Zyra e Kryeministrit

Fjalim i Kryeministrit z. Hashim Thaçi në Institutin Amerikan për Paqe

20 Korrik, 2010

Fjalim i Kryeministrit z. Hashim Thaçi në Institutin Amerikan për Paqe

Uashington DC 20, korrik 2010
 

‘Ndërtimi i së Ardhmes Euro-Atlantike për Kosovën: Mundësitë dhe Sfidat’

Të nderuar pjesëmarrës;
Zonja dhe zotërinj;
 
 
Po e filloj këtë prezantimi timin duke e falënderuar fillimisht Institutin Amerikan për Paqe, dhe në mënyrë të veçantë z. Daniel Server për mundësinë që t’i adresohem kësaj audiencë të respektuar.

E ardhmja e Kosovës dhe e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor është dhe duhet të jetë integrimi në NATO dhe BE.

Kjo aspiratë, nuk është vetëm dëshirë por një domosdoshmëri për paqe dhe stabilitet afatgjatë.

Kaluan njëmbëdhjetë vite në liri, dhe mbi dy vite nga koha kur në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Deri tani shteti i Kosovës është njohur nga  69 shtete anembanë botës, është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Bankën Botërore (BB), dhe jemi shumë afër anëtarësimin edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Për fat të keq ende ka shtete që sillen me Kosovën thua se ajo nuk ekziston.

Ndërsa mesazhi ynë është i qartë: Kosova ekziston dhe është shtet funksional- ekziston sot, dje, nesër dhe përgjithmonë.

Amerika dhe populli amerikan janë krenar për vlera që përfaqësojnë.

Edhe qytetarët e Kosovës janë krenar -krenar për trashëgiminë dhe shumë-etnicitetin tonë, krenar për historinë tonë dhe plot shpresë për të ardhmen.

Kosova do të jetë model i tolerancës dhe shumë-etnicitetit për të gjithë Evropën.
 
 
Zonja dhe zotërinj;
 

Gjatë këtyre pak viteve që ne jetojmë dhe punojmë të lirë, Kosova ka arritur progres të konsiderueshëm në shumë fusha duke marrë në konsideratë mundësitë e kufizuara dhe situatën komplekse politike.
 

Në aspektin ekonomik, Kosova ka trashëguar një ekonomi të dobët si rrjedhojë e menaxhimit nga sistemi i kaluar dhe dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së fundit.
 

Përkundër kësaj, në vitet e fundit ne kemi punuar shumë që të ruajmë një rritje ekonomike solide pavarësisht krizës së rëndë globale.
 

Ne po e ulim pjesëmarrjen e Qeverisë në ekonomi, për të stimuluar sektorin privat.
 

Kjo është arsyeja pse ne po i privatizojmë asetet e kryesore të shtetit:  Korporatën Elektro-energjetike të Kosovës (KEK) dhe Postë-Telekomin e Kosovës (PTK).

Muaj më parë e kemi përmbyllur me sukses të plotë dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës një kompanie prestigjioze ndërkombëtare për 20 vitet e ardhshme.
 

Për të stimuluar investimet e huaja, ne kemi marrë vendim për fillimin e ndërtimit të autostradës së parë në Kosovë, që e lidh vendim tim me Shqipërinë dhe me Serbinë.
 

Kompania fituese e konsorciumit amerikano-turk Bechtel & Enka tashmë ka filluar punën ndërsa projekti pritet të përfundoj brenda një periudhe tri vjeçare.
 

Vetëm nga Projekti  i ndërtimit të autostradës, po hapim rreth 4000 mijë vende të reja të punës.
 

Zonja dhe zotërinj                      
 

Një ndër fushat më sfiduese për Kosovën ka qenë dhe ende mbetet sundimi i rëndit dhe ligjit.
 

Kjo jo vetëm për faktin se në pjesën veriore të Kosovës ende veprojnë strukturat ilegale të sigurisë të cilat financohen nga Serbia, mirëpo edhe për shkak se rezultatet në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ende nuk janë të kënaqshme.
 

Për të tejkaluar këtë situatë, ne jemi duke punuar shumë ngushtë me EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë në Kosovë.
 

Ne, respektivisht institucionet e Kosovës do të vazhdojmë të jemi në ballë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative.
 

Kjo betejë po jep rezultatet e para pas 11 vitesh.
 

