Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Kryeministrit për Rishikimin e Buxhetit 2008

29 Korrik, 2008

Prishtinë, 29 korrik 2008
 
Të nderuar deputetë, të nderuar Ministra
 
Kosova sot ndodhet në një periudhë shumë të rëndësishme të zhvillimit të saj.
 
Të gjithë e dimë se një numër i madh i vendeve kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë, dhe një numër i vendeve të tjera janë në proces të njohjes.
 
Në të njëjtën kohë një proces shumë i rëndësishëm veç se ka filluar. Ai është anëtarësimi në Institucionet Financiare Ndërkombëtare, siç janë Fondi Monetarë Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
 
Ju, po ashtu, e dini se javë më parë është mbajtur Konferenca e Donatorëve, në të cilën konferencë, një ndihmë e jashtëzakonshme financiare prej 1.2 miliard eurosh është zotuar për tri vitet e ardhshme.
 
Kjo edhe njëherë tregon se partnerët tanë ndërkombëtarë janë shumë të zotuar që ta ndihmojnë Kosovën në ecjen e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
 
Një fushë tjetër në të cilën Qeveria ka qenë shumë e fokusuar është ajo e rishikimit të Buxhetit për vitin 2008
 
Të gjithë ne e dimë se Buxheti i vitit 2008 ishte përgatitur në një periudhë shumë të shkurtër. Kjo ishte bërë për arsye të mos-vonesave në fillimin e ekzekutimit të buxhetit, e në veçanti të ekzekutimit të shpenzimeve kapitale.
 
Që nga periudha e aprovimit të Buxhetit për vitin 2008 e deri më tani kur edhe kemi bërë rishikimin e Buxhetit, kemi parë trende pozitive.
 
Përderisa ekzekutimi i shpenzimeve kapitale ka shënuar një rritje krahasuar me vitin e kaluar, në të njëjtën kohë kemi parë një rritje të të hyrave, në raport me ato të planifikuara.
 
Normalisht se faktor i ndodhjes së këtyre trendeve është puna e palodhshme e Qeverisë së Kosovës.
 
Duke ditur se një nga brengat e së kaluarës ka qenë ekzekutimi i vogël i shpenzimeve kapitale, ne një vëmendje të veçante ia kemi kushtuar pikërisht kësaj çështje.
 
Si rezultat, ministritë, të cilat edhe absorbojnë buxhetin më të madh për investime kapitale kanë filluar përgatitjet me kohë dhe tani kur kanë kaluar jo më shumë se rreth 4 muaj nga aprovimi i buxhetit, zotimet për këtë kategori janë të një niveli të kënaqshëm.
 
Në të njëjtën kohë, Qeveria vazhdimisht është angazhuar për përmirësimin e përformancës së Administratës Tatimore të Kosovës dhe Shërbimit Doganor, dhe si rezultat kemi parë një rritje të konsiderueshme të të hyrave totale buxhetore.
 
 
Ajo që vlen të theksohet këtu para jush është se kemi bërë rishikimin e të hyrave, dhe krahasuar me projeksionet fillestar të fillim vitit, tani presim që të hyrat totale të jenë më të larta për rreth 27 milion euro.
 
Këto të hyra shtesë pritet të vijnë nga të hyrat kufitare dhe të hyrat jo-tatimore.
 
Në anën tjetër, kemi një rritje të shpenzimeve, e cila rritje do të shkojë kryesisht në infrastrukturën rrugore, në institucionet e reja, në shëndetësi, rend dhe ligj, energji etj.
 
Unë nuk do të flisja këtu më tepër, ngase për detalet e këtij rishikimi do të flas ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Ahmet Shala.
 
Faleminderit!

Last modified: 29 Korrik, 2008

Comments are closed.

×