Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Gjersa viti 2008 shënoi vitin e pavarësisë sonë politike, në vitin 2009 do të bëjmë hapat e parë drejt pavarësisë ekonomike të Kosovës

25 Nëntor, 2008

Prishtinë, 25 nëntor 2008
 
FJALA E KRYEMINISTRIT THAÇI ME RASTIN E PREZANTIMIT TË BUXHETIT PËR VITIN 2009
 
Z. Kryetar i Kuvendit,
Ministra, anëtarë të Kuvendit,
Qytetarë të Kosovës,
 
Jam i nderuar që  sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës  paraqes para Jush buxhetin e parë të Kosovës si shtet i lirë, demokratik, shtet modern, i pavarur dhe sovran.

Është hera e parë, që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së shtetit tonë më 15 qershor, që një qeveri e Kosovës së pavarur ka kryer obligimin kushtetues për të hartuar buxhetin e shtetit tonë të ri.
 
Me këtë projektligj, kemi marrë përgjegjësinë e plotë për sigurimin e rritjes ekonomike të Kosovës mbrojtjen dhe kultivimin e jetesës së të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Me këtë buxhet, do të përcaktojmë drejtimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës, dhe, po ashtu,  do të përcaktojmë se çfarë shteti do të jetë vendi ynë.

A do të mbesim në të kaluarën, duke u përpjekur të vazhdojmë me politikat e gabuara ekonomike të shtetit të dështuar të ekonomisë së centralizuar, apo do të vazhdojmë ta modernizojmë ekonominë tonë dhe transformojmë Kosovën si qendrën më të re të rritjes në Evropë? 

Dekada e fundit e luftës sonë të përbashkët dhe sukseset tona këtë vit – me realizimin e pavarësisë sonë dhe miratimin e kushtetutës së re – Mua, e besoj edhe Juve, e bëjnë të qartë faktin se populli i Kosovës dëshiron dhe është i vendosur të vazhdojë të shkojë përpara.

Dëshiron dhe meriton progres drejt Evropës moderne.

Ky është vullneti i Popullit të Kosovës, ky është vizioni i progresit, që e drejtoi qeverinë time në krijimin e buxhetit.
Ky buxhet i propozuar e vë Kosovën në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Zonja dhe zotërinj,
Buxheti i vitit 2009, është më i larti në historinë e Kosovës.

Shënon rritje mbi 15% në krahasim me buxhetin e vitit 2008.

Me këtë buxhet, pushteti lokal është stimuluar, me rritje të qindpërqindtë, sa i përket grantit të Përgjithshëm që reflekton në ngritjen  e shpenzimeve kapitale-aty ku përfitojnë më së shumti qytetarët.

Kjo rritje është edhe rezultat i instalimit të qeverisjes së mirë, transparente, sundimit të ligjit, dhe luftës së pakompromis të qeverisë së Kosovës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë informale.

Buxheti përfshin investime të reja dhe të qëndrueshme kapitale për të modernizuar infrastrukturën tonë.

Buxheti i rrit pensionet, në mënyrë që të mbrohen dhe të shtohet përkujdesja institucionale për prindërit tanë.

Shërbyesit civilë do të kenë rritje pagash brenda resurseve që i kemi dhe që mund t’i përballojmë.

Familjet tona do të gëzojnë përfitimet prej shkollave të reja dhe spitaleve të renovuara e moderne.

Këta janë hapat e parë në riparimin dhe përmirësimin e ekonomisë sonë, që po përballet ende me vështirësi.

Natyrisht, nuk mund të rregullojmë gjithçka për një vit dhe me një plan shpenzimi.

Ky plan është i mirë për kushtet, rrethanat dhe mundësitë e shtetit tonë të ri.

Megjithatë, mund të sigurojmë se po i vëmë bazat për rritje të vazhdueshme dinamike.

 Duhet kuptuar se sot, në vitin e pavarësisë sonë, po vëmë themelet që do të përcaktojnë se çfarë shteti do të bëhet Kosova.