Kjo betejë nuk është e lehtë, por i kam garantuar qytetarët e vendit se do të jemi të pakompromis, i siguroj edhe miqtë tanë në Uashington se do të kemi sukses.
 

Ne po ndërtojmë shtet ligjor dhe funksional, dhe kjo është alternativa e vetme për ne..
 

Për këtë qëllim, kemi filluar reformën rrënjësore në sistemin e drejtësisë, dhe shumica e ligjeve të reja që rregullojnë në fushë janë në procedurë të miratimit në Parlamentin e Kosovës. Të gjitha sipas standardeve perëndimore.
 

Këto reforma do mundësojnë krijimin e një sistemi gjyqësor modern, efektiv dhe të pavarur.

Drejtësia është në dispozicion e në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.
 

Zonja dhe zotërinj,

Duhet të ripërsëris se Kosova është shtet multi-etnik dhe unë ndihem shumë mirë që Kushtetuta jonë dhe të gjitha ligjet tona në mënyrë afirmative i sigurojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Me kënaqësi mund të konstatoj se mbi 90% e dispozitave të Planit Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari që kryesisht kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, tashmë janë implementuar.

Decentralizimi po zë rrënjë në mbarë vendin, kurse Qeveria po ua bartë përgjegjësitë strukturave lokale,  duke e sjellë qeverisjen më afër qytetarëve.

Vjeshtën e e kaluar, ne e befasuam botën me suksesin e zgjedhjeve lokale dhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të qytetarëve tanë serbë, të cilët kanë zgjedhur rrugën e përqafimit të decentralizimit dhe që shfrytëzuan rastin për të marrë përsipër përgjegjësinë për qeverisjen lokale.

Kemi mbajtur zgjedhje komunale të lira e demokratike, në të cilat morën pjesë qytetarët serbë të Kosovës dhe zgjodhën përfaqësuesit e tyre në strukturat e reja komunale.
 

Jo më larg se të dielën e kaluar, qytetarët e Parteshit, komunë kjo me shumicë serbe e cila është themeluar në përputhje me Planin e Presidentit Ahtisari, qytetarët serbë, duke votuar në mënyrë masive (një pjesëmarrje prej mbi 60%), ata zgjodhën Kryetarin e Komunës së tyre dhe udhëheqësit e rinj lokalë.
 

Nga pesë komuna të reja me shumicë serbe të cilat janë parashikuar të themelohen sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, tashmë ne i kemi krijuar katër prej tyre.

Ne po vazhdojmë të punojmë për të krijuar e komunën e pestë, komunën e Mitrovicës veriore dhe për këtë qëllim kemi ngritur Grupin Komunal Përgatitor i cili po punon për të përgatitur mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e komunës së re.
 

Ne gjithashtu, në mënyrë të koordinuar me ICO dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, kemi hapur Zyrën për Shërbime Civile të Republikës së Kosovës në veri të lumit Ibër e cila iu shërben nevojave të gjithë qytetarëve që jetojnë në atë pjesë.

Për fat të keq, integrimi i plotë i serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër po pengohet dhe vështirësohet për shkak të rolit destruktiv të Serbisë.

Mirëpo ne nuk do të zmbrapsemi sepse e dimë se qytetarët serbë që jetojnë në këtë pjesë, duan të marrin përgjegjësitë dhe të jetojnë sikur qytetarët tjerë serbë që jetojnë në Jug të lumit Ibër.

Ju e dini se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë kanë të drejtën e dyshtetësisë, asaj të Kosovës dhe të Serbisë.

Përkundër këtij fakti është shumë inkurajuese se deri më sot, diku rreth 20.000 (njëzetmijë) qytetarë të komunitetit serbë janë pajisur karta të identitetit të Kosovës. Kjo është një dëshmi shtesë për dëshirën e tyre për tu integruar në institucionet e Kosovës.

Pjesëmarrës të nderuar;
 

Ju e dini e besoj se pajtoheni me konstatimin se krijimi i shtetit të Kosovës ka sjellë stabilitet dhe mundësi të reja për Ballkanin Perëndimor.
 

Kosova ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë, Malin e Zi, dhe natyrisht me Shqipërinë.
 

Por, një nga fqinjët tanë Serbia nuk e pranon realitetin e Kosovës së pavarur dhe punon pandërprerë për ta minuar atë.
 

Përpjekjet e tyre do të dështojnë.

