Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti thirrje qytetarëve: Ta kalojmë këtë situatë me virusin COVID-19, bashkërisht, duke qëndruar vetëm

21 Mars, 2020

 

Prishtinë, 21 mars 2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media lidhur zhvillimet që kanë të bëjnë rreth përhapjes së virusit COVID-19, por edhe masat që vazhdimisht janë duke i ndërmarrë që të ndalohet përhapja e Corona Virusit në vendin tonë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta frenojnë përhapjen e virusit COVID-19 dhe ta mbajnë në funksion të plotë sistemin tonë shëndetësor.

“Shëndeti publik është i publikut. I gjithë publiku, secili prej neve, duhet të kujdeset për vetën dhe për të tjerët. Prandaj rri i pastër, rri në distancë, rri në shtëpi”, theksoi kryeministri Kurti në konferencën para medieve.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se po mundohen dhe do të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre që këtë situatë ta menaxhojnë me korrektësinë më të madhe, derisa informoi se përtej masave që kanë ndërmarrë deri tani, për momentin në Kosovë janë 142 respiratorë: 95 në sektorin publik dhe 47 në atë privat, dhe me qëllim që t’i forcojnë këto kapacitete kanë porositur blerjen e 50 respiratorëve të ri dhe gjithashtu po presin që të porosisin edhe një kontingjent tjetër.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të  nderuar gazetarë,

Punonjës të mediave,

Konferencave në ambient të mbyllur u erdhi fundi por se shpejti do të na duhet që edhe këto konferenca më ambient të hapur t’i përfundojmë në mënyrë që të komunikojmë vetëm përmes internetit, përmes telefonit pasiqë çfarëdo grumbullimi paraqet rrezik gjithnjë e me të madh.

Ne kemi kaluar shumë kriza si popull, por kjo është një krizë më të cilën nuk është se jemi përballur ndonjëherë. Ne duhet ta mbajmë si gjendje dhe të mos e lejojmë të kthehet në krizë të pakthyeshme. Pra, ta frenojmë përhapjen e virusit COVID-19 dhe ta mbajmë në funksion të plotë sistemin tonë shëndetësor.

Ne shpresojmë që gjendja të mos na paraqitet e rëndë në ditët e javët në vijim. Por meqë kemi parë në shtetet më të zhvilluara, sidomos në Evropë, kurba, lakorja e përhapjes së virusit po zgjerohet. Andaj, duhet ta frenojmë sa më shumë.

Dhe frenimi bëhet me distancë dhe me qëndrim brenda shtëpive tona, e me higjienë sa më të lartë. Jemi para shifrave të mëdha të përhapjes së Virusit Korona në Evropë.

Dhe, nuk bën të ndihemi disi të vetëkënaqur që nuk jemi përball një krize të tillë edhe në Kosovë, megjithëse ne jemi vetëm në fazën e parë. Duhet të vetdijësohemi, të ndërgjegjësohemi të gjithë, se kujdesi nuk u takon vetëm punonjësve të shëndetit publik. Shëndeti publik është i publikut. I gjithë publiku, secili prej neve duhet të kujdeset për vetën dhe për të tjerët.

Prandaj, ne mbrëmë i kemi mbyllur parqet. Kemi marrë vendim që nga ora 08:00 e mëngjësit deri në orën 20:00 të darkës të jenë të ndaluara për qëndrim dhe lëvizje brenda. Gjithashtu kemi ndaluar mundësinë për të marrë me vete të pije të ngrohta, Take Away siç thuhet.

Duhet ta përsërisim atë që kurrë nuk është e tepërt ta përsërisim. Disiplinë individuale, higjienë personale, përgjegjësi qytetare. Pra, pastrim, distancë, e në shtëpi. Pastrim, distancë e në shtëpi. Rri i pastër, rri në distancë, rri në shtëpi. Po kërkojmë që më e mira në këtë rrezik pandemik për njeriun, të jetë që ai të qëndrojë vetëm. Dhe kjo, në shikim të parë ngjanë paradoksale. Por frenimi i përhapjes së virusit e kërkon këtë gjë me forcë. Le të mësojmë nga fatkeqësia nga vendet e tjera që të mos e përsërisim këtu tek ne.

Teknologjia, sidomos teknologjia informative, pra digjitale, deri tani na ka zbavitur por tani duhet të kthehet në solidaritet digjital. Vendime do të merren ditë pas dite. Ne ende nuk jemi në javën që do të tregojë figurën e vërtetë të gjendjes së shëndetit publik tek ne.

Masat si shtyerja pa afat e përdorimit të internetit, shërbim që mund të na japë mundësinë të vijojmë jetën edhe pse të izoluar në mënyrë të plotë, është një gjë e duhur. Virusi COVID-19,  ka një inkubim të tillë për të cilin ne do ta njohim të vërtetën mbi shfaqjen e tij vetëm në dy javët e ardhshme.