Kjo është ajo që e bën buxhetin e këtij viti aq të rëndësishëm, për të gjithë ne, pa marrë parasysh përkatësinë politike apo ndjenjat personale.

Duhet ta kemi të qartë se zgjedhjet apo qasjet e gabuara sot, do ta ndjekin për të keq këtë vend për shumë vjet.

Ju ftoj të gjithëve të reflektojmë për interesin e Kosovës dhe gjithë qytetarëve.

Shteti nuk është qeveria, por populli i Kosovës.

 Qeveria është e zgjedhur nga sovrani për t’i  shërbyer.

Të nderuar deputetë,

Kemi përgjegjësi para popullit të Kosovës të ndërtojmë një vend dhe ekonomi që do të ofrojnë shpresë, optimizëm, siguri dhe stabilitet për fëmijët dhe nipërit tanë.

Po ashtu, kemi përgjegjësi t’u tregojmë miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët na ndihmuan të fitojmë lirinë tonë dhe vazhdojnë të investojnë në të ardhmen tonë, se e meritojmë besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të tyre.

Në këtë mënyrë, kemi obligim të zgjedhim rrugën e drejtë ekonomike – rrugën e disiplinës fiskale – një rrugë që do t’i ofrojë Kosovës mundësi për rritje ekonomike për shumë vjet.

Kosova ka resurse të mëdha – fuqi punëtore të re dhe të gjallë, pasuri të rëndësishme minerare, dhe lokacioni që premton rritje të lartë ekonomike.

 
Njëkohësisht, jemi një vend i ri dhe do të marrë kohë të shfrytëzojmë plotësisht të gjithë potencialin tonë.

Buxheti ynë i parë duhet të investojë në çlirimin e këtij potenciali, duke ua bërë në të njëjtën kohë jetën më të lehtë qytetarëve të Kosovës, brenda kufijve të mundësive tona aktuale.

Duke e përgatitur këtë buxhet, kemi konsultuar shumë palë të interesuara.

Ua kemi shpjeguar elementet e këtij buxheti të propozuar përfaqësuesve të partive politike të Kosovës, atyre në qeveri dhe në opozitë, shoqërisë civile, mediave dhe mirëpresim diskutimet e mëtejshme, gjersa paraqesim elementet më të detajuara të planit.

Gjersa kemi shqyrtuar me kujdes të gjitha këshillat, ne marrim përgjegjësi të plotë për këtë buxhet.

 Ne  jemi të përgatitur të paraqesim shpjegime shtesë për prioritetet tona dhe fokusin tonë.

Ne kemi besim se elementet e këtij plani do të na dërgojnë në një drejtim të ri, kah e ardhmja më e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në të vërtetë, prioritetet tona janë të thjeshta, por të rëndësisë më të lartë: duam paqe dhe stabilitet, progres dhe rritje.

 Jemi vend me resurse të mjaftueshme për të gjithë qytetarët e tanë, dhe punojmë të shohim një Kosovë që ofron shpresë dhe mundësi për të gjithë.

Jemi në rrugë për të arritur këto objektiva, por këto qëllime vendosin kërkesa para të gjithë nesh, duke përfshirë qeverinë.

Zonja dhe zotërinj,

Ne duhet të kuptojmë se Kosova sot nuk i ka resurset financiare për të plotësuar secilën nevojë dhe secilën kërkesë që mund të paraqitet.

Kështu që, ne duhet të jemi edhe më të kujdesshëm të sigurojmë se çdo euro është e vlefshme, se projektet tona zhvillimore kanë ndikim në jetët tona, dhe se të gjitha aktivitetet tona e orientojnë vendin tonë kah krijimi i vendeve të reja të punës.

Besoj se buxheti të cilin ia kam paraqitur Kuvendit për miratim i arrin këto qëllime.

Ai përmban një rritje prej 157 milionë eurosh në shpenzime, krahasuar me vlerësimin e shpenzimeve për vitin 2008.

