Prishtinë,23.01.2009
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramë Manaj mori pjesë në takimin e prezantimit të përgjithshëm të EULEX-it për operacionet për personat e pagjetur.
Këtij takimi, zëvendëskryeministri Manaj i është drejtuar me një fjalë rasti.
Në vazhdim po japim thekse nga fjala e zëvendëskryeministrit Manaj në këtë takim.
E kam për nder që në emër të Qeverisë të Republikës të Kosovës t’u shpreh konsideratën dhe falënderimin tim për gjithë punën e vyer në hedhjen dritë të fatit të të pagjeturve si çështje jo vetëm emocionale e dhimbshme por edhe humane dhe politike.
Kjo çështje me dimensione edhe regjionale mbetet edhe më tej shqetësim i të gjithë neve, qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë dhe kontributet e të gjithëve, janë të nevojshme të koordinohen deri në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të pagjetur.
Ne vlerësojmë dhe e çmojmë lartë përkushtimin dhe kontributet e deritanishme të Misionit Ndërkombëtar që është në Kosovë e në veçanti Komisionin Ndërkombëtar për Persona të zhdukur (ICMP), Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) , Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore e në veçanti me asociacionet e familjeve e familjet e të pagjeturve.
Qeveria e Republikës së Kosovës duke e ndier si çështje edhe komplekse me përmasa politike po ndërton kapacitete të reja administrative duke i dhënë impute të reja çështjes dhe të njëjtën kohë në bashkëveprim të plot me të gjithë akterët e involvuar po harton Ligjin për Personat e Pagjetur-Zhdukur.
Ky takim le të jetë edhe një motiv më shumë për kontribute në gjetjen e mundësive të reja, që nuk mungojnë dhe nuk janë pa adresë të faktuara tanimë e të shprehura shumë herë në takime ,tryeze edhe organizime kushtuar kësaj çështje.
Një fakt nuk mund të kontestohet, adresa e kërkimit të përgjigjes së kërkuar është e qartë, por kjo dëshmon që edhe për çështjet më humane e emocionale po vërtetohet jo gatishmëria e marrjes së përgjegjësive shtetërore nga shteti agresor.
Në Kosovë edhe sot, institucionet janë shprehur të gatshme për kultivimin edhe të dialogut regjional që pasqyron zgjidhjen edhe të çështjes së të pagjeturve si një ndër vrragët më të dhembshme nga të cilat lëngojnë shumë familje, lëngon Kosova.
Ky prezantim i përgjithshëm i EULEX-it dhe operacionet që do të ndërmarrë janë edhe një rast i ri për adresimin edhe intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta, që do të duhej rezultojnë me përmbylljen e kësaj kaptine.
Last modified: 23 Janar, 2009