Zyra e Kryeministrit

Intervistë e kryeministrit Haradinaj në televizionin Vizion Plus

9 Maj, 2019

Prishtinë, 9 maj 2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Vizion Plus, ka folur rreth Samitit të Berlinit, për të cilin ka thënë se ka qenë një sukses i madh, i jashtëzakonshëm dhe është ndër ngjarjet më të mira që kanë mundur të ndodhnin.

Më tutje, kryeministri foli edhe për qëndrimet e kancelares Merkel dhe presidentit Macron për taksën e vendosur ndaj mallrave serbe dhe tha se, ata kanë kërkuar një kontribut nga pala e Kosovës që të pezullohet taksa për një kohë të caktuar, që të ndodhë një dialog më i relaksuar. “Unë këtë s’kam mundur ta bëj, sepse s’kam si. Ky është kusht i Serbisë dhe nuk mund të pranoj kushte nga Serbia si vendviktimë. Ata po i mohojnë tani edhe krimet që i kanë bërë dhe nuk guxoj të kthehem në këtë drejtim, kur Serbia të jetë gati, ne të ulemi. Kushte të na vendosë Serbia për dialog, nuk jemi”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, lidhur me temën e korrigjimit të kufijve, tha se fakti pse i është marrë procesi zonjës Mogherini, mjafton. Procesi ka kaluar në përgjegjësi të dyshes, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron dhe kjo është shpëtim për ne dhe garancë dhe nuk do të befasohemi në ndonjë propozim-marrëveshje të gabuar. “Jam shumë i kënaqur që i është heq procesi, dialogu, zonjës Mogherini dhe që ka kaluar në këto kompetenca kaq serioze, që mbajnë përgjegjësi direkte dhe mendoj që kjo është mirë që ka ndodhë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, foli edhe për njohjen e Kosovës nga Serbia, si dhe shumë tema të tjera me rëndësi për vendin. E plotë intervista, mund të ndiqet në videon e bashkëngjitur.

Last modified: 9 Maj, 2019

Comments are closed.

×