Si pjesë e këtij buxheti për vitin 2009, Kosova do të shpenzojë 1 miliard e 430 milionë euro në investime kapitale, programe të arsimit, shëndetësore, shërbime sociale dhe programe tjera për qytetarët tanë.

Këto investime dhe shpenzime do ta transformojnë Kosovën në shumë mënyra.

Me respekt, durim dhe përgjegjësi, Ju ofroj disa shembuj se si synojmë të përmirësojmë kushtet në vendin tonë gjatë vitit të ardhshëm:

Do të shpenzojmë më shumë se 100 milionë euro në rrugë.  Kjo përfshinë 53 milionë euro për renovimin e rrugëve të vjetra dhe të rrezikshme, të cilat janë korridore të rëndësishme transportuese që e mbajnë ekonominë tonë në lëvizje: do të vazhdohet ndërtimi i rrugës Prishtinë-Kaçanik që na lidhë me Shkupin, dhe më shumë se 25 milionë euro për Autorrugën Prishtinë-Pejë rreth 2o km të reja, mbi 25 milion për Autorrugën Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë 20 km të reja.  12 milionë tjera do të përdoren për mirëmbajtje dhe ndërtim urash në tërë vendin.

Dhe do të investojmë më shumë se 30 milionë euro në ndërtimin e rrugëve të reja që do t’i sjellin vitalitet ekonomik rajoneve me infrastrukturë të kufizuar transportuese.

Në vitin e ardhshëm do të ndërtojmë apo renovojmë 54 shkolla fillore dhe të mesme në tërë vendin, një investim që do t’i ofrojë fëmijëve tanë një ambient arsimor që iu duhet për t’u përgatitur për të ardhmen.  Në tërësi, do të shpenzojmë gati 38 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën arsimore në tërë Kosovën, pos grantit prej 98 milionë eurosh që do t’i japim komunave për arsim.  Jam i përkushtuar të përmirësoj sistemin arsimor në Kosovë, dhe duhet të punojmë të gjithë së bashku për të garantuar që fëmijët tanë të kenë mjetet që iu nevojiten për të garuar në ekonominë globale, e cila vlerëson arritjen dhe aftësinë më shumë se çdo gjë tjetër.  Tani jemi të lidhur me këtë ekonomi botërore dhe duhet të përgatitemi të punojmë dhe përparojmë brenda saj.
 
Janë siguruar mjetet e nevojshme për planin e fillimit të kompjuterizimit – informatizimit të të gjitha shkollave në Kosovë.

Janë siguruar mjetet e duhura për fillimin e projektit madhor-apo modeli Silikon Valley – Universitetit të Teknologjisë Informative në Prishtinë.

Po ashtu, po punojmë për të përmirësuar sistemin tonë shëndetësor, kemi rritje të buxhetit mbi 15%, duke mos llogaritur grantet prej 23 milionë eurosh komunave për shëndetësi.

Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë do të tejkalojë shumën e tërësishme prej 66 milionë eurosh.   Pacientët do të përfitojnë nga oferta më e madhe e barërave esenciale dhe trajtimi i përmirësuar primar.  Qytetarët tanë meritojnë kujdesin më të mirë shëndetësor, që mund ta përballojmë, prandaj planifikojmë të kemi përmirësime në ofrimin e shërbimeve mjekësore për secilin vit.

Sektori i bujqësisë do të jetë prioritet i qeverisë. Kemi rritje fillestare për 40% të buxhetit për investime kapitale.

Po ripërtërijmë, po ashtu, edhe zotimin tonë për të mbrojtur dhe përkrahur komunitetet pakicë të Kosovës.  Buxheti ynë për vitin 2009 drejton 8.7 milionë euro në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, me 7.5 milionë euro që shkojnë në Projektin e Konsoliduar për Kthim.  Kemi bërë zotim, sipas Planit të Ahtisaarit, të kujdesemi dhe mbrojmë komunitetet pakicë të Kosovës, dhe me këtë buxhet do të demonstrojmë se po e përmbushim atë zotim me resurse kuptimplote.