Përkundër kësaj, Kosova së shpejti pritet të përballët me një sprove të madhe për shkak se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet t’a jap opinionin e shumëpritur për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Tashmë është bërë publike se gjykata do ta bëj publike opinionin e saj këtë të enjte, pra me 22 korrik 2010 dhe përderisa ne flasim këtu, me siguri se gjykatësit e nderuar tashmë kanë kryer punën e tyre
 

Unë jam shumë optimist se opinioni i GJND duhet të jetë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
 

Nuk besoj se ndonjë gjykatë kudo, e aq më tepër GJND, do të mund të dal kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre.
 

Mirëpo, çfarëdo që të jetë vendimi, pavarësia e Kosovës mbetet e pakthyeshme dhe liria e popullit tim e përhershme.
 

Megjithëkëtë, partnerët tanë ndërkombëtar në BE dhe këtu në Uashington DC, mendojnë se opinioni i GJND-së mund të sjell një momentum të ri, të cilin Prishtina dhe Beogradi duhet ta shfrytëzojnë për të filluar një dialog teknik i cili do të shënonte fillimin e një faze të re të marrëdhënieve Kosovë –Serbi.
 

Unë si kryeministër, jam shumë i përgjegjshëm dhe ju siguroj se Qeveria e Kosovës gjithnjë është e gatshme për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv, në mënyrë të barabartë, me cilindo shtet tjetër, duke përfshirë edhe Serbinë.

Mirëpo dua ta bëj të qartë se, Institucionet e Republikës së Kosovës kurrë nuk do të ulen me askënd për të negociuar pavarësinë tonë apo integritetin territorial të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e vetëdijshme që bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu çështje janë kyçe për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe kusht për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Kosova është përcaktuar për politikën e fqinjësisë së mirë, për integrime rajonale dhe evropiane.

Raporte të mira fqinjësore mund të krijohen vetëm në baza të marrëdhënieve që udhëhiqen nga politika e bashkëpunimit të drejtë dhe e partneritetit reciprok.

Dialogu me Serbinë në kuptimin e ndërtimit të këtij bashkëpunimi është i dobishëm, i pashmangshëm dhe do të hapë një kapitull të ri të zhvillimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe rajonale.

Mirëpo, për shkak të natyrës së raporteve me Serbinë, mundësia e politizimit të secilës çështje që bisedohet është shumë e madhe.

Pjesëmarrës të nderuar;
Zonja e Zotërinj

Tani me lejoni të përfitoj nga rasti që në këtë institut prestigjioz, të shpalosi për her të parë një kornizë të shkurtër të çështjeve të cilat mund dhe nuk mund të bisedohen në rast të fillimit të dialogu me Serbinë.
 

Unë  mendoj se në frymën e marrëdhënieve të krijuara me vendet tjera të rajonit duhet ta përcjellim edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë .
 

Sfera e çështjeve teknike që mund të diskutohen është shumë e gjerë ndërsa dialogu për zgjidhjen e tyre do të jetë i vazhdueshëm.
 

Ne duhet të fillojmë të bisedojmë për:
 
 
1.      Zgjidhjen e problemeve të krijuara nga lufta:
 
•         Gjetjen e personave të zhdukur (dialogu aktual duhet të avancohet në  shenjen e rezultateve konkrete),
•         Kthimin e refugjateve ne pronat dhe shtëpitë e tyre,
•         Kthimin e dokumentacionit nga Serbia,
•         Çështjet e kthimit të fondit pensional për qytetaret e Kosovës,

2.        Dialogu për bashkëpunimin rajonal:
•         Eliminimi i pengesave në lidhje me pjesëmarrjen në mekanizmat dhe iniciativat rajonale;
•         Tejkalimin e pengesave për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë neper Serbi dhe anasjelltas (njohja e pasaportave, tabelave të veturave etj).
•         Vendosjen e demarkacionit të kufirit etj).
•         Uji, Energjia, CEFTA,

3.       Dialogu për çështjet të interesit të përbashkët në krijimin e një ambienti të sigurt dhe zhvillim ekonomik të cilat përfshijnë bashkëpunimin në:
         Polici,
         Drejtësi,
         Dogana,
         Transport,
         Energji,
         Arsim etj.
 

Shumica e këtyre çështjeve janë të ‘natyrës humane’ dhe nuk ka asnjë lloj arsyeje që zgjidhja e tyre të prolongohen.

Ne jemi gati që ti zgjidhim këto çështjet, mirëpo shtrohet pyetja se a është e gatshme Serbia?

