Prishtinë, 14 shtator 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pas fjalimit që ka mbajtur në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK), i është përgjigjur edhe interesimit të studentëve dhe profesorëve lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe ekonomikë ne vend.
Në vazhdim po japim thekse nga përgjigjet e kryeministrit Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi është përgjigjur në interesimin e studentëve lidhur me pjesëmarrjen e delegacionit kosovarë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork:
Për vetëm dy muaj, Kosova shënoi dy fitore historike në raport me Serbinë, një në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila konfirmoi vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, dhe së dyti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila e vulosi këtë vullnet dhe si rrjedhojë edhe shtetësinë e Kosovës.
Kjo fitore, është meritë e diplomacisë së Kosovës dhe e aleatëve ndërkombëtare, të cilët punuan për ta mundur Serbinë. Me rezolutën e OKB-së, institucionet më të larta botërore e legalizuan dhe e legjitimuan shtetin e Kosovës, legalizim ky që i hap rrugë njohjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës edhe nga vende tjera.
Serbia e ka kërkuar humbjen dhe e gjeti atë, pikërisht në organizatën më të madhe botërore – OKB.
Unë kam qenë ithtar i mundjes, pra i hedhjes në votim të asaj draft -rezolute, në mënyrë që të shihej fuqia, edhe diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e Serbisë. Serbia e kishte nuhatur këtë ngadhënjim të Kosovës dhe atë disfatë të saj, prandaj u tërhoq dhe ndoshta bëri mirë që u tërhoq, mirëpriti rezolutën e përpiluar dhe sponsorizuar nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por përsëri një rezolutë që njeh dhe respekton mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Dhe Serbia me gojën e vet e lexoi këtë rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
E kam ditur se projektrezoluta serbe, po të hidhej në votim si e tillë, do të pësonte fiasko, nga puna dhe angazhimi diplomacisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
– Pjesëmarrja e delegacionit më të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka ndodhur për herë të parë në historinë e Kosovës dhe ky është suksesi i një kapitull të ri historik për Republikën e Kosovës.
Delegacioni i Kosovës ka qenë delegacion i plotë, në kuptimin, nga Presidenti, Kryeministri, MPJ-ja dhe përfaqësitë diplomatike apo të ambasadës sonë në Uashington, por edhe të konsullatës sonë në Nju Jork.
Tash jemi shtet dhe do të jemi në kuptimin ekipor fuqiplotë, por me sukses të vazhdueshëm.
Studentja Mimoza Selmani, për kryeministrin e Republikës së Kosoëvs, Hashim Thaçi kishte këtë pyetje: Pas përmbylljes së procesit politik dhe juridik të pavarësisë së Kosovës, a do të fokusoheni më shumë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik?
– Ne do të vazhdojmë me agjendën tonë të konsolidimit dhe forcimit të shtetit.
Do të vazhdojmë me procesin e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës; do të vazhdojmë me përkushtimet për rritjen e zhvillimit ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve dhe në këtë drejtim ky është viti vendimtar i nxjerrjes së vendimeve më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, në veçanti të transformimit të ekonomisë kosovare.
Ky është viti në të cilin kemi nxjerrë vendime për fillimin, domethënë ka filluar ndërtimi i autostradës Vërmicë-Prishtinë në drejtim të Merdares, që është vepra më kolosale në historikun infrastrukturor në Kosovë.
Është një projekt që kushton mbi 700 milionë euro, por i domosdoshëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët e vendit, për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Vetëm në këtë projekt, janë duke u punësuar 4000 qytetarë të Republikës së Kosovës dhe nga kjo autorrugë do ët jenë fitues të gjithë: shteti, qytetarët, biznesi, ekonomia. Por, në të njëjtën kohë është menduar që Kosova të afrohet më afër detit dhe kjo po ndodh. Prishtina do të jetë afër detit për distancë tri orësh nga 15 orësh.
Po këtë vit është mbyllur koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, që kanë ardhur investitorë të fuqishëm ndërkombëtar dhe këtu dua të theksoj se ne, si Qeveri e Kosovës kemi krijuar kushte dhe ambient afirmativ, të sigurt dhe kreativ, por edhe sigurinë mbi të gjitha për investitorët ndërkombëtar.
Kemi investime edhe amerikane, edhe atyre të Bashkimit Evropian dhe ka siguri, dhe, jemi duke treguar sukses në këto investime.
Gjithashtu, do të vazhdojmë me procesin e privatizimit të PTK-së, në mënyrë që sektori privat ët avancohet, t’i merr përgjegjësitë që i takon, të depolitizohet, por edhe të largohet ndikimi i Qeverisë nga ndërmarrjet publike, si parakusht i domosdoshëm edhe për menaxhim të mirë, edhe për luftimin apo pengimin që kanë ndodhur në të kaluarën në ndërmarrjet publike.
Por, një nga sfidat më të mëdha për Republikën e Kosovës, ekonominë e saj është çështja e energjetikës.
Në këtë drejtim, tani më jemi në fazën finale të përmbylljes së projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. është një projekt prej 600 megavatesh.