Këto shpenzime na vënë në rrugën drejt ofrimit të sigurisë më të madhe ekonomike për familjet e Kosovës.

 
Këto janë investime që ofrojnë vende pune sot dhe krijojnë infrastrukturën që do të ndihmojë krijimin më të madh të vendeve të punës nesër.

E ajo që ndoshta është më e rëndësishmja, Kosova mund t’i përballojë këto shpenzime me nivelin e tashëm të të hyrave dhe zhvillimit.

Të nderuar deputetë,

Nëse ka një ide qendrore pas së cilës qëndrojmë unë dhe qeveria ime, ajo është nevoja për të mësuar nga përvoja e demokracive të reja evropiane që dolën në të nëntëdhjetat.

Të gjitha këto vende u ballafaquan me sfida të ngjashme me të cilat ballafaqohemi ne sot, dhe me durim, planifikim të kujdesshëm dhe shpenzime të përgjegjshme, i treguan anëtarëve të atëhershëm të Bashkimit Evropian se demokracitë më të reja të Evropës e kishin vendin në mesin e  tyre.

Bashkimi Evropian sot është për 12 vende më i madh se sa që ishte para më pak se një dekade, dhe Kosova, po ashtu, aspiron t’i bashkëngjitet Bashkimit Evropian dhe të marrë vendin e vet në bllokun tregtar dhe unionin ekonomik më dinamik të botës. 

Nëse do të ndjekim shembullin e vendeve që me sukses iu bashkëngjitën Bashkimit Evropian. Ne, duhet t’i përmbahemi leksionit të tyre parësor:  sjellja e përgjegjshme sot, do të sjellë prosperitet ekonomik nesër.

Duhet t’i tregojmë miqve tanë evropianë se jemi të aftë, ashtu si aspiruesit e mëhershëm të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian, të bëjmë të njëjtat zgjedhje të vështira që bënë ata, me qëllim të pozicionimit tonë të qëndrueshëm në ekonominë evropiane dhe globale të dhjetë dhe njëzet vjetëve të ardhshme.
 
Duhet të ruhemi sot nga programet e kushtueshme që u ofrojnë përfitime afatshkurta grupeve individuale, por që i shkaktojnë dëme të pariparueshme financave tona shtetërore dhe pengojnë rritjen tonë ekonomike.  

Disa besojnë se duhet të përdorim edhe euron e fundit që kemi për përfitime të grupeve të ndryshme në Kosovë.
Ne nuk mund ta bëjmë këtë.

Kemi ndarë aq sa mundemi në mënyrë të përgjegjshme për përfitimet e popullit tonë, por,  në interes të Kosovës, duhet  të mbajmë edhe një rezervë të mjaftueshme që do të na ndihmojë të përballojmë  përkeqësimin e mundshëm të kushteve globale ekonomike ose eventualitetet e paparashikuara që kërkojnë resurse buxhetore.

Ne duhet t’i balancojmë nevojat tona të tashme me nevojat tona për të ardhmen. 

Këto janë sfida të vështira për cilëndo qeveri, dhe Qeveria e Kosovës nuk bën përjashtim.

Nëse kërkojmë nga qytetarët e Kosovës të kuptojë nevojën për përmbajtje dhe përgjegjësi, qeveria duhet ta bëjë të njëjtin zotim.

Populli shikon kah qeveria dhe pyet, në mënyrë legjitime, pse Zyra ime ose Zyra e Presidentit ose Kuvendi duhet të kenë rritje të shpenzimeve nëse kërkohet nga qytetarët të jenë të përmbajtur dhe të përgjegjshëm.

Dëshiroj të siguroj popullin se në buxhetin e propozuar për vitin 2009, do të heqim dorë nga çfarëdo rritjeje shpenzimesh në Zyrat e Kryeministrit, Presidentit dhe në Kuvendin e Kosovës, një hap që e kemi marrë në konsultim me institucionet relevante.

