Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Pete Ricketts, Chris van Hollen dhe Chris Murphy

16 Shkurt, 2024

 

Mynih, 16 shkurt 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Pete Ricketts, Chris van Hollen dhe Chris Murphy.

Gjatë takimit u fol për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri tha se për Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe partner i pazëvendësueshëm.

Në mesin e temave që u diskutuan ishin Rregullorja e Bankës Qendrore, mungesa e llogaridhënies për sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit nga Serbia dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kryeministri Kurti theksoi se rregullorja nuk e ndalon dinarin, por parasheh valutën euro si mjetin e vetëm të pagesës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe në të njëjtën kohë rrit transparencën financiare dhe zvogëlon mundësitë e financimit të aktiviteteve kriminale.

Përveç kësaj, ai i njoftoi për periudhën tranzitore të përqendruar në informim më intensiv të publikut dhe lehtësimin e zbatimit të lehtësuar të rregullores. Ai përmendi rastin e konvertimit të targave në tabela RKS, si shembull të gatishmërisë së integrimit të serbëve të Kosovës dhe dëshmi të mirë të kapaciteteve të institucioneve tona për të mundësuar dhe lehtësuar çdo proces në shërbim të tij.

Gati pesë muaj pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit, autorët vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi. Mbi këtë fakt, kryeministri Kurti theksoi nevojën për llogaridhënie nga Serbia, shqetësim ky që u nda edhe nga senatorët në takim.

Last modified: 16 Shkurt, 2024

Comments are closed.

×