Le t’i paraprijmë pra. Kurba apo lakorja e përhapjes është në dorën tonë. Nëse tregohemi të përgjegjshëm, ajo do të jetë e ulët dhe jo shumë e shtrirë. Në këtë kohë, në veçanti, duhet t’i mbrojmë pleqtë tanë. Duhet ta mbrojmë gjyshen e gjyshin. Duhet ta mbrojmë nënën e babain, meqenëse moshat më të shtyera janë shumëfish më në rrezik.

Të rinjve mund të ju duket se nuk janë të sëmurë meqenëse i karakterizon energjia dhe vitalitetet e tyre, meqenëse e kanë imunitetin e lartë, mirëpo ata mund të jenë bartës që të përhapin sëmundjet tek anëtarët e tyre të familjes, përfshirë këtu më të moshuarit. Në një studim, prej panumër sosh që po dalin këto ditë, u tha se aty ku pleqtë kanë qenë më shumë nëpër banesat publike a sociale për pleqtë, për dallim prej atyre që kanë qenë nëpër familjet e tyre, shkalla e vdekshmërisë por edhe e sëmundjeve paraprakisht  është më e ulët.

Mirëpo, në kulturën tonë,  në rrethanën tonë ne e dimë që shumica dërmuese, për të mos thënë që të gjithë me pak përjashtime, të të moshuarve tanë jetojnë bashkë me neve, jetojnë në familjet tona. Dhe ata i kemi në front të kësaj beteje, ndonëse mund të mos na duket kështu.

Gjyshja, gjyshi, nëna, babai, janë njerëzit më të rrezikuar sot.  Dhe këta duhet t’i mbrojmë. Duke ruajtur vetën, ne mbrojmë edhe ata. Le të vetdijësohemi e le të ndërgjegjësohemi bashkërisht për këtë. Le të flasim me të afërmit, miqtë e dashamirët që i kemi, me shokët e shoqët, përmes telefonit dhe internetit. Ka aq shumë aplikacione të ndryshme ku mund të flasim dhe shikohemi më figurë dhe në këtë mënyrë ta kalojmë bashkërisht duke qëndruar vetëm. Bashkërisht, duke qëndruar vetëm.

Jemi bashkë në të njëjtën situatë, sepse virusi nuk përzgjedhë njerëz për nga rajoni apo për nga mosha, mirëpo vdekja i prek më së shumti ata që janë më të moshuar. Pra, le t’i ruajmë gjyshen e gjyshin, nënën dhe babain, të gjithë ne që jemi ose në moshë të re ose në moshë të mesme.

Për fund, bëj thirrje që të respektohen vendimet e Qeverisë, zbatoni këshillat e ekspertëve tanë.
Fjala e plotë e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia:

Faleminderit kryeministër,

Të dashura media, faleminderit edhe juve që këto ditë keni qenë edhe ju ushtarë në këtë betejë kundër COVID-19, duke raportuar në mënyrë të drejtë dhe pa përhapur panik, mirëpo në mënyrë të drejtë seriozitetin e kësaj sëmundje dhe pasojat që kjo sëmundje mund të sjellë në shëndetin publik në Republikën e Kosovës.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot jemi këtu që të bëjmë edhe një adresim tonin, përveç dy pjesëve që më duhet t’ju informoj pjesa tjetër është jo më për t’ju treguar se çfarë po bëjmë ne për menaxhimin e situatës për të parandaluar përhapjen e Koronavirusit Covid-19, por për të kërkuar edhe një herë fuqishëm nga Ju, që të veproni me seriozitetin maksimal për të ndihmuar institucionet në luftën tonë të përbashkët, për të ndihmuar veten tuaj, familjet tuaja dhe shtetin tonë.

Përtej masave që kemi ndërmarrë deri tani, për momentin dua t’ju informoj se në Kosovë janë 142 respiratorë: 95 në sektorin publik dhe 47 në atë privat, dhe me qëllim që t’i forcojmë këto kapacitete kemi porositur blerjen e 50 respiratorëve të ri dhe gjithashtu po presim që t’i porosisim edhe një kontingjent tjetër. Këta 50 respiratorë, një pjesë pritet të vijnë në muajin prill, kurse pjesa tjetër në muajin maj.

Informata e dytë që dua ta ndaj me ju është se brenda pak ditësh do t’i kemi edhe dozat e para të produktit Klorokine (Chlorochuine), por duhet përmendur se akoma, po e përsëris, akoma nuk ka një bar i cili është treguar i suksesshëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje, në mënyrë të përgjithshme.

Ne po mundohemi dhe do të bëjmë krejt çka është në dorën tonë që këtë situatë ta menaxhojmë me korrektësinë më të madhe, duke siguruar të gjitha masat përfshirë edhe këto, por këto janë masat me ekstreme në rastin më ekstrem. Atëherë nuk kemi sigurinë që as respiratorët e as terapia do ta bëjnë të veten.

Por, po e përsëris, edhe një herë, sot jemi këtu për ta bërë të qartë se do të jetë e kotë çfarëdo mase që të ndërmarrim  kundër kësaj sëmundje  nëse qytetarët nuk i zbatojnë masat që ka marrë Qeveria dhe rekomandimet që kanë dhënë institucionet përkatëse si Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë.

