Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Konferenca e Donatorëve, shënon vizionin tonë të ri për zhvillimin e Kosovës

11 Korrik, 2008

Bruksel, 11 korrik 2008

Fjalimi i Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi, mbajtur në Konferencën e Donatorëve për Kosovën, në Bruksel, më 11 korrik 2008
 
I nderuari Komisioner Rehn,
Z. Feith,
Përfaqësues të Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian,
Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Bankës Botërore,
FMN-së,
NATO-s,
Zyrave diplomatike,
Agjencive donatore,
Institucioneve financiare,
Agjencive zhvillimore të OKB-së,
Kolegë, Zonja dhe Zotërinj,
 
Ndjehem i nderuar t’i drejtohem këtij forumi të çmuar dhe ta përfaqësoj vendin tim Kosovën – një shtet i ri me miq të vjetër, me shpresa të reja, me vizion të ri dhe me mundësi të reja. E kam vështirë të gjej fjalë për t’ju falënderuar të gjithëve për organizimin e kësaj konference dhe që na keni mbledhur këtu për të diskutuar të ardhmen tonë të re.
 
17 shkurti, Deklarata e Pavarësisë, shënoi fillimin e një epoke të re.
 
15 qershori, hyrja në fuqi e Kushtetutës sonë, shënoi historinë tonë të re.
 
Dhe sot 11 korriku, Konferenca e Donatorëve, shënon vizionin tonë të ri për zhvillimin e Kosovës.
 
Ne jemi të vendosur fuqishëm në rrugën tonë të bërjes pjesë e Bashkimit Evropian, si një republikë demokratike, multi-etnike dhe moderne.
 
Si shoqëri, ne jemi të ngazëllyer, të entuziazmuar dhe të motivuar për të bërë ndryshimet që do të mundësojnë realizimin e qëllimit tonë.
 
Ne duam ndihmën tuaj në ndërtimin e mëtejshëm të ekonomisë sonë të re, e cila ka nevojë për asistencë të madhe.
 
Kosova, bashkë me ju, ka bërë shumë hapa konstruktivë në përgatitjen e politikave adekuate, në krijimin e kornizës adekuate ligjore, ambientit adekuat institucional dhe në hartimin e programeve konkrete.
 
Dokumenti i Politikave Prioritare të Qeverisë, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, dokumenti në përgatitje e sipër për Politikën Sociale, si dhe Shënimet dhe Këshillat për politika të Bankës Botërore, janë të gjitha pjesë e një grupi unik të politikave të mira, të cilat jemi të përkushtuar për t’i zbatuar në bashkëpunim me partnerët tanë.
 
Kosova ka vërtet shumë fat që ka pranë donatorët dhe partnerët zhvillimorë më të mirë.
 
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, të cilën e kemi përgatitur me shumë përkushtim, duke i involvuar qytetarët tanë, komunat, ekspertët tanë, politikbërësit tanë dhe shumë prej jush, dëshmon se ku jemi, ku duam të shkojmë në tri – katër vitet e ardhshme.
 
Ajo përshkruan kufizimet tona, burimet tona, mundësitë tona, dhe prioritetet tona. Ajo na tregon edhe zbrazëtirat në burimet tona teknike, njerëzore dhe financiare, të cilat kanë nevojë për vëmendje urgjente dhe për konsideratën tuaj.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Qeveria jonë është e përkushtuar për të qenë në ballë të zhvillimeve.
 
Katër politikat tona prioritare janë rritja ekonomike, zbatimi i suksesshëm i marrëveshjes për status, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe stabiliteti social.
 
Ne kërkojmë bashkëpunim aktiv nga donatorët dhe nga sektori privat për të arritur këto prioritete, dhe për ta bërë ekonominë tonë më tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë.
 
Ekipi im i ministrave është shumë i përkushtuar për të qenë llogaridhënës, për të sjellë rezultate të qëndrueshme me shpejtësi të madhe dhe me kualitet të lartë.
 
