Prishtinë, 2 dhjetor 2008
Fjalimi i kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Takimin e 15-të të MPSA-së
I nderuari z Piere Mirel,
Të nderuar përfaqësues të Komisionit Evropian,
Të nderuar përfaqësues të Zyrave Diplomatike,
Të nderuar zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe Zotërinj,
Kam kënaqësinë të hap takimin e rregullt të 15-të të Mekanizmit Përcjellës të Procesit të Stabilizim Asociimit.
Sot, jemi takuar të diskutojmë progresin e arritur dhe sfidat e zbatimit të procesit të Agjendës Evropiane për Kosovën, vetëm një muaj pas publikimit të Raportit të rregullt të Progresit për vitin 2008 nga Komisioni Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mirëpritur publikimin e Raportit të Progresit.
Ne kemi rikonfirmuar qartë dhe në mënyrë të vendosur gatishmërinë dha angazhimin tonë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që dalin nga Partneriteti Evropian në fushat politike, ekonomike dhe standardet Evropiane.
Qeveria e Kosovës është plotësisht e angazhuar në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit.
Shtimi i dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian kontribuon në mënyrë përmbajtjesore në këtë drejtim.
Dëshiroj të theksoj rëndësinë e misioneve vlerësuese (“peer review”) të Komisionit Evropian për Kosovën.
Ato paraqesin angazhimin e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian për identifikimin e sfidave në fusha të caktuara.
Dhe krejt kjo me qëllim që të rritet funksionimi i institucioneve tona, të cilat kanë mundësinë të përfitojnë përmes ekspertizës dhe rekomandimeve të ekspertëve të shteteve anëtare.
Qeveria jonë ka mirëpritur vlerësimin e Komisionit për të bërë Studimin e Fizibilitetit për Kosovën që është paralajmëruar të jetë gati në vjeshtën e vitit 2009.
Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju siguroj se Qeveria e Kosovës është e angazhuar plotësisht për të hyrë në fazën tjetër të procesit.
E përsëris: Agjenda e Evropiane është dhe do të mbetet prioriteti ynë numër një.
Zhvillimet Politike dhe Ekonomike
Pas takimit të fundit të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit në maj të këtij viti, Kosova ka kaluar nëpër një periudhë shumë të rëndësishme dhe intensive për vendin dhe rajonin.
Njohja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar duke arritur numrin prej 52 shteteve që kanë njohur Kosovën.
Shfrytëzoj këtë rast të shpreh falënderimin tim për të gjitha shtetet që kanë njohur shtetin më të ri të Evropës, dhe, në veçanti, falënderoj shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të ftoj edhe shtetet tjera të BE-së ta përcjellin këtë praktikë dhe ta njohin Kosovën.
Në veçanti, dëshiroj të falënderoj fqinjët tanë, Maqedoninë dhe Malin e Zi për njohjen e Kosovës së pavarur.
Ky akt do të shërbejë si bazë për intensifikimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe promovimin e politikës për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
Kështu, të gjithë fqinjët tanë, përveç Serbisë, kanë njohur realitetin e sotëm politik në rajon.
Zonja dhe zotërinj,
Ju them me bindje të plotë se ne do të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme dhe e mundshme që në Kosovë të ndërtojmë një shoqëri të pjekur dhe demokratike.
Do të ndërtojmë një shtet që njeh të drejtat e të gjithë qytetarëve që jetojnë këtu, duke respektuar plotësisht rendin ndërkombëtar, të drejtat e njeriut dhe në veçanti të drejtat e minoriteteve dhe të të kthyerve.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka hyrë në fuqi me 15 qershor.
Ne kemi miratuar një kushtetutë të tillë të avancuar që garanton institucione demokratike dhe respektim të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, në bazë të Kushtetutës, është e përcaktuar të punojë drejt përmbushjes së objektivave strategjike të politikave shtetërore dhe të sigurojë shtetit tonë pozitë të favorshme në kursin politik ndërkombëtar.
Republika e Kosovës ka rritur rolin e saj në politikën e jashtme në pajtim me realitetin e ri.
Ne kemi filluar themelimin dhe konsolidimin e misioneve diplomatike të Kosovës.