Kjo do të thotë se unë dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë duhet të punojmë më shumë, dhe së bashku, të zotohemi të punojmë për këtë vend në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kjo është ajo që populli pret, kërkon dhe meriton prej nesh në shërbim qeveritar.

Kjo është gjëja e duhur për të bërë, dhe kursimet që do të bëhen, do të drejtohen në rritje të rrogave për ata që punojnë në sektorin publik. 

Gjersa bëjmë përpjekje për të forcuar sektorin privat dhe krijuar vende pune që do të punësojnë qytetarët e Kosovës për një brez të tërë, ne, po ashtu, duhet ta mbajmë sektorin publik të fuqishëm në mënyrë që t’i ofrojë shërbimet që i kërkojnë qytetarët tanë. 

Në këtë buxhet, unë propozoj-vendosur një rritje të përgjithshme prej 10 përqind, për të gjithë shërbyesit tanë civilë. Ky është fillimi.

 Kjo rritje demonstron brengën tonë të vazhdueshme për mirëqenien e atyre që punojnë për shtetin e Kosovës,  që është njësoj e rëndësishme, mban buxhetin tonë brenda kufijve të arsyeshëm.

Ky është niveli i rritjes, të cilin ekonomia e Kosovës mund ta përballojë dhe të mbesë e shëndoshë.

Çdo rritje tjetër do të vinte në dëm të investimeve në infrastrukturë dhe prioritete tjera, në dëm të të ardhmes sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë.

Me këtë buxhet, po ashtu, po rrisim pensionet bazike mujore për 12.5 për qind për 189,000 qytetarë që varen nga kjo pagesë për të mbuluar koston e jetesës.

 Në të njëjtën kohë, pos rritjes së pensionit bazë, ne kemi paraparë një rritje të të gjitha skemave sociale.

Në përgjithësi, pagesat e pensioneve përbëjnë më shumë se 13.5 për qind të buxhetit, më shumë se 150 milionë euro.

Nuk mund t’i harrojmë e as injorojmë ata të cilët kanë më së shumti nevojë për ndihmën tonë, por, po ashtu, duhet të krijojmë një ambient të fuqishëm ekonomik, në të cilin nevoja për ndihmë të posaçme dhe asistencë sociale do të zvogëlohet me kohë.

Do të dëshiroja të jemi në në gjendje t’u ofrojmë rritje më të mëdha të pagave dhe pagesa më të mëdha të pensioneve për të kënaqur secilën thirrje për asistencë dhe shpenzim prej buxhetit tonë.

Kam besim se me kohë do të arrijmë një barasvlerë më të lartë të pagave me pjesën tjetër të Europës.

 Por, tani për tani, duhet të kuptojmë se ende po ndërtojmë, se ende po rimëkëmbemi pas konfliktit dhe viteve të keqmenaxhimit fiskal, dhe se si një vend i pavarur, vetëm sa kemi filluar rrugën e gjatë drejt rritjes ekonomike. 

 
Zonja dhe zotërinj,

Ju konfirmoj se pas pak kohë,  Kosova, meritueshëm do të jetë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare.

Tani kemi nevojë të tregojmë vendosmëri dhe ndjenjë të përgjegjësisë së përbashkët në sferën ekonomike ashtu siç patëm demonstruar para botës gjatë viteve të sakrificës, vështirësive dhe betejave politike.

Këto sakrifica politike sollën rezultate të mëdha me kalimin e kohës, – ushtrimi i përgjegjësisë ekonomike do ta bëjë të njëjtën gjë në vitet që do të vijnë.

E ardhmja është e ndritur për Kosovën.

Këtë e besoj  fuqishëm.

Në vitin që vjen, do të privatizojmë industritë që ende kanë vështirësi për shkak të modeleve të paefektshme socialiste.

 Këto veprime do të gjallërojnë ekonominë tonë.

Do të privatizojmë ndërmarrjet kyçe ekonomike në sektorët e energjisë dhe të telekomunikacionit-vala 900, duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës në industrinë private.