Kur të vendosni sot përkushtimet tuaja, u lus të mos na gjykoni sipas politikës së kaluar, por sipas realiteteve ekonomike të Kosovës, jo sipas mangësive tona të mëhershme, por sipas potencialit tonë të ardhshëm për të përmirësuar jetën e qytetarëve tonë.
 
Stabiliteti ekonomik është fundamental për stabilitetin politik dhe social.
 
Të gjitha këto janë parakushte thelbësore për integrim në NATO dhe BE.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Historia e re në Ballkan tregon se qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar maturi në rritje, durim të jashtëzakonshëm dhe paqe të rëndësishme.
 
Kemi mirëpritur fqinjët tanë, kemi trajtuar minoritetet me respekt, madje edhe me veprime afirmative, dhe kemi siguruar që sundimi i ligjit të vlejë për secilin, pavarësisht nga etnia, raca, klasa apo gjinia.
 
Kemi bërë përparim në legjislacionin e Ahtisaarit, kemi bërë lëvizje përpara në marrëveshjen për status, jemi duke punuar për të kryer me sukses tranzicionin e përgjegjësive, përherë duke i kontribuar paqes dhe stabilitet në rajon.
 
Në cilësinë e Kryeministrit, unë kam themeluar një zyre speciale për çështje të komuniteteve brenda zyrës sime.
 
Jam krenar që udhëheq një qeveri shumetnike.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Më lejoni të theksoj se ne tashmë kemi politikat dhe strategjitë tona zhvillimore.
 
Ne jemi plotësisht përgjegjës për planifikimin, zbatimin, vëzhgimin dhe vlerësimin e zhvillimit.
 
Ne do të rrisim aftësinë e institucioneve tona për të absorbuar ndihmën për zhvillim në mënyrë efektive.
 
Ne kemi themeluar qeverisje të mirë, me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
Ne besojmë në transparencë dhe në të qenit të hapur, prandaj do të sigurojmë që fondet zhvillimore as nuk do të shpenzohen kot, e as nuk do të rrjedhin tek duart e gabuara.
 
Ne besojmë fuqishëm se këto fonde zhvillimore do të përputhen dhe do të lehtësojnë përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një sistemi të menaxhimit efektiv dhe efikas të financave publike.
 
Ato ngërthejnë në vete përfshirjen e kapitalit privat në projektet e mëdha infrastrukturore nëpërmjet partneriteteve private-publike, për krijimin e kushteve më të mira për bujqit dhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për krijimin e bazës për një ekonomi të vetqëndrueshme.
 
Ne pranojmë se ka nevojë të punojmë më shumë në koordinimin e donatorëve, mirëpo për këtë na duhet bashkëpunimi juaj.
 
Qeveria jonë beson në një partneritet të fuqishëm me vendet tuaja respektove,   dhe ne duam ta forcojmë bashkëpunimin bilateral dhe marrëdhëniet tona ekonomike, tregtare, politike dhe sociale.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Më lejoni të përfundoj duke thënë se qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se shteti ynë i ri na ofron mundësi të mëdha.
 
Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të siguruar që Kosova të jetë një rrëfim i suksesshëm për ne, për miqtë tanë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe për gjithë botën.
 
Kosova Ju falënderon që na dhatë këtë mundësi. Ne jemi të gatshëm të ndajmë me ju prezantimin tonë, të dëgjojmë komentet dhe përkushtimin tuaj.
 
Kosova do t’u mbetet falënderuese për kontributet tuaja në këtë takim të rëndësishëm, që paraqet një dritare kah e ardhmja jonë. Ne jemi të mbushur me shpresë dhe krenari dhe nuk do t’ju zhgënjejmë.
 
Kosova është shtet i ri i mundësive të reja.
 
Kosova beson në të ardhmen e vet.
 
Dhe Kosova do të dalë fitimtare në të ardhmen sepse gëzon partneritetin dhe mbështetjen tuaj.
 
Faleminderit.

Last modified: 11 Korrik, 2008

Comments are closed.

×