Tani është koha që të ndihmohet pjesëmarrja e Kosovës në iniciativat rajonale. Një gjë e tillë është kritike për ti adresuar dhe zgjidhur problemet e përbashkëta për popujt e rajonit dhe jetike për të ndërtuar marrëdhënie të mirë ndërfqinjësore në të tërë rajonin me qëllim që të ecim bashkërisht drejt BE-së.

Sido që të jetë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që në çfarëdo rrethane të krijuar pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të mos lejojë që në procesin e dialogut eventual me Serbinë të preken çështjet si në vijim:

•         Statusi politik i Republikës së Kosovës – Kosova e ka shpallur pavarësinë në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës dhe pas shterjes së të gjitha mundësive për arritjen e një marrëveshje të pajtuar nga të gjitha palët. Shpallja e pavarësisë është bërë pas negociatave të gjata direkte dhe me ndërmjetësimin e të gjithë aktorëve kryesorë ndërkombëtar udhëhequr nga i emëruari i Kombeve të Bashkuara dhe kanë përfshirë Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuar atë Amerikës dhe Rusinë.
 
•         Çështjet që lidhen me integritetin territorial të Republikës së Kosovës – Çdo ide për diskutim që do të vinte në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës do jetë i papranueshëm për institucionet  dhe popullin e Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin përcakton se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Hapja e çështjes së ndryshimit të kufijve të Kosovës në mënyrë të pashmangshme do ketë implikime zingjirore edhe në vendet tjera për rajonin përfshirë Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën etj.
 
•         Çështjet që janë në kundërshtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës – Zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është kriteri vital dhe parakushti i vetëm për funksionimin shtetit të Kosovës. Kushtetuta është hartuar si rezultat i një konsensusi ndërkombëtar dhe mbi bazat e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin. Kushtetuta qëndron mbi themelet e një kornize të gjerë legjislative që garanton mbrojtjen e të drejtave të gjithë popullsisë së Kosovës e në veçanti komuniteteve jo shumicë. Kushtetuta përcakton parimet dhe dispozitat si dhe mekanizmat që garantojnë përfaqësimin e komuniteteve pakice dhe rolin e komuniteteve në të gjitha institucionet publike. Një status të avancuar që garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës për komunitetet pakicë mund të merret si shembull edhe nga shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë.
 

Qeveria e Republikës së Kosovës pranon që dialogu i mundshëm teknik me Serbinë të bëhet me ndërmjetësimin zyrtar të BE-së dhe SHBA-ve të cilët do të jenë edhe garantues për zbatimin e çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në nivele të fushave që diskutohen.

Dua të ritheksoj edhe njëherë që integrimi në strukturat Euro-Atlantike jo vetëm e Kosovës, por i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është çelës për zhvillim ekonomik dhe stabilitet afat-gjatë.
 

Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar me BE-në për të plotësuar kriteret për anëtarësim në BE dhe unë shpresoj që liberalizimi i vizave do të jetë përfitim i parë kësaj përpjekjeje.

Ndërsa në anën tjetër KFOR-i po reduktohet dhe pritet që gradualisht ta përmbyll misionin e tij të suksesshëm në Kosovë, ne po angazhohemi me Aleancën e madhe që Forca e Sigurisë e Kosovës të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe dhe që përfundimisht të hyjmë në një Plan të Veprimit për anëtarësim.
 

Zonja e zotërinj,
 

Procesi i shtet-ndërtimit në Kosovë, përkundër sfidave të shumta, është një proces shumë i suksesshëm.
 

Vetem për dy vite të funksionimit si shtet, ne kemi arritur të themelojmë dhe funksionojmë të gjitha institucionet e shtetit tone dhe të zbatojmë në praktikë dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari.
 

Dy vite pas bërjes së shtetit tonë, ne po fitojmë më shumë vetëbesim dhe kemi fituar aftësi për t’i menaxhuar punët tona.
 

Unë besoj se periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur, siç parashihet në Planin Ahtisaari, po i vije fundi dhe sfida jonë në të ardhmen do të jetë për të ecur përpara me aspiratat tona Euro-Atlantike.
 

Konsiderojmë se Kosova si shtet demokratik multi-etnik është sukses i investimit të madh të bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti i BE-se dhe SHBA-ve.
 

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Last modified: 20 Korrik, 2010

Comments are closed.