Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ne do të shikojmë që gjërat t’i lëvizim përpara, në mënyrë që të hapet perspektiva evropiane për Kosovën

2 Prill, 2013

Prishtinë, 2 prill 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës pas përfundimit të takimit të tetë, në  kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga baronesha Catherin Ashton, me delegacionin serb të kryesuar nga kryeministri serb Ivica Daciq.

Në vijim po japim të plotë intervistën e kryeministrit Hashim Thaçi:

Pyetje: Si e vlerësoni z. Kryeministër procesin dialogues në Bruksel, i cili edhe pas tetë raundesh përfundoi pa marrëveshje?

Përgjigje: Ne kemi ardhur në takim me qëllimin më të mirë, për arritjen e marrëveshjes. Si delegacion shtetëror i Kosovës, kemi prezantuar qëndrimin dhe pozicionin tonë shtetëror, në përputhshmëri  me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ajo çka është me rëndësi është se pozicioni i Kosovës, qëndrimet e saj, janë plotësisht në përputhshmëri edhe me qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së.

Serbia sikur edhe herëve të tjera, edhe kësaj radhe, ende heziton dhe pretendon të fitojë në kohë. Pra, kemi një qëndrim ende hezitues, për të mos thënë edhe refuzues nga Serbia. Ne do të shikojmë që gjërat t’i lëvizim përpara, në mënyrë që të hapet perspektiva evropiane për Kosovën dhe të punojmë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare në implementimin e agjendës sonë për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës.

Pyetje: Z. Kryeministër, ky ishte një takim maratonik. Ku ishin dallimet esenciale të dy delegacioneve të përfshira në këtë dialog?

Përgjigje: Ju, i gjithë opinioni publik kosovarë dhe ndërkombëtarë e dini se Serbia për një kohë të gjatë i ka dezinformuar, mashtruar dhe gënjyer se mund të ndodhë ndarja e Mitrovicës, mund të ndodhë formimi i Republika Serbska dhe mund të ndodhë autonomia në pjesën veriore të Kosovës. Idetë e tilla kanë qenë të papranueshme edhe nga ana jonë edhe më herët edhe sot. Pretendimi për ti dhënë elemente ekzekutive asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë qenë të tejkaluara dhe  formimi i një asociacioni të tillë në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndonjë mandat ekzekutiv, legjislativ apo të pushtetit të tretë.

Po, ritheksoj, ne kemi bërë progres sa i përket konceptit tonë, ideve dhe vizionit tonë për fqinjësi të mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve në mes të vendeve tona.

Pra, ka qenë një ditë e gjatë, jo e lehtë, me diskutime të rënda. Ne, si delegacion shtetëror i Kosovës, kemi shënuar progres, Serbia ka mbetur që në ditët e ardhshme të reflektojë thellë për të pranuar marrëveshjen.

Pyetje: Kryeministër, a e ka Kosova të domosdoshme arritjen e një marrëveshje për veriun, me Serbinë, përderisa kjo e fundit insiston në bosnizimin e Kosovës?

Përgjigje: Nuk mund të ketë Republika Serbska, autonomi apo bosnizim të Kosovës. Kosova do të funksionojë si një vend i pavarur dhe sovran, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e veta. Institucionet e Kosovës, bashkërisht me ato ndërkombëtare, do ta shtrijnë autoritetin edhe në veri. Pra, do të kemi shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave paralele, do të kemi funksionimin e rendit dhe ligjit edhe në veri, e në të njëjtën kohë do të punojmë për formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, gjithmonë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, pra pa ndonjë mandat ekzekutiv, legjislativ apo të ndonjë pushteti të tretë. Por, ndërtimi i fqinjësisë së mirë është në dobi të dy vendeve dhe popujve tanë, sepse ne jemi të interesuar t’i integrojmë serbët që jetojnë në veri, në institucionet dhe shoqërinë kosovare, ndërsa Serbia nuk është e interesuar për qytetarët në veri, por për të ndryshuar territorin e Kosovës, gjë që do të jetë e parealizueshme për Serbinë.

Pyetje: Kryeministër, kërkojmë mirëkuptim, pasi që tash është shumë vonë, megjithatë, me një pyetje të fundit, a mendoni se ka gjasa reale të arritjes së një paqeje të qëndrueshme midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë?

Përgjigje: Unë kam qenë edhe në takimet dhe negociatat edhe në Rambuje dhe Vjenë. Personazhet të politikës serbe kanë ndryshuar, por për fat të keq mbeten me mentalitetin e njëjtë të refuzimit dhe ngurtësisë me Kosovën dhe politikën perëndimore. Prandaj, duke i njohur politikat e tyre të vjetra, duke mbetur ende me mentalitet të vjetër, megjithëse personazhe të reja, shpresoj që do të mund të ketë ndonjë reflektim nga ana e tyre në ditët e ardhshme. Sido që të jetë, takimi ka ndodhur, negociatat kanë ndodhur, por marrëveshje nuk ka. Tani është në autoritetin autonom të Beogradit. Mentalitet i politikës së vjetër në Beograd, ka refuzuar marrëveshjen në Rambuje, ka refuzuar marrëveshjen në Vjenë, nuk do të ishte ndonjë befasi që edhe kësaj radhe të kemi përgjigjen e vjetër të politikës së vjetër të Serbisë në raport me Kosovën dhe botën perëndimore. Kjo është një logjikë e mosbashkëpunimit, logjikë e izolimit dhe e konfrontimit.

Last modified: 2 Prill, 2013

Comments are closed.