Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

20 Shtator, 2010

Prishtinë, 20 shtator 2010

Mbrëmë, kryeministri Hashim Thaçi së bashku me presidentin Sejdiu kanë zhvilluar një takim me presidentin e Republikës së Afrikës Qendrore, François Bozizé, në të cilin është biseduar për zhvillimet në Republikën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

Në këtë takim u bisedua për aktualitetin politik ndërkombëtar rreth Kosovës, pas konfirmimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe pas miratimit të Rezolutës nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ndërsa, në takimin e kryeministrit Thaçi me kongresistin amerikan, Eliot Engel është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve, për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për qeverisje të mirë, transparente, efektive, të bazuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, në respektimin afirmativ të komuniteteve dhe në vizionin për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ritheksoi se pas opinionit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe pas miratimit të Rezolutës për Kosovën, nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e njeh këtë opinion të GJND-së dhe realitetin e krijuar në Kosovë, Republika e Kosovës po vazhdon me hapa të sigurtë drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, dhe avancimit të proceseve zhvillimore në të gjitha sferat.

Kryeministri Hashim Thaçi në takim shprehu edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për angazhimet permanente të kongresistit Engel për mbështetjen e procesit të çlirimit, të pavarësimit dhe tani të zhvillimit ekonomik dhe të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

Po sot, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillojë një takim edhe me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashme dhe Politikë të Sigurisë, baroneshën Catherine Ashton. Në takim do të diskutohen tema që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit për Kosovën, hapat që do të ndërmirren pas opinionit pozitiv të GJND-së dhe rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kosovën, veçanërisht hapat që ndërlidhen me bashkëpunimin ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për përkushtimet e institucioneve të Kosovës për përmushjen e standardeve për integrim në Bashkim Evropian, posaçërisht lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.

Kryeministri Thaçi sot do të mbajë një ligjëratë në Hudson Union Society. Fokus kryesor i ligjëratës do të jenë të arriturat e Republikës së Kosovës në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, me theks të veçantë pozicioni ndërkombëtar i Kosovës dhe procesi i njohjeve të reja pas të arriturave të fundit të vendit.

Last modified: 20 Shtator, 2010

Comments are closed.