Prishtinë, 29 shtator 2010
Qeveria ka shqyrtuar dhe aprovuar projektligjet për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto-përgjegjësia ndaj Palëve të Treta, i cili adreson krijimin e bazës ligjore për sigurimin e detyrueshëm të auto-përgjegjësisë, përcaktimi i kritereve dhe mekanizmave me anë të të cilëve u ofrohet mbrojtje police-mbajtësve dhe palëve të dëmtuara, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-40 për Vetëqeverisjen Lokale me të cilin përkufizohet statusi ligjor i komunave, kompetencat dhe parimet përgjithshme të financave komunale, organizimin dhe funksionimin e organeve komunale, marrëdhëniet në komunë dhe bashkëpunimin ndërkomunal duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave dhe pushtetit qendror.
Në vargun e vendimeve për implementimin e Projektit për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot vendimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme në zonat kadastrale, Tërnje, Leshan dhe Sllapuzhan të Komunës së Suharekës.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj, ka emëruar Këshillin Mbikëqyrës të Agjencionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale udhëhiqet nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili përbëhet nga Mbikëqyrësi Kryesor Shtetëror dhe 4 (katër) Mbikëqyrës Shtetëror. Propozimet për Mbikëqyrësin Kryesor Shtetërorë dhe Mbikëqyrësit Shtetëror do të dërgohen në Kuvend për aprovim në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Me vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës, komuniteti i të shurdh-memecëve do ta ketë të zyrtarizuar Gjuhën e Shenjave. Sigurimi i të drejtave gjuhësore për personat e Shurdhër është një nga prioritetet për të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës ka punuar dhe tanimë ka finalizuar punën që kjo e drejtë themelore të respektohet dhe të jetësohet edhe në Kosovë.
Strategjia Legjislative për vitin 2010 do të plotësohet edhe me Projektligjin për Riorganizimin dhe Likuidimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së tyre, Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-067, për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L0-146 për Tatimin në Vlerën e Shtuar, Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2004/18 për Tregtinë e Brendshme, Projektligjin për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-069 për Akreditim dhe me Ligjin për Sistemin e Adresave.
Qeveria ka vendosur që të ndaj 100,000.00 (njëqind mijë) euro si bashkëfinancim me projektin Reforma e Sistemit të Arsimimit Juridik, dhe 200,000.00 (dyqind mijë euro), për Zyrën e Kryeministrit në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.
Në mbledhje është aprovuar edhe Planit i veprimit për Parandalimin e Ekonomisë Joformale në Kosovë për vitin 2010-2011. Parandalimi i ekonomisë joformale, duke përfshirë edhe korrupsionin dhe format tjera të ekonomisë së zezë, janë pjesë themelore e prioriteteve të politikave të Qeverisë.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit Nr. 02/84 të datës 1 tetor 2009. Vendimi rregullon funksionimin Agjencisë Kadastrale të Kosovës, pas kalimit të tij në menaxhim Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Gjithashtu është vendosur në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, që Fondi Inicial për Zbatimin e Strategjisë për Ri-integrimin e personave të Riatdhesuar të transformohet në “Programin për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar” në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Qeveria ka ndarë mjetet në vlerë prej 30.000 euro, për të ndihmuar shërimin e ish-ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, jashtë vendit.
Qeveria ka vendosur edhe për krijimin e një komisioni që do të vlerësojë dëmet gjatë gërmimeve për hulumtimin e varrezës masive, në një pronë private, në Zhilivodë të Vushtrrisë. Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është krijuar një grup ndërministrorë për reformimin e ambientit të biznesit në Kosovë.
Qeveria ka miratuar Strategjinë Zhvillimore për Institutin e Administratës Publike të Kosovës.
Last modified: 29 Shtator, 2010