Ndryshimet më të mëdha do t’i shohim në sektorin e energjisë me dhënien e projektit për termocentralin Kosova e Re dhe privatizimin e pjesës së KEK-ut, që merret me distribuim dhe furnizim. 

Ashtu siç e dinë qytetarët tanë, duhet t’i kryejmë këto reforma në industrinë e energjisë shpejt, jo vetëm që të ofrojmë furnizim stabil dhe të sigurt me rrymë për popullin, por, po ashtu, që të ofrojmë bazën për investime në ekonominë tonë.

Cila kompani apo biznes do të investojë para në Kosovë nëse nuk mund t’i ofrohet një burim i sigurt i energjisë elektrike?

Infrastruktura jonë energjetike është tmerrësisht e vjetruar dhe, edhe kur funksionon me efikasitet maksimal, është e pamjaftueshme për të plotësuar kërkesat tona.

Kushtet e tanishme do të kërkojnë nga ne të investojmë miliona tjerë euro në vitin e ardhshëm për të subvencionuar KEK-un, në mënyrë që të sigurohet prodhimi i rrymës, transmetimi i saj nëpër pajisjet e vjetruara dhe importi për të mbuluar mungesat në prodhimin vendor.

Kjo merr një hise të madhe të resurseve tona financiare.

 
Duhet dhe do ta eliminojmë këtë rrjedhje nga buxheti ynë, nëpërmjet të politikës së privatizimit, që ka shpallur qeveria dhe do ta ndjekim atë me vendosmëri serioze.

Me privatizim, nuk do të kemi më nevojë të ndajmë para për të subvencionuar dhe mirëmbajtur infrastrukturën tonë të dërrmuar energjetike gjatë viteve të ardhshme.

Partneri ynë i ri privat do të merr përgjegjësinë për të siguruar furnizimin tonë me rrymë dhe mirëmbajtjen e rrjetit.
Për këtë arsye, buxheti ynë do të bëhet më fleksibël me kalimin e kohës, me aftësi për të plotësuar nevoja dhe kërkesa tjera të rëndësishme.

Në shumë mënyra, viti 2009 është vit i rëndësishëm tranzicioni për ne.

Politika fiskale në kontekst të buxhetit
 
Buxheti për vitin fiskal 2009 nga një aspekt tjetër pasqyron edhe bashkëpunimin tim dhe të kabinetit qeveritar me bizneset.

Ne jemi zotuar në fillim të qeverisjes tonë për të zgjedhur çështjet dhe pengesat nga me të ndryshmet si: përmirësimi në infrastrukturë, avancime në sistemin tatimor dhe eliminim të pengesave tjera me qëllim për të mundësuar  një klimë sa me të favorshme investuese, në dobi të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi.

Këto ndryshime kanë refleksionet e veta në Buxhetin e propozuar, shikuar nga struktura e  të Hyrave.

 Ne jemi kujdesur që rishikimi i sistemit tatimor të mos e rrezikojë apo vështirësojë mundësinë për të gjeneruar të hyrat e nevojshme për Qeverinë.

Gjithashtu jemi kujdesur dhe kemi propozuar veprime për të arritur parimin e “drejtësisë sociale” për të gjitha kategoritë përfituese, duke u kthyer për mes rritjes së pagave të ngritura për mësimëdhënësit rreth 30%, pagat e shërbyesve civilë dhe rritje për përfituesit e skemave sociale.

Në këtë kontekst Qeveria ka  përgatitur dhe dorëzuar në Kuvend për miratim një pako prej katër (4) Projektligjeve: për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH); për Tatimin në të Ardhura të Koorporatave (TAK); për Tatimin në të Ardhura Individuale (TAI) dhe për Normën e Akcizës.

Ne kemi propozuar uljen e normave tatimore në të Ardhura të Korporatave nga 20% në 10%, me qëllim që t’i ndihmojmë bizneset për zvogëlim të kostos së operimit dhe të shtojmë investimet e tyre, ndërsa për të Ardhura Individuale dhe Paga kemi propozuar ulje nga 5% në 4% ; nga 10% në 8%; nga 20% në 10%.