Deri më tani, ne kemi themeluar 10 misione diplomatike në nivel të ambasadave në SHBA, në vendet e rajonit të Evropës dhe mbetemi të angazhuar të hapim misione të reja diplomatike në pjesët tjera të botës.
Është prioritet i yni shtetëror hapja e sa më shumë misioneve diplomatike në këtë fazë dhe zhvillimi i kapaciteteve të tyre për të vepruar në mënyrë diplomatike bashkëkohore, duke respektuar të drejtën dhe procedurat ndërkombëtare.
Programi i Qeverisë 2008-2011 mbetet baza për Kosovën si shtet i qytetarëve të saj:
Shtet i zhvilluar në pajtim me parimet demokratike, me një ekonomi të qëndrueshme, ambient multi-etnik, i angazhuar qartë drejt integrimit Evropian dhe Euro –Atlantik, përmes plotësimit të kritereve dhe standardeve më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës.
Programi i Qeverisë është plotësisht i reflektuar në të gjitha dokumentet tjera afatmesme planifikuese siç janë: Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, Programi i Investimeve Publike, Plani i Partneritetit Evropian, duke përfshirë po ashtu Planin Vjetor të Qeverisë dhe Buxhetin Vjetor të Kosovës.
Konsolidimi i politikave të Qeverisë është një proces kompleks, por ne po punojmë shumë dhe në vazhdimësi për të ngritur kapacitetet tona që të mundemi të sigurojmë konsistencë të plotë të të gjitha politikave dhe dokumenteve programore.
Gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian janë plotësisht në pajtim më pozicionin dhe qëllimet për zhvillimet politike dhe institucionale të Qeverisë në fushat si: sundimi i ligjit, lufta kundër-korrupsioni, luftimi i krimit të organizuar, zgjerimi i dialogut dhe pajtimit mes komuniteteve.
Qeveria gjithashtu do të vazhdojë me konsolidimin e administratës publike për një qëndrueshmëri institucionale në pajtim me standardet evropiane.
Të gjithë pajtohemi që rëndësi kyçe ka mbajtja e situatës së sigurisë dhe stabiliteti i përgjithshëm në Kosovë.
Ne jemi dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më komunitetin ndërkombëtar dhe strukturat e reja, tashmë të themeluara, evropiane.
Do të ketë shumë sfida të reja, të cilave ne do të duhet t’iu qasemi së bashku në mënyrë të qetë dhe racionale.
Secili në Kosovë duhet ta kuptojë, ashtu siç e kuptojmë ne si Qeveri, se pavarësia e Kosovës tani do të duhet të mbrohet në institucionet ndërkombëtare, jo me pushtet fizik por me dijeni, këmbëngulje dhe vizion.
Një Kosovë, me ekonomi të qëndrueshme, përfaqëson objektivat kryesore të Qeverisë, në veçanti në situatën e krizës së rritjes ekonomike që pashmangshëm do të shkaktojë shumë pasoja negative në ekonominë e vendit tonë.
Me gjithë faktin se ekonomia jonë ka shënuar një rritje të lehtë në krahasim me vitet e kaluara, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për pamjaftueshmërinë në drejtim të themelimit të ekonomisë funksionale të tregut.
Ne do të punojmë më tutje për të përmirësuar përformancen makroekonomike dhe për të rritur zbatimin e buxhetit dhe në të njëjtën kohë për të ulur papunësinë dhe dis-balancin e jashtëm.
Dinamika e aktiviteteve ekonomike, të udhëhequra nga sektori privat, ka treguar shenja pozitive për një të ardhme më të mirë. Ne synojmë të bëjmë përpjekje të shtuara të krijojmë klimë më të favorshme për mbështetjen e iniciativave të sektorit privat.
Më tutje ne do të bëjmë gjithë atë që mundemi për të siguruar furnizim të rrymës sipas rrethanave të tashme dhe për te përmirësuar infrastrukturën fizike si parakusht kryesor për zhvillim.
Ne pajtohemi se reforma e vazhdueshme dhe investimet e konsiderueshme janë të nevojshme për t’i mundësuar Kosovës përballimin afatgjatë të presioneve konkurruese dhe forcave të tregut në BE.