Tani kemi katër konzorciume prej më të fuqishmëve botërore të interesuar për të investuar në Kosovë.
Dua të besoj se gjithçka do të përmbyllet suksesshëm, me një transparencë të plotë dhe për këtë kemi siguruar dhe garantuar gjithë investitorët ndërkombëtarë, dhe Kosova definitivisht do të fillojë të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin energjetik, jo vetëm me 24 orë rrymë, por edhe me një bazë të fuqishme për ekonominë, biznesin dhe pastaj edhe krijimin e vendeve të punës.
Do të vazhdohet edhe me procesin e privatizimit të distribuimit të KEK-ut, që është gjithashtu në fazën finale, por do të punohet edhe në projektin e hidrocentralin e Zhurit, projekt me 300 megavatë. Edhe këtu kemi investitorë të fuqishëm të interesuar dhe unë dua të besoj se këto projekte do të përmbyllen gjatë këtij viti, maksimalisht deri në pranverë të vitit të ardhshëm.
Ju siguroj ju, qytetarët e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë se gjithë procesi do të përmbyllet me sukses, me një transparencë të plotë.
Me siguri ju keni dëgjuar opinione se po shiten pronat e Kosovës.
Të nderuar studentë, me vlerësimin më të lartë dëshiroj t’ju them se reforma ekonomike nuk është shitje, është cilësi, afirmim, është ekonomia e lirë e tregut, ne vend të mentalitetit të ekonomisë së planifikuar apo të centralizuar socialiste.
Ne jetojmë në botën e lirë, në botën e lirë të tregut dhe këtë proces do ta udhëheq suksesshëm dhe jam i bindur se do të jap rezultate për Kosovën.
Sa i përket problemit të energjetikës, a mund të na thoni se deri kur KEK-u do të ketë monopol? Ishte një pyetje në të cilën kryeministri Thaçi dha këtë përgjigje:
– Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi konceptual mes atyre që e përkujtojnë me nostalgji të kaluarën dhe atyre që pretendojnë të fusin konkurrencën, në mesin e të cilëve jam edhe unë, që udhëheqë këtë qasje të konkurrencës dhe jo monopolit, të ekonomisë së lirë të tregut dhe jo centralizimit.
Njëri nga profesorët e Universitetit Amerikan u interesua të dijë se si e sheh kryeministri Thaçi rolin e këtij universiteti në zhvillimin e shoqërisë kosovare:
– Kosova është shteti më i ri në botë, pro është vend i mundësive të mëdha dhe në veçanti këto mundësi duhet dhe po i shfrytëzon rinia e Kosovës.
Një nga prioritetet kryesore, të miat dhe së bashku me ministrinë e Arsimit, ka qenë investimi në edukim, sepse jemi të bindur se vetëm duke investuar në edukim, ne do të investojmë në të ardhmen e sigurt zhvillimore të Republikës së Kosovës, në të ardhmen, të cilën do ta udhëhiqni ju si lidership edhe i politikës, edhe i shoqërisë civile, medias, ekonomisë, biznesit, sektorit privat dhe të gjitha sferave në kuptimin më të përgjithshëm shtetëror dhe qytetar.
Derisa javën e kaluar mbaja fjalim në Universitetin Columbia në Nju Jork, mendoja për Universitetin Amerikan në Prishtinë, se edhe ne një ditë apo veç po e kalojmë këtë fazë të tranzicionit, sjelljes së universiteteve prestigjioze të botës në Kosovë.
Universiteti Amerikan është modeli i universiteteve sot në Kosovë, por edhe rajon, duke vlerësuar dhe afirmuar edhe angazhimet tjera.
Pra, investimet në edukim nuk do të ndalen, përkundrazi vetëm se do të rriten.
Jam shumë i bindur se vetëm duke investuar në edukim, po investojmë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Do të vazhdojmë maksimalisht për kompjuterizimin e të gjitha shkollave, por të arrijmë edhe nivelin e informatizimin të botës bashkëkohore.
Ndërsa, në vazhdim studentët u interesuan të dijnë më shumë lidhur me hapat që ka ndërmarrë qeveria në fuqizimin e arsimit të lartë publik dhe privat, ndërsa kryeministri dha këtë përgjigje:
– E përmenda edhe ë herët se një nga sfidat e Qeverisë që udhëheq unë ka qenë është dhe do të mbetet investimi në edukim, reforma në edukim. Kjo reformë ndërlidhet drejtpërdrejt para së gjithash me rritjen e cilësisë por edhe me hapjen e universiteteve tjera.
Unë kam besim të plotë se këtë proces është duke e udhëhequr suksesshëm ministri Hoxhaj.
Fillimisht Kosova ka pasur pretendimin që të arrij nivelin e vendeve të rajonit, sot dëshirojë të theksojë se kemi arritur këtë nivel dhe po ecim drejt arritjes së nivelit të vendeve perëndimore.
