Prishtinë, 10 dhjetor 2008
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe Zotërinj,
Jam i nderuar që gjendem bashkë me ju, për të shënuar, sot dhe këtu në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, një ditë të veçantë, ditën kur para 60 viteve u miratua një nga dokumentet më të rëndësishme të historisë së re të njerëzimit. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut.
Gjashtëdhjetë vite më parë, në ketë Deklaratë qe u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, u shkruan disa fjale te rëndësishme: Të gjithë njerëzit janë të lindur të lirë dhe të barabartë me dinjitet dhe të drejta.
Për këtë dokument kanë folur dhe kontribuar shumë liderë botërorë. Për këto të drejta të njeriut, shumë liderë dhe aktivistë, nga të gjitha anët e botës, kanë dedikuar jetën e tyre.
Do të doja të rikujtoj me ketë rast simbolin e paqes dhe dashurisë Nenën Terezë. Nëna Terezë dhe dedikimi i jetës së saj për të sëmurët, të varfrit, të pastrehët, bëri që portreti i saj të bëhet vizion i të ardhmes për një botë ku njerëzit jetojnë në paqe dhe dashuri. Sekretari i përgjithshëm i kombeve të bashkuara Peres de Kuelar e quan : Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është Paqja.”
Respekti për të drejtat e njeriut dhe lirive themelore, respekti për të drejta të barabarta të të gjithëve dhe pa diskriminim pa marrë parasysh racën, gjininë, gjuhen, bindjen politike, religjionin, kulturën etj., janë parime që sot udhëheqin botën e lire dhe demokratike. Boten ne te cilën bën pjese edhe vendi ynë, Republika e Kosovës.
Sot, kur kombet e botës së lirë po shënojnë gjashtë dhjetëvjetorin e deklaratës universale të të drejtave të njeriut, shumë fëmijë në botë vriten në luftëra dhe gjenocide. Shumë femra eksploatohen dhe trafikohen. Pjesëtarë të pakicave nuk mësojnë në gjuhën e tyre, dhe njerëz me aftësi te kufizuar mbahen të mbyllur në shtëpitë e tyre. Shume njerëz jetojnë në varfëri, sëmuren dhe vdesin në mungesë të ujit të pijshëm dhe ilaçeve, për shkak të kequshqyeshmërisë.
Në këtë përvjetor të këtij dokumenti, dhe në çdo ditë pas kësaj, njerëzimi dhe liderët e botës së lirë duhet të vazhdojnë përpjekjet për të zbatuar principet e saj dhe për t’i shtrirë ato, për të bërë të mundur që ndërgjegjja e njerëzimit t’i kuptojë të drejtat e njeriut, dhe t’i pranojë si të pandashme dhe në mënyrë të plotë.
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,
Promovimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut në veçanti qasja e barabartë dhe kundër-diskriminimi janë parime themelore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, andaj zbatimi i tyre në praktikë është përgjegjësi e jo vetëm e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por i të gjitha institucioneve dhe të gjithë qytetarëve.
Me ketë rast do te doja te ju njoftoj se Qeveria e Republikës se Kosovës para disa ditësh, me datën 3 dhjetor ka miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për te Drejtat e Njeriut.
Vizioni qe ne mbajmë është se të drejtat e njeriut janë të një rëndësie të veçantë për Republikën e Kosovës, shtet demokratik, ku të gjithë qytetarët e saj jetojnë me dinjitet dhe gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.
Për këtë arsye jemi duke punuar dhe do të punojmë që të sigurojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe njëkohësisht të mundësojmë që të drejtat e njeriut në Kosovë të praktikohen me respekt për barazinë universale, për lirinë dhe dinjitetin e secilit qytetar të Kosovës.
Last modified: 10 Dhjetor, 2008