E një rëndësie të veçantë ishte Konferenca e Donatorëve për Kosovën e organizuar nga KE-BB në Bruksel, më 11 qershor të këtij viti.
Komisioni Evropian dhe Shtetet Anëtare të BE-së ishin donatorët më të mëdhenj në këtë konferencë, kështu që ne ishim të siguruar nga Komisioni Evropian në emër të Bashkimit Evropian dhe Shteteve Anëtare të BE-së se Kosova mbetet në fokusin e tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës, ashtu siç është theksuar në Konferencën e Donatorëve, edhe njëherë riafirmon se asistenca që ju e keni ofruar me aq zemërgjerësi, do të menaxhohet në mënyrën më transparente dhe efikase.
Vetëm kështu do të sigurojmë realizimin e pritjeve që ne i ndajmë së bashku, të arrijmë objektivat tona në periudhën më të shkurtër që është e mundshme dhe me shpejtësi të përparojmë në ndërmarrjen e reformave të brendshme, që do ta shpie Shtetin tonë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane.
Agjenda e BE-së
Më lejoni të riafirmoj pozitën e Qeverisë duke theksuar që ne jemi tërësisht të përkushtuar për procesin e Integrimeve Euro-Atlantike të Kosovës si qëllimi ynë kryesor strategjik.
Jemi të vetëdijshëm, se për Ne, vetë procesi është më i rëndësishëm sesa akti i anëtarësimit, për shkak se gjatë këtij procesi ne jemi duke reformuar dhe përqafuar vlerat demokratike dhe, në të njëjtën kohë, duke përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët e Kosovës.
Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët rajonalë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar seriozisht dhe në detaje të gjitha gjetjet e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2008, nga Komisioni Evropian.
Ne kemi shfrytëzuar periudhën që nga publikimi i dokumentit e deri te ky takim që të analizojmë dokumentin dhe të identifikojmë të gjitha sfidat që do të adresohen.
Jam shumë i lumtur, që sot jemi mbledhur këtu dhe mund ta shfrytëzojmë këtë forum për të diskutuar dhe të dalim me rekomandime konkrete.
Përmes tyre do të adresohen të gjitha sfidat në këtë proces kompleks, por që është i arritshëm me përfshirjen e të gjitha institucioneve, shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Në këtë takim, ne do të diskutojmë dhe do të prezantojmë planet tona konkrete për të adresuar sfidat nga Raporti i Progresit për të gjithë kapitujt, standardet Evropiane, politike dhe ekonomike.
Ne jemi duke punuar në mënyrë intensive në reformimin e administratës publike dhe kemi bërë përparime në miratimin e legjislacionit për shërbimin civil dhe administratën publike dhe se jemi në proces të rishikimit funksional institucional.
Sistemi gjyqësor është i një rëndësie të veçantë dhe ne jemi duke bërë përpjekje maksimale për reformimin e tij, posaçërisht me rregullimet e nevojshme legjislative, ku projekt-ligjet për Gjykatën Kushtetuese, Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorisë shumë shpejt do të miratohen.
Përforcimi i mekanizmave institucional për të luftuar korrupsionin mbetet qëllim i yni.
Agjencia Kundër Korrupsionit tani është një organ profesional dhe institucion i pavarur kundër korrupsionit në nivel kombëtar.
Janë ndërmarrë masat për të adresuar paqartësitë ligjore dhe strategjinë e re kundër korrupsionit, për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet.
Ne kemi shfaqur përkushtimin tonë lidhur me të drejtat e njeriut dhe, në veçanti, për të avancuar pozitën e minoriteteve në Kosovë.
Ne do të punojmë edhe në të ardhmen për të avancuar pozitën e tyre në pajtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Qeveria jonë do të vazhdojë me miratimin e standardeve të BE-së në tregun e brendshëm, politikat sektoriale dhe drejtësi, për lirinë dhe sigurinë në pajtim me prioritetet e Partneritetit Evropian dhe rekomandimet që do të ofrohen nga ekspertiza e rishikimit.
Ne do të përqafojmë mënyra të tjera të këshillimit nga Komisioni Evropian që do të planifikohen në kuadër të Planit Kosovar të Veprimit për Partneritet Evropian (PVPE).