Unë kam besim të plotë se do të arrihet ai nivel me këto energji, me këtë përkushtim dhe me këto investime sepse për herë të parë pas tetë-nëntë vitesh në Kosovë po fillojnë reformat të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Pa ato reforma nuk mund të ketë sukses në rritjen e cilësisë së edukimit në Republikën e Kosovës, e askund. Prandaj do të punohet në rritje të cilësisë por edhe në hapjen e universiteteve tjera.
Ju e dini se ne kemi marr vendimin për hapjen e Universitetit të dytë publik në Republikën e Kosovës, atë të Prizrenit. Dhe mendojë se ky është një sukses i ri sepse rritet konkurrenca dhe krijohet mundësia për një cilësi edhe më të lartë.
Qeveria e Kosovës do të marr vendime tjera për hapjen e universiteteve tjera. Ne jemi duke diskutuar edhe hapjen e një universiteti tjetër perëndimor në Mitrovicë, në mënyrë që të krijojmë mundësi të mira për të rinjtë kosovarë, të të gjitha nacionaliteteve, por edhe të rajonit, që të krijojmë mundësi të reja për një edukim të ri, një edukim të standardit bashkëkohor.
Natyrisht, dëshiroj të theksoj që jo vetëm me rritje të cilësisë apo të krijimit të universiteteve të reja, kemi pasur kujdes edhe për rritjen e përkujdesjes institucionale, në rritje, për pedagogët dhe profesorët. Kemi rritur pagat për profesorët e universitetit njëqind për qind. Tash presim cilësi. Dhe unë kam besim se do të arrijmë deri te ajo cilësi të cilën e dëshirojmë.
Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh se gjeneratat e reja vijnë nga shkollat fillore dhe të mesme, kemi rritur edhe pagat për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme, deri në 47 për qind. Kjo ka ndodhur për herë të parë pas luftës. Edhe këtu presim rritje të cilësisë. Për çka kam besim të plotë. Prandaj do të punojmë në shumë drejtime
Gjatë ligjëratës që ka mbajtur në AUK, kryeministri Thaçi është përgjigjur edhe në pyetjet që kishin të bënin me akuzat dhe qasjen e opozitës ndaj zhvillimeve në vend:
– Ju e dini se edhe unë kam qenë në opozitë dhe e ndjej në shpirt dhe në lëkurën time përgjegjësinë e të qenurit opozitar, që është edhe favor, por në të njëjtën kohë disfavor, e në veçanti disfavor kur nuk ke vizion për të ardhmen, por vetëm kritikon dhe akuzon.
Jetojmë në botën e lirë, të demokracisë moderne, bashkëkohore dhe të demokracisë qytetare. Prandaj, dëshiroj të theksoj se opozita ka fat që unë jam Kryeministër dhe që i mirëkuptoj edhe në angazhimet e tyre ndonjëherë edhe frustuese apo agresive dhe nervoze. Por edhe më tepër i mirëkuptoj kur sjellin ide, propozime, sugjerime, të cilat i plotësoj në agjendën time.
Por, kur ka dallime konceptuale, atëherë është një betejë konceptesh.
Unë kam qenë në opozitë, por kur është formuar Ekipi i Unitetit, jam futur menjëherë dhe kam punuar mbi të gjitha për shtetin sesa për interesat e ngushta partiake.
Tash jemi në një periudhë të re, atë të institucioneve të zgjedhura në mënyrë legjitime.
Kosova prej pasluftës asnjëherë nuk ka qenë e udhëhequr prej një lideri që i ka fituar votat, derisa jam kandiduar dhe jam zgjedhur si kandidat për kryeministër të Kosovës.
Sugjerimet ngado që vijnë, unë i konsideroj partner në shtetndërtimin e rendit demokratik dhe unë besoj se do të vazhdoj me qeverisje të mirë, të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, kundër dukurive negative konsolidimit dhe forcimit të shtetit, të vazhdimit të njohjeve të reja për Republikën tonë.
Sot, secili nga ju mund të imagjinoni se ku ishte Kosova vetëm 11 vite më herët. Ku kemi arritur sot? Sot e kemi Kosovën e lirë, të njohur nga 70 shtete, Katarin e vlerësoj të përfunduar, sepse më është konfirmuar si punë e kryer.
Gjithashtu sot Kosovës është pjesë e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nesër do të jetë edhe pjese e bankës për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian. Kosova është në rrugën e sigurt për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian dhe OKB.
Prandaj, këto të arritura janë të paimagjinueshme edhe për optimistët më të mëdhenj e lëre më për pesimistët që edhe kur fitoi Kosova në GJND thonë ka humbur Serbia, por nuk ka fituar Kosova.
Kështu që të arriturat nuk mund të zbehen në asnjë rrethanë.
Ne do të punojmë si shoqëri plurale, e ideve të ndryshme, gjithmonë në ballafaqim të ideve për të formësuar një vizion më të mirë për vendin.
Tani për tani ndihem tepër mirë që udhëheq vizionin shtetndërtues, zhvillimor dhe integrues të Republikës së Kosovës
Last modified: 14 Shtator, 2010