Prishtinë, 21 shtator 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi sot ka arritur një marrëveshje me përfaqësuesit e vreshtarëve të komunës së Rahovecit. Qeveria ka siguruar 1 mijë euro për hektarë të vreshtave të rrushit të përpunuar. 50 për qind e pagesës do të bëhet deri më 31 dhjetor të këtij viti dhe pjesa tjetër në janar të vitit të ardhshëm.
“Ky është një subvencionim i asaj që është djersë, është punë, por edhe i asaj të ruajtjes së kultivimit të hardhisë së rrushit në Republikën e Kosovës”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi. Ai me këtë rast falënderoi vreshtarët e Rahovecit për mirëkuptimin që kanë treguar, kryetarin e komunës së Rahovecit Qazim Çeska dhe anëtarët e Qeverisë për një qëndrim të tillë për çka, siç theksoi zëvendëskryeministri Kuçi, e ka përkrahjen edhe të kryeministrit Hashim Thaçi.
“Ne nuk kemi dëshirë ta shohim asnjë qytetarë të Kosovës duke protestuar, aq më pak ata që kanë punuar dhe punojnë me zell. Ne kemi biseduar edhe me kompanitë private, por Qeveria nuk imponon qëndrime ndaj tyre, respekton pavarësinë e tyre”, theksoi z. Kuçi.
Përfaqësuesit e vreshtarëve të komunës së Rahovecit u shprehën të kënaqur me propozimin e Qeverisë së Kosovës. Ky vendim është shumë i drejtë për vreshtarët. Ky vendim i kthen investimet e tyre dhe ata nuk do të dëmtohen në këtë drejtim, kanë thënë ata me këtë rast.
Edhe kryetari i Komunës së Rahovecit Qazim Çeska ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për subvencionim e vreshtarëve duke shtuar se ndjehet shumë krenarë për marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës dhe vreshtarëve të Rahovecit.
Last modified: 21 Shtator, 2010