Jam i lumtur që administrata e Kosovës ka përgatitur Planin e Veprimit për Partneritet Evropian, në mënyrë profesionale dhe me përkushtim për të zhvilluar një dokument për planifikim afatmesëm me shumë detaje që do të mund t’i shfrytëzonim për vendime konkrete.
Administrata e Kosovës tashmë është duke punuar në vazhdimësi për të rishikuar PVPE-në, në mënyrë që të reflektojë të gjitha sfidat e Raportit të ri të Progresit.
Në dokumentin e rishikuar ne do të respektojmë rekomandimet e KE-së dhe do të identifikojmë masat dhe veprimet konkrete dhe reale me një kornizë kohore të menjëhershme për zbatimin e tyre.
Ne e kuptojmë që agjenda e BE-së është agjenda jonë kombëtare dhe ne jemi duke kërkuar mënyrat praktike për të integruar Planin Kosovar të Veprimit për Partneritet Evropian në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), Programi për Investime Publike (PIP), Buxheti i Kosovës, Deklaratën Strategjike dhe Planin Vjetor të Qeverisë.
Qeveria e jonë është plotësisht e përkushtuar që të çoj përpara strukturat institucionale për integrim në BE.
Në këtë drejtim, Plani për Integrime Evropiane 2008-2010 përcakton mënyrën dhe metodat për avancimin e strukturave të përfshira dhe intensifikimin e agjendës evropiane në nivel kombëtar.
Zyrtarisht janë themeluar gjashtë grupet punuese dhe deri tani janë takuar njëherë. Tani ato janë tërësisht funksionale.
Ne do të vazhdojmë me themelimin e të gjitha strukturave të tjera koordinuese në pajtim me planin e Agjencisë për Koordinimin e Zhvillimit dhe të Integrimeve Evropiane.
Dua vetëm të nënvizoj se ne do të respektojmë dhe do të koordinojmë agjendën tonë për integrime evropiane, nëpërmjet pjesëmarrjes në këto struktura.
Duke ndjekur pritjet e dala nga Konferenca e Donatorëve dhe duke kuptuar në tërësi rëndësinë që të kemi një organ qendror të fuqishëm dhe kompetent të Qeverisë, kam vendosur që të shkrij ish-Agjencinë për Integrime Evropiane dhe Qendrën për Koordinim e Donatorëve në Agjenci për Koordinimin e Zhvillimit dhe të Integrimeve Evropiane.
Qëllimi kryesor është përqendrimi i kapaciteteve në mënyrë që të përmirësohet efektshmëria në koordinimin e aktiviteteve për integrime evropiane dhe asistencës së donatorëve dhe në të njëjtën kohë, të maksimizohen efektet e shfrytëzimit të drejtë të asistencës.
Ky është një proces kompleks, dhe ne kemi nevojë për mbështetje nga KE dhe, në veçanti nga Shtetet Anëtare të BE-së, por ne jemi të përkushtuar të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme nga ana e jonë në aspektin e burimeve njerëzore dhe të kapitalit.
Ne shpresojmë se me një Agjenci funksionale për Koordinimin e Zhvillimit dhe të Integrimeve Evropiane dhe me aktivitetet e tjera të agjendës evropiane, do të përmirësojmë dhe përshpejtojmë, ngjashëm si përafrimin e legjislacionit, përkthimin e ligjeve evropiane në gjuhët zyrtare që përdoren në Kosovë, informimin dhe komunikimin më të mirë me publikun e gjerë dhe zbatimin dhe programimin e avancuar të IPA-së
Zonja dhe Zotërinj,
Në fund, dëshiroj të shfrytëzoj rastin që edhe një herë të falënderoj përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për institucionet e Kosovës për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.
E përsëris që Kosova është e gatshme të intensifikoj bashkëpunimin tonë për të ballafaquar me sfidat që janë para nesh.
Ju ftojë të gjithëve që të kemi një diskutim të hapur dhe të dalim në fund të takimit, me përfundime/rekomandime, që do të shërbejnë për ne për të adresuar më mirë sfidat me të cilat po ballafaqohemi.
Ju faleminderit.
Last modified: 2 Dhjetor, 2008