Prishtinë, 5 janar 2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Shala, me rastin e vdekjes së ish-oficerit të lartë të UÇK-së, Shaban Shala.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
E nderuara familje Shala,
Me pikëllim të madh morëm lajmin që ish-oficeri i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shaban Shala ndërroi jetë.
Jeta dhe veprimtaria e Shaban Shalës gjithmonë ka qenë në shërbim të çlirimit të Kosovës, që nga angazhimi i tij në lëvizjen kombëtare nga fundvitet e 70-ta, demonstratat e vitit 1981, ish i burgosur politik, që veproi edhe si aktivistë i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut e deri në inkuadrimin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si oficer i lartë i UÇK-së.
Kontributi i veprimtarit Shaban Shala ka vazhduar edhe pas çlirimit të Kosovës, duke u angazhuar në forcimin dhe avancimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës.
I gjithë ky kontribut i veprimtarit Shaban Shala, në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të Kosovës, do të mbetet i shënuar në historinë më të re të Kosovës dhe do të kujtohet me respektin më të lartë nga gjeneratat e tashme dhe të ardhshme.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim pranoni ngushëllimet më të sinqerta.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Last modified: 5 Janar, 2012