Të hyrat e zvogëluara nga kjo do të kompensohen me ngritjen e performanceës në agjensionet mbledhëse dhe një ngritje e vogël tek tatimet indirekte. Që do të thotë se Qeveria e Kosovës ka adoptuar agjendë në favor të rritjes ekonomike me qëllim të përkrahjes së sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja të direkte, duke sjellë normat ndër më të voglat  dhe me konkurrente ne rajon.

Të nderuar deputetë,

Siç jeni në dijeni Qeveria  buxhetin vjetor  e ka instrumentin kryesor për ofrimin e Politikave Prioritare para jush dhe qytetarëve të Kosovës, përmes të cilit ofrojmë zgjidhje në përmbushjen e prioriteteve dhe japim përgjigje për përballimin e sfidave të kohës.

Andaj edhe në kontekstin e krizës financiare në ekonominë botërore e kemi trajtuar me shumë kujdes që  Përmisimi i Normave Tatimore dhe  Rritja e Investimeve Publike nga ana e Qeverisë për vitin fiskal 2009 dhe Planifikimi Afatmesëm i Shpenzimeve 2009-2011 të përdoren si dy leva të rëndësishme në funksion të minimizimit të efekteve negative dhe shtrëngesave eventuale për zhvillimin ekonomik.
 
Zonja dhe zotërinj, deputetë, ministra,

Gjersa viti 2008 shënoi vitin e pavarësisë sonë politike, shpresoj se në vitin 2009 do të bëjmë hapat e parë drejt pavarësisë ekonomike të Kosovës.

Gjersa i bëjmë këta hapa drejt rritjes së ekonomisë sonë, ata i bëjmë së bashku.

 Secili qytetar në këtë vend ka një rol dhe obligim në përpjekjen tonë të përbashkët për të modernizuar dhe forcuar shtetin tonë.

Duhet të sakrifikojmë joshjen e shpenzimeve të menjëhershme financiare që Kosova nuk mund t’i përballojë për premtimin e rritjes ekonomike nesër.

Ne, dhe secili prej nesh në tërë vendin tonë, duhet të përkrahë industritë tona, të paguajë taksat dhe faturat e energjisë në mënyrë që të ndajmë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë barrën e financimit të rritjes ekonomike dhe t’i demonstrojmë botës se jemi një shtet i rregullit dhe i ligjit.

Duhet ta bëjmë të qartë se Kosova është një destinacion atraktiv për investim dhe se jemi serioz në lidhje me bashkëngjitjen Evropës dhe marrjen pjesë në përgjegjësitë dhe beneficionet që kjo anëtarësi ofron.

Ne jemi në Evropë, por bashkësia ndërkombëtare do të shikojë të bëmat dhe veprimet tona për të gjykuar nëse jemi apo nuk jemi evropianë, nëse jemi apo nuk jemi të gatshëm të qëndrojmë më vete dhe të marrim përgjegjësitë për të ardhmen tonë.

Me një buxhet serioz dhe të përgjegjshëm dhe me një demonstrim nga ana e të gjithë qytetarëve tonë për fuqinë dhe vendosmërinë e tyre, do t’i tregojmë botës se jemi të gatshëm për të marrë vendime të vështira.

Kjo do të dëshmojë se i kuptojmë përgjegjësitë që vijnë me pavarësinë, dhe se jemi të gatshëm t’i lëmë anash trashëgimitë e konfliktit dhe të modeleve të dështuara ekonomike, e t’i përkushtohemi ndërtimit të një vendi të ri, stabil dhe dinamik në zemër të Evropës.

Ju ftoj të jepni mendimet dhe propozimet tuaja dhe ta përkrahni këtë Projektbuxhet për vitin 2009.

Faleminderit për vëmendjen Tuaj!

Last modified: 25 Nëntor, 2008

Comments are closed.