Prishtinë, 12 shtator 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është kthyer sot në vend nga qëndrimi disaditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në selinë e OKB-së dhe vizitës zyrtare në Katar.
Kryeministri Hashim Thaçi në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës ka përshëndetur miratimin e Rezolutës për Kosovën nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe më pas ka vlerësuar shumë të suksesshme dhe frytdhënëse vizitën në Katar dhe takimet me ambasadorë të vendeve anëtare të OKB-së me karakter lobues për njohjet e reja të shtetit të Kosovës.
“Tërheqja nga propozimi i rezolutës së vet nga ana e Serbisë ka qenë një dorëzim, humbje që në fillim para se të hyjë në betejë. Draftrezoluta e re e sponsorizuar nga BE e përkrahur edhe nga SHBA , ishte e mirëpritur edhe për shtetin e Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se ky dokument do të duhej të mbyllte kapitullin shekullor të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë dhe të hap kapitullin e shekullit të ri, atë të bashkëpunimit ndërshtetëror mes shëtiti të Kosovës dhe Serbisë dhe integrimit në NATO dhe BE.
Më tutje z. Thaçi theksoi se opinioni i GJND-së ishte legjitimim juridik i pavarësisë së Kosovës , rezoluta e re e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ishte një sukses politik , diplomatik dhe konfirmim i shtetit të Kosovës. Rezoluta e re për Kosovën nga Asambleja e Përgjithshme në një formë përmbyllë diskutimin për Kosovën në OKB. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së merr në konsideratë opinionin e GJND-së , prandaj ne si Qeveri e Kosovës mirëpresim që edhe Serbia e ka pranuar këtë rezolutë dhe kjo në një formë është edhe njohje nga Serbia për shtetin e Kosovës.
“Rezoluta e re për Kosovën nga Asambleja e Përgjithshme do të sjell një konsolidim dhe fuqizim të shtetit të Kosovës , të institucioneve të Kosovës , të bashkëpunimit rajonal por edhe të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës “ theksoi z. Thaçi duke shtuar se njohja e Kosovës është konfirmuar gjatë takimit me presidentin dhe kryeministrin e Katarit.
Last modified: 12 Shtator, 2010