Është momenti i fundit ta kuptojmë se kjo situatë është mjaft serioze. Korona virusi është realitet dhe sot po mbjell vdekje gjithandej globit.

Dy-tre javët e ardhshme, ashtu siç përmendi Kryeministri, janë vendimtare për luftën tonë. Nëse jemi në krye të detyrës, ne si institucione dhe ju si qytetarë, do ta kalojmë këtë situatë serioze me sa më pak pasoja. Para vetes kemi dy shembuj, disiplinën në disa vende dhe reagimin e shpejtë dhe neglizhencën në vendet e tjera dhe reagimin e ngadaltë, sidomos, po e përsëris, nga qytetarët. Jemi dëshmitarë që vendet që kanë neglizhuar këtë situatë sot dhe qytetarët që e kanë neglizhuar seriozitetin e kësaj sëmundjeje, pavarësisht sistemeve të tyre të mira shëndetësore, situata pothuajse në disa vende ka dalë jashtë kontrollit.

Prandaj, qytetarë të dashur, është momenti i fundit që të bëhemi bashkë në këtë situatë. Pasi që nuk ka askund në botë akoma as ilaç për shërim, ashtu siç e përmendem e as vaksinë për parandalim, dhe arma e vetme në këtë betejë që tani e kemi është kujdesi, solidariteti dhe disiplina.

Krejt çfarë mund të bëni është të rrini në shtëpi me të dashurit tuaj. Kështu e mbroni veten, familjarët tuaj dhe shëndetin e të gjithëve.

Fatin e përballjes tani e kemi bashkërisht të gjithë në duart tona.

Nëse deri sot heronjtë kanë qenë dhe po vazhdojnë të jenë personeli shëndetësor, nga sot secili nga ne duhet t’i bashkohemi kësaj ushtrie të mantelbardhëve.

Prandaj, të kryejmë të gjitha obligimet qytetare, humane por edhe ligjore në mbrojtjen e shëndetit publik:

Rrini në shtëpi!
Mbani higjienën personale dhe familjare!
Mbani distancën sociale!

Ju bëj thirrje komunave që të zbatojnë masat e Qeverisë, duke bërë dezinfektimin e objekteve, pastrimin e rrugëve dhe masat e tjera të domosdoshme.

Kisha edhe një adresim të veçantë për personat që po mbahen në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Lufta kundër Covid -19 mund të fitohet me më pak humbje nëse ne të gjithë japim kontributin tonë në këtë drejtim.

Njëra prej tyre është edhe karantina.

Jemi të vetëdijshëm se kushtet aty nuk janë më të mirat që do t’i dëshironim për ju, por do të punojmë për ngritjen e higjienës dhe nivelit të kushteve të tjera në përgjithësi vazhdimisht këto ditë, dhe vazhdimisht jemi duke punuar.

Por ju lutem që të jeni të vetëdijshëm se kushtet aty janë në nivel më të mirë se në disa shtete ku karantinat janë bërë tanimë edhe në tenda, edhe në ndërtesa kooperativash, edhe në qendra sportive dhe tregtare si dhe qendra të tjera.

Ju lusim të mirëkuptoni, se kjo është një situatë emergjente dhe sakrifica që po bëni është për të mirën e juaj, për të mirën e familjeve tuaja dhe për të mirën e qytetarëve të Kosovës, për shtetin e Kosovës. Ju lusim për pak durim, sepse disiplina dhe të vepruarit me gjakftohtësi, racionalitet dhe mirëkuptim, na e bën më të lehtë luftën të gjithëve së bashku.

Ju rikujtoj gjithashtu se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë bërë të qartë mbrëmë edhe përmes një postimi se secili nga qytetarët tanë që futet në Republikën e Kosovës, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës apo kufijve tokësor, do të dërgohet në karantinë për 14 ditë.

Për shkak të kapaciteteve të kufizuara të karantinimit dhe në mënyrë që mos ta rrezikoni shëndetin tuaj, të familjes suaj dhe qytetarëve të tjerë, ju bëjmë thirrje edhe njëherë bashkatdhetarëve tanë që vetëm rastet të cilat kanë urgjenca, të paraqiten në Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës, për t’u përfshirë në listën e kthimit.

JU LUTEM RRINI NË SHTËPI!
ATY ËSHTË SIGURIA!
ATY ËSHTË FITORJA JONË E PËRBASHKËT!

Sepse duhet ta kemi parasysh se polici nuk është antivirus, e as ushtaraku nuk është vaksinë dhe gjithashtu personeli shëndetësor nuk është imun ndaj kësaj sëmundje.

Mos keni turp të kemi frikë nga virusi por të bashkohemi në këtë betejë dhe vetëm në këtë mënyrë mund t’ja dalim me sa më pak pasoja. Ju faleminderit.

Last modified: 21 Mars, 2020

Comments are closed.