Prishtinë, 11 shtator 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se është koha që Serbia ta pranojë realitetin dhe të marrë vendimin historik për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Thaçi ka theksuar se kjo është zgjidhja e vetme për një të ardhme më të mirë të Kosovës dhe rajonit, për bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal.
“Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës deshi apo nuk deshi Jeremiqi”, është shprehur Thaçi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përsëritur se Prishtina angazhohet për raporte të barabarta me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe me Serbinë. “Ne do të angazhohemi që të bashkëpunojmë si dy shtete të pavarura për një jetë më të mirë të qytetarëve, popujve dhe vendeve tona”.
“Ne jemi të gatshëm për takime të drejtpërdrejta kushtuar bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, sepse ne kemi pasur takime me presidentët dhe kryeministrat tjerë të rajonit. Bashkëpunimi është politikë e shëndetshme për vendet tona”, ka deklaruar z.Thaçi.
I pyetur se si ndihej në Asamblenë e Përgjithshme kur delegacioni i Serbisë kërkoi largimin e përfaqësuesve të Prishtinës nga salla, kryeministri Thaçi ka deklaruar se prania e delegacionit kosovar në Asamblenë e Përgjithshme ishte legjitime. “Loja e Serbisë ishte lojë fëmijësh. Ishte diç që ka mund të ndodhë vetëm gjatë kohës së Luftës së Ftohtë”.
Mesazhi i kryeministrit Thaçit për udhëheqjen e Serbisë është që “njohja e pavarësisë së Kosovës, sa më parë të jetë e mundur, është zgjedhja më e mirë për ta, për të ardhmen e Serbisë dhe rajonit”.
I pyetur, ndërkaq se cila është strategjia e Qeverisë së Kosovës për t’u ballafaquar me krimin e organizuar, kryeministri Thaçi ka theksuar se ai e ka nisur luftën kundër këtyre dukurive, pas 11 vjetësh. “Ne filluam dhe do ta vazhdojmë duke hartuar ligje që do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kemi nisur me sukses dhe do të vazhdojmë, sepse çelës i ndërtimit të vendit është qeverisja e mirë dhe zbatimi i ligjit. Do të punojmë që sa më parë ta stabilizojmë procesin, madje edhe në veri të Mitrovicës”, është shprehur kryeministri Thaçi.
Last modified: 11 Shtator, 2010