Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Sabit Veseli i përket gjeneratës politike, që lidh epokat historike, atë të vitit 1981 dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

8 Gusht, 2010

Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Akademinë Përkujtimore për veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Sabit Veseli

Prishtinë, 8 gusht 2010

E nderuar familje Veseli,

Të nderuar miq, veprimtarë, dhe bashkëmendimtarë të Sabitit

Zonja dhe zotërinj,

Vdekja e parakohshme dhe tragjike e veprimtarit Sabit Veseli tronditi dhe pikëlloi thellë zemrat e familjes së tij, të miqve, bashkëmendimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij të shumtë në Kosovë,  në trojet shqiptare dhe në diasporë.

Fatkeqësisht, vetëm kur humbin njerëzit, detyrohemi moralisht t’ua shpalosim margaritarët e paçmuar, t’ua vëmë në pah individualitetin origjinal, vlerat humane dhe kombëtare si dhe përmasat historike që i bartën edhe për së gjalli.

Sabiti Veseli i përkiste profilit të atyre njerëzve të cilët në modestinë e tyre dinë t’i fshehin përmasat madhështore të personalitetit të tyre, në heshtjen e tyre dinë t’i fshehin dimensionet e epokave historike, por me vendosmërinë e tyre frymëzojnë dhe edukojnë breza të tërë.

Unë, personalisht kam qenë me fat, sepse Sabitin e kam njohur që në rininë time të hershme, që në hapat e parë të lëvizjes politike të asaj kohe.

Sabit Veseli i përket asaj gjenerate politike që lidh epokat historike, atë të vitit 1981 dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai i përket atij brezi që inauguroi me vendosmëri të pakthyeshme kërkesën për Republikën e Kosovës në vitin 1981.

Sa herë që  mendoj dhe shpreh konsideratën time të thellë për brezin politik të viteve 1981, gjithmonë kam ndërmend profilin dhe portretin njerëzor, kombëtar e politik të Sabit Veselit.

Këtë portret e bën edhe dy intelektualë e mendimtarë të botës shqiptare.

Profesori Ukshin Hoti në shkrimin e tij “Viti ’81 dhe proceset e demokracisë” përpos shumë përkufizimesh, analizash dhe vlerësimesh për brezin politik të Sabitit me të drejtë konstaton:  “Bota që e gjakonin ishte e përmbushur me shpirtin e tyre të pastër, me ëndrrat e tyre të bukura, me idealet e tyre të mëdha… E dëshironin një botë me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njëjta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmendta individuale dhe gjeniu i tyre kolektiv krijues.”

Ndërkaq shkrimtari Ismail Kadare parathotë përmasën historike të këtij brezi me fjalët: “Ju që prekët historinë, në histori u kthyet vetë”.

Ishte pikërisht ky brez që në vitin 1981 jo vetëm preku, por bëri historinë e kontestimit të robërisë, duke shtrirë përmasat dhe zgjeruar bazën qytetare të rezistencës, duke emancipuar dhe ngritur cilësorisht nivelin politik  të lëvizjes për çlirimin e vendit.

Ky brez politik ishte aktiv në organizimin e demonstratave të vitit 1981, si vetë Sabiti, që u shqua në e demonstrata e protesta në Mitrovicë, në Prishtinë e gjetiu.

Ky brez do të burgoset dhe dënohet padrejtësisht me vite të rënda burgjesh, por kurrë nuk do të thyhet dhe nuk do të ndërpres veprimtarinë kundër sundimit serb të Kosovës. 

Sabit Veseli i përket plejadës së të burgosurve politikë që dëshmuan me jetën e tyre vendosmërinë për rrugën e drejtë që kishin nisur. Asaj plejade që krijoi emrin e veprimtarit të devotshëm Fadil Vata dhe të dëshmorëve Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ali Ajeti dhe shumë veprimtarëve të tjerë, që u dëshmuan me flijimin për lirinë e Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Popujt, kombet, individët kanë pasur dhe do të kenë gjithmonë ëndrrën e tyre.

Por ëndrra e lirisë është më madhështorja më sublimja.

Sabiti kishte ëndrrën e tij. Vetë ëndrra ka diçka të mjegullt dhe iluzore, por jo ëndrra që synojnë  vizionarët.

Pas daljes nga burgu Sabiti menjëherë do të veprojë në radhët e  Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, duke qenë një shtyllë e fortë e saj. Ai do të shquhet si organizator i  demonstratave të viteve 1989 -1990.

Sabit nuk do ta rresht veprimtarinë e tij duke treguar talentin dhe gatishmërinë për gjetjen e njerëzve të vendosur për ta çuar përpara lëvizjen çlirimtare, në angazhimin për gjetjen e mjeteve për ta forcuar rezistencën e armatosur.

Sabiti dha një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sabiti dha një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E drejta historike, rezistenca e pa ndalur, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahja gjithëqytetare bënë që ëndrra e Sabitit dhe bashkëmendimtarëve të tij, çlirimi i Kosovës, të bëhet realitet.

E nderuara familje Veseli,

Duke shprehur ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj që përkundër dhembjes të mbaheni të fortë, krenar dhe dinjitoz ashtu siç ishte dhe siç do të dëshironte Sabiti.

Shtëpia e Sabitit ishte derë e hapur dhe bazë e sigurt në ditët më të vështira, atëherë kur shumë veprimtarë aty gjenin strehë dhe mikpritje bujare.

Familja Veseli do të vazhdojë jetën në Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane, duke rritur fëmijët e Sabitit me faqebardhësi,  dhe duke  i kultivuar  me vlerat më të mira të kombit dhe të qytetarisë, për të cilat biri juaj, prindi dhe burri i Kosovës u angazhua tërë jetën

Lavdi emrit, jetës dhe veprës së Sabit Veselit! 

Last modified: 8 Gusht, 2010

Comments are closed.