Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Haradinaj: Malta është vend mik i Kosovës

19 Tetor, 2018

Prishtinë, 19 tetor 2018

“Malta është një nga vendet mike të Kosovës dhe ne kemi zhvilluar gjithmonë raporte korrekte me këtë vend. Ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe Kosova është e përkushtuar që të avancojë me raportet e ndërsjella në të gjitha fushat”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim ambasadorin e Maltës, jorezident në Kosovë, Godwin Pulis.

Kryeministri Haradinaj e njoftoi Ambasadorin Pulis me progresin e arritur në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimet evropiane, si dhe fuqizimin në rend dhe ligj.

Duke e falënderuar për kontributin e Maltës dhënë për shtetndërtimin e Kosovës në të gjitha fazat e saj, kryeministri Haradinaj, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral me këtë shtet mik edhe më tutje, duke u fokusuar më shumë në bashkëpunim në fushën e arsimit dhe në fuqizimin e partneritetit ekonomik mes dyja vendeve.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga Ambasadori Pulis mbështetjen e vendit të tij në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Ambasadori Godwin Pulis, shprehu përkrahjen e Maltës për Kosovën si dhe përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.

Last modified: 19 Tetor, 2018

Comments are closed.