë, 1.21% turq, 1.01% ashkali, 0.66% egjiptianë, 0.57% goranë, 0.54% romë dhe 0.14 % të tjerë.

Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos2024) u realizua nga 5 Prilli deri më 24 maj 2024. Publikimin e statistikave cilësore të sakta, të plota dhe të mbledhura me efikasitet në një kohë krejtësisht rekorde, kryeministri Kurti e cilësoi si vlerë shumë të madhe të realizuar plotësisht në format digjital.

“Publikimi në një kohë krejtësisht rekorde, kur është fjala për regjistrime, përbën një komponent shtesë, pasi që statistikat cilësore marrin kohë, e statistikat në kohë janë me vlerë shumë të madhe”, tha kryeministri në fjalën e tij.

Ai shtoi se këto të dhëna përfaqësojnë bazën për të hartuar dhe zhvilluar politika të cilat i adresojnë nevojat reale të qytetarëve të Republikës. Kësisoj, regjistrimi përveç se ofron mjetet për të bërë parashikime shumë më të sakta mbi rritjen e popullsisë, migracionin dhe sfidat që lidhen me ndryshimet demografike, kryeministri tha se ato na ndihmojnë të planifikojmë me saktësi në fushat jetësore si shëndetësia, arsimi, transporti e infrastruktura.

“Me këto të dhëna, ne mund të formulojmë strategji të qëndrueshme për zhvillim ekonomik dhe social, duke siguruar që investimet tona të jenë efikase dhe të sjellin dobi afatgjata”.

Ndërkaq, në arenën ndërkombëtare ky regjistrim i cili ndjek standardet e Eurostat-it dhe të Kombeve të Bashkuara, forcon pozitën tonë si partner i besueshëm në bashkëpunimin rajonal dhe global, duke krahasuar dhe harmonizuar të dhënat tona me ato të vendeve të tjera.

“Të dhënat e regjistrimit janë më shumë se numra, janë përtej të dhënave në formën e shifrave, meqenëse ato janë pasqyra e realitetit tonë, por njëkohësisht edhe busulla e cila na drejton drejt së ardhmes duke u bazuar në evidencë dhe fakte”, përmbylli kryeministri Kurti duke falënderuar Agjencinë e Statistikave të Kosovës, stafin e angazhuar drejtpërdrejt, institucionet e tjera qendrore dhe lokale, organizatat ndërkombëtare si dhe qytetarët.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Emilija Rexhepi, Zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut,
I nderuari z. Fikrim Damka, Ministër i Zhvillimit Rajonal,
Të nderuar zëvendësministra Shemsi Syla dhe Arsim Ademi,
I nderuari z. Avni Kastrati, ushtrues detyre i Kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të misioneve të huaja diplomatike në vendin tonë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën, pasi do të prezantohen rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, e që është realizuar përgjatë shtatë javëve nga 5 prilli deri më 24 maj 2024 sivjet. Publikimi në një kohë krejtësisht rekorde, kur është fjala për regjistrime, përbën një komponent shtesë, pasi që statistikat cilësore marrin kohë, e statistikat në kohë janë me vlerë shumë të madhe.

Regjistrimi i fundit u krye në vitin 2011 – mjaftueshëm kohë për t’u bërë pjesë e kujtimeve historike. Por tani, falë standardeve të avancuara dhe teknologjisë, kemi një pasqyrë të saktë të realitetit tonë dhe një bazë të re për të zhvilluar e ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët.

Regjistrimi i popullsisë është më shumë sesa mbledhje statistikave. Ai është një pasqyrë e qartë e realitetit tonë – kush jemi, ku jemi, sa jemi, si jemi dhe si mund të ecim përpara. Të dhënat e regjistrimit janë thelbësore për të gjitha aspektet e planifikimit dhe zhvillimit kombëtar. Ato na mundësojnë të kuptojmë dinamikat demografike, kushtet ekonomike dhe sociale, si dhe sfidat të cilat i kemi përpara.

Të dhënat na ndihmojnë të planifikojmë me saktësi në fushat jetësore si shëndetësia e arsimi, transporti e infrastruktura. Ato përfaqësojnë bazën për të hartuar dhe zhvilluar politika të cilat i adresojnë nevojat reale të qytetarëve të Republikës.

Me këto të dhëna, ne mund të formulojmë strategji të qëndrueshme për zhvillim ekonomik dhe social, duke siguruar që investimet tona të jenë efikase dhe të sjellin dobi afatgjata.

Regjistrimi na jep mjetet për të bërë parashikime shumë më të sakta mbi rritjen e popullsisë, migracionin dhe sfidat që lidhen me ndryshimet demografike. Këto parashikime janë të domosdoshme për të ndërmarrë masa paraprake dhe për t’i minimizuar rreziqet.

Ky regjistrim, i cili ndjek standardet e Eurostat-it dhe të Kombeve të Bashkuara, forcon pozitën tonë në arenën ndërkombëtare. Të dhënat tona tani krahasohen dhe harmonizohen me ato të vendeve të tjera, duke na mundësuar të tregohemi si një partner i besueshëm në bashkëpunimin rajonal dhe global.

Ky proces, i realizuar plotësisht në format digjital, shënon një përparim të madh për Kosovën. Përmes teknologjisë, ne kemi siguruar që të dhënat të jenë të sakta, të plota dhe të mbledhura me shpejtësi e efikasitet. Teknologjia ka ndihmuar të minimizojmë gabimet dhe të krijojmë një bazë të besueshme për të gjitha proceset vendimmarrëse.

Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë dhe falënderimin e përzemërt ndaj Agjencisë së Statistikave të Kosovës, stafit të angazhuar drejtpërdrejt, institucioneve të tjera qendrore dhe lokale, organizatave ndërkombëtare dhe qytetarëve tanë anë e mbanë, të cilët me pjesëmarrjen e tyre bënë të mundur realizimin e suksesshëm të këtij procesi. Angazhimi juaj tregon përkushtimin tonë kolektiv ndaj të vërtetës dhe transparencës, zhvillimit dhe progresit.

Të dhënat e regjistrimit janë më shumë se numra, janë përtej të dhënave në formën e shifrave, meqenëse ato janë pasqyra e realitetit tonë, por njëkohësisht edhe busulla e cila na drejton drejt së ardhmes duke u bazuar në evidencë dhe fakte. Ju ftoj të gjithëve të shfrytëzoni këto të dhëna për të ndërtuar një Kosovë të drejtë, të zhvilluar e prosperuese.

Ju faleminderit.

 

Last modified: 19 Dhjetor, 2024

Comments are closed.